Telashe me listën e bordit të RTK-së

Një nga pikat e nxehta që ka mbetur pezull për trajtim në Kuvendin e Kosovës, deri në fillim të sesionit të vjeshtës, është edhe emërimi i anëtarëve të rinj për Bordin e RTK-së dhe në Komisionin e pavarur të mediave.

Dështimi i seancës së fundit të sesionit veror ka bërë që kjo çështje të bartet dhe zgjidhet eventualisht në vjeshtë.
Mirëpo, subjektet politike opozitare, duke parë punën e nxituar që është bërë në nivel të komisioneve ad hock për njërin dhe për institucionin tjetër, dyshojnë se politika qeveritare po përpiqet të instalojë në të dyja rastet njerëz që janë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të klasës në pushtet.

Opozita paralajmëron që në seancën e vjeshtës, kur do të përsëriten për trajtim në Kuvend listat e propozuara me kandidat, do ta denoncojnë dhe kundërshtojnë vazhdimin e praktikës së politizimit të këtyre dy institucioneve që duhet të jenë tërësisht të pavarura dhe profesionale.

Duke kundërshtuar listën e anëtarëve të propozuar për Bordin e RTK-së, anëtari i komisionit ad hock Arben Gashi nga LDK-ja i tha gazetës se ai ka votuar kundër në komision dhe të njëjtin qëndrim do t’ia përcjellë grupit parlamentar, pasi që sipas tij, kapacitetet e listës së propozuar për votim nga Kuvendi as së afërmi nuk i plotësojnë kushtet për të menaxhuar si duhet me një medium publik sikur që është RTK-ja.
Edhe në subjektin e dytë politik opozitar, “Vetëvendosje” kundërshtimi është i gatshëm që të artikulohet në Kuvend, edhe për Bordin e RTK-së, por edhe për KPM-në.

Deputetja Alma Lama thotë se për t’u trajtuar pavarësia dhe ndikimi i politikës në këtë fushë, komisionet ad hok është dashur të drejtohen nga subjektet politike të opozitës dhe jo nga pozita, shkruan Kosova Sot. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS