Tenderimi, terreni më i përshtatshëm për korrupsion

Prokurimi publik vlerësohet të jetë fusha më e korruptuar në Kosovë. Në luftimin e kësaj dukurie, deri më tani, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe përfaqësues të bizneseve është bërë shumë pak.

Zbatimi në përpikëri i ligjit të prokurimit, thonë ata, është e vetmja mënyrë për ta zbutur këtë dukuri negative.

Përgjatë dy viteve Organizata Joqeveritare “FOL” ka bërë monitorimin e prokurimit publik në disa nga institucionet e Kosovës.

Petrit Zogaj nga kjo organizatë thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë monitorimit dhe hapjes së tenderëve të ndryshëm nga ministritë përkatëse kanë parë parregullsi të shumta.

“Gjatë kësaj periudhe sa ne kemi monitoruar dirket, duhet thënë se janë dy lloj formash të zhvatjes së parasë publike. Njëra është ajo që ne e kemi quajtur tender tavolinash përmes së cilës mënyrë komplet jo ligjore dhe jo demokratike tenderë të ndryshëm diskutohen nëpër kafiteri të ndryshme dhe vende të caktuara dhe në këtë mënyrë merret një shumë e caktuar e përqindjes”, thotë ai.

Petrit Zogaj ndërkaq thotë se gjatë monitorimit përveç zyrtarëve të institucioneve të cilët kanë qenë të përfshirë në afera kurruptive, edhe bizneset kanë praktikuar këtë mënyrë për të qenë fitues të ndonjë tenderi publik.

“Gjatë procesit të vlerësimit të tenderëve, në kohën sa ne kemi monitoruar kemi parë se edhe bizneset janë të interesuar që përmes aferave korruptive dhe gatishmërisë së zyrtarëve për t’u përfshirë në këtë është zhvatur paraja publike dhe vazhdon të zhvatet”, thotë Zogaj.

Megjithatë, këto raste të parregullsive në fushën e prokurimit, siç thekson Zogaj, ka qenë shumë e vështirë të verifikohen për shkak të pamundësisë së tyre për të gjetur argumente të mjaftueshme.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve, thonë se mënyra më e mirë për eliminimin e kësaj dukurie është zbatimi aktual i ligjit të prokurimit.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se ka shumë parregullsi në fushën e tenderimit dhe se mbetet shumë punë për t’u bërë.

“Ne si Odë Ekonomike Amerikane në Kosovë kemi thënë se ka parregullsi të shumta që ndodhin në fushën e prokurimit. Ajo që është më rendësi për të gjitha agjencitë e shtetërore është zbatimi i ligji në përpikëri pasi që ligji me të gjitha paqartësi që i ka është më i mirë se sa ligji i vjetër”, thotë Zeka.

Parimi i zgjedhjes së operatorit ekonomikisht më të favorshëm, gjë që nuk ka qenë në të kaluarën, sipas Zekës pamundëson në një masë parregullsitë në fushën e tenderimit.

Prokurimi publik edhe në raportet vendore dhe ndërkombëtare ishte konsideruar si burim i korrupsionit. Kjo fushë ishte thënë se ka krijuar probleme të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit.

Raporti i progresit për Kosovën i Komisionit Evropian po ashtu e kishte cilësuar fushën e prokurimit si më të korruptuarën në Kosovë.

Ndryshe, qëllimi i Ligjit për prokurim publik është që të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike dhe burimeve publike në Kosovë, duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen. /rel/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).