UBT

Teposhtëza e AKR-së

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Partia e Behgjet Pacollit po vazhdon të tkurret. Aktualisht, AKR’ja ka mbetur me vetëm tre deputetë në Kuvendin e Kosovës. Në vitin 2007, kishte trembëdhjetë.

Kjo rënie e partisë së pestë shihet si sinjal se AKR’ja po shkon drejt fundosjes. Ibrahim Makolli thotë se nga partia po largohen vetëm profiterët.

Kur kishte hyrë në skenën politike Behgjet Pacolli, më 2006, shumëkush kishte menduar se me ardhjen e tij në pushtet do të ndryshonte jeta e shumë qytetarëve të Kosovës.

Por, Pacolli ka ardhur në pushtet vitin e kaluar dhe vendi po vazhdon të mbetet i njëjtë.

Krejt çka ka ndryshuar prej vitit 2006, te Pacolli është zvogëlimi i Partisë së tij – Aleancës Kosova e Re. Pacollit në zgjedhjet e para më 2007 arriti t’i fitonte 13 vende në Parlamentin e Kosovës. E, tash ka dhjetë deputetë më pak – vetëm tre.

Një ditë më parë, Lideri i AKR’së nga Etiopia vendosi ta largojë nga të gjitha postet politike dhe partiake kritikuesin e Mimoza Kusarit, deputetin Emin Gërbeshi. Megjithëse në vendimin e AKR’së thuhet se “Kryesia e ngushtë” në konsultim me Presidentin kanë marrë vendim për largimin e Gërbeshit, organi “Kryesi e ngushtë” askund nuk përmendet në statutin e kësaj partie.

Për më tepër, Partia e Pacollit nuk e ka të saktësuar se Presidenti apo Kryesia mund të shkarkojnë ndonjë zyrtar të partisë, pa kaluar nëpërmjet organit më të lartë – Kuvendit, i cili e ka të drejtën e shkarkimit. Krejt këtë situatë në AKR, analisti Shkëlzen Maliqi po e sheh si rrënim të Partisë së Pacollit.

“AKR’ja nuk ka perspektivë. Ajo mundet edhe pak me shërby sa me e mbajtë pak pushtet dhe me i shërby PDK’së. AKR’ja është një shoqëri ad hoc për me e mbajtë pak pushtet”, ka thënë Maliqi, për Express, të shtunën.

Fundamenti

Në zgjedhjet e fundit, Pacolli kishte bërë koalicionin më të madh, duke lidhur koalicion me gjashtë parti – PD’në e Ferid Aganit, PSD’në e Agim Çekut, Partinë e Gjelbër, PPI’në, PPK’në. Me këtë koalicion kishte arritur të renditej partia e fundit që kishte kaluar pragun zgjedhor. Ndërsa në nivel të Kosovës, renditet e pesta, pas PDK’së, LDK’së, Vetëvendosjes e AAK’së.

“Koalicioni i AKR’së me partitë eë tjera është bërë vetëm sa për të kaluar pragun dhe për të hyrë në pushtet. Bashkimi i partive në koalicionin me Pacollin nuk kanë pasur program të përafërt, nuk kanë pasur vizion të përbashkët, por janë bashkuar në rrugën për të marrë pushtetin”, ka konstatuar Shkëlzen Maliqi. Por, me këtë konstatim nuk pajtohet Sekretari i Përgjithshëm i AKR’së, Ibrahim Makolli. Ai thotë se me gjithë largimet dhe rezultatet e këqija në zgjedhjet e fundit, partia po shkon drejt këndelljes.

“Përkundrazi, AKR’ja po shkon drejt një riorganizimi më të mirë dhe ofrimit të njerëzve që besojnë në vizionin e AKR’së”, ka thënë Makolli, që mban postin e Ministrit të Diasporës. Ai nuk ka dashur të komentojë vendimin e AKR’së për largimin e Gërbeshit, por ka thënë se prej se Pacolli ka vendosur të hyjë në politikë, një numër i njerëzve i janë afruar për të realizuar interesa personale.

“Nga AKR’ja kanë dalë në momentin kur nuk kanë mundur të arrijnë interesa personale, derisa kanë qenë në AKR kanë realizuar disa interesa, ndërkaq kemi edhe raste kur nga AKR’ja janë larguar njerëz që deri një ditë përpara kanë folur fjalë më të mëdha për Pacollin, e të nesërmen kur nuk kanë mundur të marrin një kredi në bankë, kanë kaluar diku tjetër dhe s`kanë lënë gjë pa thënë pastaj”, ka thënë Makolli.

Por, largimin e deputetit Gërbeshi nga AKR’ja e ka kundërshtuar Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i AKR’së, Gëzim Mehmeti. Ai ka thënë se është i jashtëligjshëm largimi i një zyrtari partiak pa u përfillur procedurat demokratike.

“Duke u bazuar në Statutin e Partisë, është dashur të jepet propozimi për përjashtim nga partia organit që e zgjedh personin, në këtë rast, Gërbeshin. Kuvendi e ka zgjedhur në organet partiake. Ne nuk kemi në statut që Kryesia apo Kryesia e ngushtë i përjashton anëtarët e vet”, ka thënë Mehmeti, që përfaqëson Degën e Prishtinës.

Faktikisht, shumica e degëve të AKR’së nëpër Kosovë vazhdon të mos jenë aktive. Ndryshe, AKR’ja në zgjedhjet e vitit 2007 kishte marrë 70.165 vota, derisa në zgjedhjet e vitit 2010 mori 53.356 vota. Në proporcional, AKR’ja e Behgjet Pacollit kishte humbur 16.809 vota.