UBT

Tërhiqet Berisha, s’ka pasaporta për kosovarët

/ 3 minuta lexim

Tiranë- Shefi i Qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha, tha dje se është tërhequr nga vendimi për të pajisur me pasaportë edhe shqiptarët e Kosovës.

Kryeministri pohoi se nuk mund të ndërmerret një nismë ligjore me Kosovën, për shkak se ky shtet ka aplikuar për liberalizimin e vizave me BE-në dhe se një marrëveshje e tillë do të dëmtonte procesin, raporton Panorama. “Kjo për momentin ka një problem ligjor me Kosovën dhe kjo masë nuk mund të adaptohet pa një marrëveshjeje të veçantë me qeverinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës po negocion me Bashkimin Europian procesin e liberalizimit të vizave. Dhe në këto kushte, ne nuk duam në asnjë mënyrë të cenohet ky proces shumë i rëndësishëm për Kosovën e pavarur. Pasi të finalizohet ky proces, dy qeveritë do të ulen të negociojnë një marrëveshje për këtë çështje. Por, për të gjithë shqiptarët e tjerë, qeveria shumë shpejt do t’u njohë atyre shtetësinë shqiptare. Ne do të veprojmë në këtë mënyrë për të gjithë shqiptarët që jetojnë në zonën e ‘Shengen’-it, që jetojnë në vende që kanë marrëdhënie të njëjta me Shqipërinë me zonën e ‘Shengen-it”, theksoi Berisha.

Eco Higjiena

Ai theksoi se ata qe do të marrin nënshtetësi nuk do të mund të votojnë në këto zgjedhje, për shkak se kundërshton opozita.

“Tani vjen problemi i votimit. Ne u përpoqëm për t’ua dhënë këtë të drejtë bashkëkombësve tanë, që ata të votojnë. Opozita e kundërshtoi këtë me disa teza të regjimit të vjetër. Por, sidoqoftë, zgjedhjet janë zgjedhje dhe qeveria është e detyruar të bëjë gjithçka për të siguruar opozitën në transparencën e këtij procesi. Kështu që në këto zgjedhje nuk qe e mundur që shqiptarët jashtë Shqipërie të mund të votojnë, të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Dhe unë deklarova publikisht se ky vendim nuk nënkupton të drejtën e votës për këto zgjedhje. Kjo do të zgjidhet menjëherë me vendimin që do të merret për pak javë për shtetësinë e tyre dhe të drejtën e votimit pas këtyre zgjedhjeve. Sepse nuk dua që të krijohet përshtypja se po bëhet për të fituar vota”, tha dje Berisha.