RCCOLA

“Të vegjlit” e pësojnë, “të fortët” nuk i prek kush

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se në Kosovë ligji ekziston vetëm për njerëzit pa krahë, njerëzit që s’kanë lidhje politike, apo njerëzit që janë të vobektë, të varfër, ndërsa ata që janë të lidhur me politikën, me nëntokën dhe njerëzit që kanë të holla në Kosovë, ligji nuk ekziston për ta, derisa, sipas tyre, zvarritja e proceseve gjyqësore bëhet qëllimisht dhe krejt varet se i akuzuari apo të akuzuarit sa janë të fortë politikisht dhe sa janë të lidhur me nëntokën politike të Kosovës dhe sa janë të pasur.

Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se si po i shkel të drejtat elementare njerëzore e qytetare sistemi i degraduar, i korruptuar dhe i stërkequr i drejtësisë në Kosovë, dhe se nga drejtësia e munguar, qytetarëve u shkelen të drejtat e tyre, sepse proceset zvarriten me vite, kështu që qytetarëve nuk u ndahet dhe as nuk u jepet drejtësia, ose tepër e vonshme, pasi ajo ta ketë humbur kuptimin. Për atë se a do t’u kompensohen dëmet kështu qytetarëve duke u bazuar në ligjet pozitive të vendit, flet shkrimi në vijim.

Profesori universitar Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se drejtësia në Kosovë është një fjalë që shumë përflitet, por që është larg realizimit të saj si dukuri e shtetit ligjor, dhe se gjykatat nuk po munden të dënojnë, sikundër thuhet, “peshqit e mëdhenj”, pasi atyre po u mungojnë faktet, që duhet të mblidhen nga Prokuroria dhe Policia e vendit. “Këta janë shkaktarët e dështimeve në Gjyqësor. Por, as Gjyqësori nuk është më mirë. Trupat gjyqësorë sikur të kenë dëshirë që të mos merren me shqyrtime. Dënimet po u jepen vetëm njerëzve të thjeshtë, përkatësisht kriminelëve të vegjël, apo për rastet e vogla. Ndodh që objekt i shqyrtimit penal të jetë vepra penale milionëshe dhe dënimi është qesharak. Po ai gjyq dënon për disa qindra euro të tjerët rend e me rend”, u shpreh Profesori universitar Muhamet Kelmendi.

Lëndët zvarriten, qytetarët e pësojnë

Analisti Naim Miftari thotë se, sipas njohurive që ka, në Kosovë ligji ekziston vetëm për njerëzit pa krahë, njerëzit që s’kanë lidhje politike, apo njerëzit që janë të vobektë apo të varfër, ndërsa, siç tha, për njerëzit që janë të lidhur me politikën, me nëntokën dhe ata që kanë të holla në Kosovë, ligji nuk ekziston, derisa, sipas tij, zvarritja e proceseve gjyqë- sore bëhet qëllimisht dhe krejt varet se i akuzuari apo të akuzuarit sa janë të fortë politikisht, sa janë të lidhur me nëntokën politike të Kosovës dhe sa janë të pasur. “Nëse janë të pasur shumë, atëherë derisa të vijë koha të gjykohen apo të dënohen, atëherë fillimisht lëndët e tyre humbin, zhagiten, dëmtohen dhe bëhen konspiracion kundër fakteve, dhe zakonisht ndrydhen dëshmitarët e rasteve të mëdha dhe kështu që devalvohet i tërë procesi gjyqësor. Kjo nuk bëhet rastësisht dhe as nuk bëhet vetëm një rast, por ka ndodhur në qindra raste deri sot”, ka vijuar ai. “Ndërsa, sa u përket dëmshpërblimeve, se lëndët po humbin, po zhagiten dhe njerëzit po dëmtohen, po ashtu po dëmtohen firmat e ndryshme, po dëmtohen biznesmenët që nuk kanë lidhje me politikën, po dëmtohen njerëzit që janë të vuajtur dhe të ndrydhur nga biznesmenët e mëdhenj, që janë të lidhur me politikën apo në ndonjë mënyrë tjetër, unë nuk besoj se do të kompensohen”, theksoi ai. “Marrim shembull punë- torët e Ferizajt, të cilët kanë qëndruar afër 2 vjet e gjysmë në tenda, në borë e në shi për një padrejtësi që iu ka bërë nga AKM- ja, por që shkuan, bënë lojëra politike liderët e PDK- së, edhe pse me Gjykatë Kushtetuese ata ishin fitues dhe dolën fitues prapëseprapë ata nuk u kompensuan kurrë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari.

Sistemi joefikas

Uji Dea

Profesori universitar Mazllum Baraliu ka nënvizuar se është evidente që tek ne sistemi i drejtësisë është, përveç të tjerash, edhe shumë joefikas, tepër zvarritës dhe me qindra mijëra lëndë të grumbulluara, të pazgjidhura dhe disa prej tyre edhe të parashkruara, gjë që faktikisht, siç tha, është cenim dhe mohim i të drejtave të atyre, të cilët pretendojnë se janë cenuar të drejtat e tyre nga ana e faktorëve të ndryshëm, personave të ndryshëm juridikë dhe fizikë.

Sipas tij, është drejtësi joefikase, është drejtësi e vonuar, dhe kjo e fundit është në fakt drejtësi e mohuar dhe kjo tek ne ndodh jo vetëm me vite, por edhe me dekada, pasi ka raste kur lëndët, cilado fushë qoftë e drejtësisë, civile, apo jokontestimore penale dhe administrative, po vonohen më shumë se me vite të tëra, sidomos në të drejtën biznesore dhe kontestet ekonomike biznesore, që janë të ndërlidhura me shuma të mëdha të dëmeve, gjegjësisht të kompensimeve që u takojnë ose u mohohen qytetarëve, gjegjësisht subjekteve biznesore.”Kjo gjithsesi në total, pra në tërësinë e tij, problemi shtrohet dhe do të duhej që të zgjidhej me një efikasitet të mirë- filltë, është një lajm i mirë që tashmë segmente të kësaj Qeverie, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar, sinjalizuar se do të pranojë një numër të konsiderueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në mënyrë që të zgjidhen lëndët sa më me efikasitet, por nuk mjafton kjo, pasi do të duhej një reformë e tërë, e thellë dhe do të duhej një profesionalizëm i ngritur në vazhdim që po mungon”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” Profesori universitar Mazllum Baraliu.

Mafio-oligarkët e kanë vendin në burg

Analisti Ragip Guraziu shprehet se derisa do të kemi një shtet të tillë me sistem të degraduar, të korruptuar dhe të stërkequr të drejtësisë në Kosovë, medoemos që shkel të drejtat elementare njerëzore e qytetare sistemi i degraduar, shantazhuar etj. Pra, sipas tij, drejtësia që moti ka rrëshqitur si skitë në akull, ku shkelen të drejtat e qytetarëve, kemi procese të zvarritura me vite, dhe medoemos drejtësi e dështuar, ku qytetarëve nuk u ndahet dhe as jepet drejtësia, ose tepër e vonshme, pasi ajo ta ketë humbur kuptimin dhe e gjithë kjo me këtë sistem të drejtësisë të degraduar e të korruptuar.”Të gjitha këto shkojnë në dëm të qytetarëve me këto vonesa e pritje me vite për të drejtat elementare të tyre, gjë që kjo nuk ndodh askund në asnjë shtet të civilizuar në botë”, spikati për gazetën “Kosova Sot” analisti Ragip Guraziu. Sipas tij, padrejtësitë që po u bëhen qytetarëve nga të gjitha institucionet e shtetit, por sidomos ato nga ekzekutivi e qeveritë komunale e qendrore, sikur edhe nga pushteti i drejtësisë së kapur nga mafio- oligarkia kriminale, po u sillet “busulla” rreth kokës së tyre, e ndoshta do të përfundojnë prapa grilave siç thotë populli ” kungulli mbi ujë nuk shkon më”.

(Kosova Sot)