ARKATANA

Tellalli i Gjakovës

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Milaim Shefkiu – Kur gjakovarëve iu del qumështi mbi përshesh, ata thonë: “Po lyp pelë për Rahovec”. Tashmë, pas sa vitesh po duket që gjakovarëve iu ka dalë “tambli” mbi përshesh dhe marifetet dhe muhalifet iu dolën sheshit. Për dallaveret që i kanë bërë ata, tregoi “tellalli” nëpër çarshi, madje zëri i kasnecit tejkaloi Gjakovën, duke iu treguar gjithë shqiptarëve se gjatë 14 viteve të shkuara lidershipi i kësaj komune i ka tjetërsuar më shumë se 130 prona shoqërore.

Tjetërsimi është kthimi i pronave të shtetit në prona private, ose, më thjesht, ta marrësh një pronë që s’është e jotja dhe ta përvetësosh.Natyrisht që kjo është një lojë që sjell përfitime për ata që e kanë mundësuar tjetërsimin, por edhe për ata që i kanë tjetërsuar. Fitimi i dyfishtë. Dikush ka lypur pelë për Rahovec e dikush i ka hipur pelës bythmbrapsht.

Mirëpo befasitë zgjasin vetëm tri ditë, prandaj prona e huaj nuk bëhet e jotja, as me kanun as me ligj. Ata që kanë menduar se pronat e shtetit i bëjnë private, kanë menduar gabimisht sepse kanë harruar se ligji vonon funksionim, por edhe jo zbatimin. Populli qindra herë thotë se “shteti e zë lepurin me veturë”.

E keqja nuk perëndon vetëm këtu.

Komunarët e Gjakovës që janë përfshirë në këtë skandal, për të cilin “Zëri” i ka dëshmitë, sapo e kanë marrë vesh që dikush u ka rënë në gjurmë, janë katandisur si mos më keq. Gjatë gjithë ditës kanë vazhduar kërcënimet, thirrjet në telefon në redaksi, madje duke i kërcënuar gazetarët se do të shihemi në gjyq. Me këtë mënyrë kanë tentuar t’i frikësojnë gazetarët se “do t’i fusin në burg”.

Fundamenti

Gjyqi është destinacioni i fundit, mirëpo për ata që kanë shkelur ligjin, dhe jo për ata që i ndriçojnë faktet. Dhe se, fundi i fundit, “Zëri” vetëm ka raportuar për këtë rast, sikurse ka raportuar edhe për skandalin 1.4 milion euro në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa janë organet e drejtësisë ato që duhet t’i zbatojnë vendimet dhe t’i kapin njerëzit e korruptuar. Derisa EULEX-i iu ka rënë në gjurmë atyre që kanë tjetërsuar pronat ose që kanë lejuar tjetërsimin e pronave pa kritere dhe pa ligje, atëherë e “keqja” për ata që e “kanë ngrënë përsheshin” vjen nga drejtësia, respektivisht nga EULEX-i.

Madje, skandali më i madh ndodhi në konferencën për shtyp të kryetarit Pal Lekaj dhe zyrtarëve të tjerë komunalë. Ai tha se ky shkrim është bërë me tendencë, në kohë zgjedhjesh, duke u munduar që ta zhvendosë çështjen, nga korrupsioni në politikë. Dhe kjo është një e pavërtetë e madhe, sepse “Zëri” asnjëherë nuk ka pasur tendencë politike dhe nuk ka bërë shkrime për t’i etiketuar prefektët apo politikanët e caktuar.

Mirëpo, si mund të klasifikohet fakti që gazeta “Zëri” (sipas opozitës) është mbledhur, sikurse në kohën e komunizmit, nga të gjitha qoshqet vetëm që opinioni në Gjakovë të mos informohet lidhur me tjetërsimin e pronave. Kjo praktikë është e gabuar, jofunksionale dhe jodemokratike. Kjo praktikë nuk e çon Kosovën në BE, përkundrazi ia blindon derën e integrimit.

E njëjta praktikë ka ndodhur edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Një informatë përmes e-mailit ka ardhur në gazetë për një keqpërdorim në këtë dikaster. Çka ka bërë ministri Bajram Rexhepi. Ai në vend që t’i ndalë keqpërdorimet, ua ka ndalë internetin disa departamenteve në MPB. Sipas kësaj logjike, ai është munduar ta ndalë informatën jo korrupsionin.

Edhe në Gjakovë, nëse Pal Lekaj nuk është i korruptuar, ai duhet t’i gjejë njerëzit që janë përfshirë në korrupsion dhe jo ta mbledhë gazetën, nëse është e vërtetë, nëpër çarshi. Nuk është praktikë që t’u qes pluhur syve, sepse pronat janë ato që kanë qenë dhe gjakovarët i dinë se kush i ka përvetësuar. Prandaj lufta kundër medieve, është lufta kundër vetvetes. Gazeta vazhdon të qëndrojë pas atyre që i ka thënë, ndërsa gjyqi duhet të zhvillohet për atë që e ka ngrënë “Mollën e Adamit”. Edhe nëse nuk shkon gazeta në Gjakovë, është “tellalli” i që tregon.