RCCOLA

Të zgjedhurit e ‘PRONTO’-s e falimentuan drejtësinë

/ 10 minuta lexim

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët e shohin me shqetësim se si po shpenzohen qindra miliona euro fonde edhe për shoqërinë civile në emër të luftës kundër korrupsionit, por efekti i tyre është më pak sesa modest.

Miftari: VETTING për pastrim në politikë dhe në organe të drejtësisë, një VETTING i kontrolluar drejtpërdrejt nga FBI-ja dhe Ambasada amerikane

“Derisa vetë të korruptuarit dhe të inkriminuarit i zgjedhin prokurorët dhe gjykatësit në pozitat kyçe, është krejt e logjikshme se ata do t’i mbrojnë të inkriminuarit dhe të korruptuarit dhe në asnjë mënyrë nuk do t’i burgosin dhe dënojnë ata. Afera ‘Pronto’ është ilustrimi më i mirë për këtë. Përderisa krimi dhe korrupsioni t’i kenë në dorë Policinë, AKI-në, Prokurorinë dhe gjykatat, nuk duhet të presim asgjë serioze në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Të gjitha këto institucione do të punojnë për mafinë dhe jo për sundimin e ligjit”, thotë ish-deputeti Adem Salihaj për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët e shohin me shqetësim se si po shpenzohen qindra miliona euro fonde edhe për shoqërinë civile në emër të luftës kundër korrupsionit, por efekti i tyre është më pak sesa modest.

Kjo po vërehet vit pas viti se si kanë përfunduar deri tani miliona në xhirollogaritë e OJQ-ve, që kryesisht janë përdorur për fushata vetëdijesimi, tryeza pa fund, konferenca, seminare, por efektet nuk janë të mjaftueshme. Këtë më së miri e tregon edhe kjo javë e këtij viti kundër korrupsionit, si u tregua shoqëria civile këtë vit, në kuadër të aktiviteteve për çrrënjosjen e korrupsionit, kinse më kreative, duke prezantuar një rosë të madhe, si simbol i trashjes së kësaj të keqeje që po e mban peng zhvillimin në Kosovë. Analistët e kësaj fushe theksojnë se tanimë duhet ta dinë edhe OJQ-të, edhe vendimmarrësit që tubohen në ngjarjet e organizuara me rastin e Javës apo Muajit Antikorrupsion, se me rosa nuk luftohen të korruptuarit, se nuk luftohet korrupsioni me rosa të shoqërisë civile e me konferenca të kota të zyrtarëve të drejtësisë, se nuk ka sukses kjo luftë, nëse nuk ndahet politika nga drejtësia, shantazhi nga sistemi i drejtësisë.

Angazhimi antikorrupsion të dinamizohet

Ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, thotë se me të vërtetë shuma të mëdha të parasë janë duke u shpenzuar për angazhimet antikorrupsion, dhe se të pakta janë organizatat joqeveritare që e kanë në fokus luftën kundër korrupsionit, sepse po dominojnë ato që nuk po dëshirojnë të profilizohen vetëm në një angazhim. “Po ka shumë oferta për fonde dhe donacione, kështu që lakmia për të pasur më shumë, fatkeqësisht, nuk po e anashkalon as këtë kategori. Nuk mjafton as një ditë e as një javë që të plotësohet ky boshllëk. As tryezat, as strategjitë e as vendimet për rritje pagash për sektorë të veçantë nuk mjaftojnë. Nevoja për angazhimet antikorrupsion duhet të jenë të përditshme, shtëpinë duhet pastruar për çdo ditë. Titujt gazetareskë gjithashtu duhet të jenë të përditshëm dhe aktualë, nuk duhet vetëkënaqur me një shkrim ose me një kolumne. Vetëm të shohim se sa rastet ishin dy muajt e fundit dhe që të gjithë kaluan shpejt në harresë, duhet shkruar e shkruar derisa rasti të marrë epilogun”, u shpreh ai. “Nëse është zbuluar një rast korrupsioni, gazetat duhet shkruar e raportuar derisa të arrestohen keqbërësit ose të deklarohen prokuroritë se kanë filluar hetimin. Nuk duhet të lejojmë që të na rrëmben ajo maksima se çdo çudi zgjat vetëm tri ditë. Të përmendet, të shkruhet tri ditë dhe të harrohet. Derisa është kështu jashtë fokusit të opinionit publik, edhe të atakuarit nuk po brengosen, sepse po e dinë që lajmi do të jetë lajm vetëm 2 ditë. Nuk ka vazhdimësi dhe këmbëngulësi. Presioni i publikut nuk po ekziston. Mllefin dhe pakënaqësinë nuk duhet t’i shfaqim vetëm nëpër kafene e në ndeja, por me veprime konkrete. Pa presion të fuqishëm të publikut nuk do të kemi ndryshim të situatës së mjerueshme nëpër të cilën po kalojmë”, tha Hasan Preteni.

Miftari: Njeriu më i korruptuar në Kosovë del e flet për luftën kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit

Hidromorava

Njohësi tjetër i fushës së sigurisë, Naim Miftari, konsideron se fondet në këtë fushatë po shpenzohen kot së koti. “Shpenzimi i dhjetëra qindra milionëve, kinse për sundimin e ligjit, është bërë vetëm shou biznesi, sepse mosveprimi i prokurorëve është i lidhur me politikanë të korruptuar, pasi këta prokurorë edhe kur zgjidhen prokurorë zgjidhen nga politika e korruptuar, e cila nuk do prokurorë të pavarur që do ta mbronin ligjin. Atyre u duhen prokurorë rrogëtarë dhe kukulla të tyre, që në vend të ligjit e mbrojnë mafinë politike. E, kur të shihet kështu, si mos të plasë nga pakënaqësia qytetari i sinqertë, edhe tani kur në Javën e Antikorrupsionit dalin në televizion dhe reklamohen nga mëngjesi e deri në mbrëmje në emër të luftimit të korrupsionit, pikërisht njerëzit më të korruptuar që janë në Kosovë. Është e pamoralshme që ata të dalin e të flasin për ligjin dhe korrupsionin, sikur që del presidenti Thaçi e flet për luftën kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit, që mban ligjërata njeriu më i korruptuar në Kosovë, njeriu që i ka shkatërruar institucionet e ligjit dhe krejt shtetin”, u shpreh ai. “Duhet një revoltë e përgjithshme popullore ose VETTING për pastrim në politikë dhe në organe të drejtësisë, një VETTING të kontrolluar drejtpërdrejt nga FBI-ja dhe Ambasada amerikane, tjetër rrugë shpëtimi nuk na kanë lënë politikanët tanë të korruptuar dhe disa nga hajnat botërorë ndërkombëtarë”, tha Miftari për “Kosova Sot”.

Salihaj: Deri më tash, efektet e ‘luftës së ashpër’ kundër krimit e korrupsionit janë barazi me zero

Edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, thotë se me fushata “ad hok” nga OJQ-të a kushdo qoftë nuk ndërtohet shteti i së drejtës. “Në Kosovë të gjithë flasin e sillen sikur gjoja po bëjnë diçka kundër krimit e korrupsionit, e në fakt nuk bëjnë asgjë. E gjithë kjo luftë e shoqërisë civile është një ‘luftë’ e pambuktë, e cila më shumë e ledhaton, sesa e lufton krimin dhe korrupsionin. Vetë të korruptuarit dhe të inkriminuarit e financojnë shoqërinë civile me miliona euro të taksapagueseve të Kosovës, që të fitohet përshtypja e gabueshme se edhe ata vetë gjoja po e luftojnë krimin dhe korrupsionin. Deri më tash, efektet e ‘luftës së ashpër’ kundër krimit e korrupsionit janë barazi me zero”, theksoi ai.“Përderisa krimi dhe korrupsioni t’i kenë në dorë Policinë, AKI-në, Prokurorinë dhe gjykatat, nuk duhet të presim asgjë serioze në luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Të gjitha këto institucione do të punojnë për mafinë dhe jo për sundimin e ligjit”, vijoi më tej Salihaj.“Këto ditë u arrestua shoferi i vëllait të presidentit me 113 kilogramë drogë dhe e gjitha po kalon në heshtje. Më e keqja është se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga të gjitha dhe nuk luftojnë për ta ndryshuar këtë gjendje. Ky dëshpërim i qytetarëve nuk e zgjidh problemin e tyre, përkundrazi është i mirëseardhur për mafinë politike në Kosovë, e cila kohëve të fundit po bëhet gjithnjë e më e paskrupullt dhe më agresive në zhvatjen e Kosovës”, tha Adem Salihaj.

Burjani: Politika e ka kapur drejtësinë

Sipas njohësit të së drejtës prof. Blerim Burjanit, derisa nuk ka vullnet të plotë për zbatimin e ligjeve në fuqi dhe derisa edhe qytetarët nuk vetëdijesohen më shumë për të kërkuar madje edhe me protesta shtet ligjor, atëherë të gjitha improvizimet e tjera janë të kota.” Çështja është e qartë, vetëdijesimi ende nuk ka mbërri askund, qytetarët duhet të vetëdijesohen, nëse për asgjë, për shkak të fëmijëve të tyre, në fund të fundit, sepse pa e ndryshuar këtë klasë qeverisëse nuk ka rend dhe ligj. Pa e ndryshuar këtë klasë politike akoma do të vazhdojë kështu si është, me pasurim të pabazë, me gjyqësi të kapur dhe pa perspektivë të zhvillimit ekonomik të shtetit, ku sektorët shtetërorë janë uzurpuar në të gjitha fushat: siç është qeverisje në tërësi, arsimi dhe institucionet e tjera shtetërore, Gjyqësia dhe Prokuroria. Administrata gjyqësore funksionon me kapje institucionale, andaj çlirimi nga kapja mund të vijë vetëm me një klasë dhe gjeneratë të re politike. E, kjo gjeneratë politike e tanishme është treguar çfarë është dhe pasojat që ka sjellë në shtet në kuptimin e ngufatjes së demokracisë dhe zhvillimit ekonomike të shtetit”, tha Blerim Burjani.

Institucionet e ligjit, të papërgjegjshme

Edhe sipas analistit Arsim Haziri, performancat dhe aktivitetet e tjera që mbahen njëherë në vit, kinse për të sensibilizuar luftën kundër krimit e korrupsionit, veç përfitimit që mund të kenë organizatorët e tyre në kuptimin material, nuk japin efekt tjetër derisa institucionet e zbatimit të ligjit sillen me papërgjegjshmëri dhe nuk e zbatojnë atë. “Përderisa ato dy institucione relevante për fuqizimin e shtetit tonë, Prokuroria dhe Gjyqësori, influencohet nga ndikimi politik, çdo gjë e pritshme mund të jetë e kotë dhe e parealizueshme. Shteti nuk konsolidohet kur i mungojnë organet e pavarura dhe profesionale, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, të cilat përbëjnë premten e vetme për avancimin e tij. Kosova, përkatësisht institucionet e saj, sidomos ato pa të cilat nuk mund të garantojnë stabiliteti, nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm, ashtu edhe sistem të fuqishëm ligjor, kur mungojnë së vepruari në mënyrë të paanshme, duke filluar nga sistemi i gjykatave dhe ai i administratës, që në përkthim konkret nënkupton një lloj timoni juridik. Për fat të keq, Kosova akoma nuk po funksionon mbi baza juridike e drejtësi të pavarur, sepse aty po dominon ndikimi i ashpër i politikës”, theksoi Haziri për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)