UBT

Të rinjtë që mund ta ndryshojnë botën

/ 4 minuta lexim

Gjatë muajit të kaluar, “Huffington Post” ka zbuluar rrëfime të pabesueshme, inspiruese dhe prekëse për të rinjtë më me ndikim të botës. Këta individë të jashtëzakonshëm, kryesisht tinejxherë, janë dëshmi se të rinjtë mund ta ndryshojnë botën.

Që të gjithë ata e kanë shndërruar dëshirën e tyre të fuqishme për përmirësimin e gjërave në aksione të përmasave të gjëra dhe janë bërë liderë të njëmendtë globalë.

1. Olivia Bowler – Si luftëtare për mbrojtjen e ambientit, ajo shfrytëzon aftësitë e veta kreative që ta përcjellë porosinë për domosdoshmërinë që ta shpëtojmë planetin tonë. Kjo dymbëdhjetëvjeçare ka mbledhur për qëllime ekologjike më shumë se 200.000 dollarë, falë librit “Librat e Olivias: shpëtimi i Gjirit” dhe veprave artistike të ekspozuara në Qendrën për Natyrë dhe Art “Ned Smith”.

2. Grace Lee – Njëra prej themelueseve dhe drejtoreshë e përgjithshme e organizatës “We care act” u ndihmon të rinjve në mbarë botën, shtetet e të cilëve goditen nga katastrofat. Me aksione të ndryshme, duke filluar nga mbledhja e librave për viktimat e tërmetit në Kinë e deri te grumbullimi i ndihmave për viktimat e uraganit “Ike”, Grace u ka ndihmuar 14.000 fëmijëve që ta marrin veten pas katastrofave natyrore.

3. Jeremiyah Kimbugwe (24) – Shfrytëzon njohuritë e mbledhura gjatë shkollimit për punëtor social, për të ndërmarrë ndryshime të dobishme në Kenia. Në bashkëpunim me organizatën “Sovhen Uganda”, Jeremiyah mbikëqyr projektin për ndërtimin e linjës së fabrikës për mjete sanitarie, në mënyrë që ta zgjidhë problemin e metodave johigjienike në këtë shtet.

4. Kyle Weiss – Si themelues i organizatës “FUNDaFIELD”, 19-vjeçari Kyle Weiss është duke punuar për përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve dhe të tinejxherëve në shtetet në zhvillim, duke ndërtuar terrene futbolli. Në këtë mënyrë është duke e ofruar mundësinë që duke luajtur futboll, të rinjtë të shërohen nga traumat dhe të zhvillohen në drejtimin pozitiv.

5. Kassandra Lin – Tinejxherja e mahnitshme, Kasandra Lin, është themeluese e projektit “TGIF: Shndërrojr yndyrën në lëndë djegëse”. Yndyra e mbledhur shndërrohet në lëndë biologjike djegëse, e cila u jepet familjeve pa ngrohje. Kjo vajzë 14-vjeçare kishte ndërmarrë aksionin kur në gazetat lokale e kishte lexuar artikullin për një numër të madh njerëzish që nuk mund ta paguajnë ngrohjen gjatë dimrit.

Fidanishtja

6. Luis Cruis – I obsesionuar me dëshirën që t’u ndihmojë personave të hendikepuar, nëntëmbëdhjetëvjeçari Luis Cruis e ka shpikur “Eyebord”, programin kompjuterik të cilin shfrytëzuesit e kontrollojnë përmes lëvizjeve të syve.

7. Abdel Alzorgan – Gjatë kohës sa punonte me të atin në një fermë në Tafili të Jordanisë, Abdel Alzorgan, kishte filluar që të mendonte për sistemet inovative për mbrojtjen e ujit. Pas pjesëmarrjes së vet të parë në panairin ndërkombëtar të shkencës dhe inxhinierisë, INTEL 2006, ky njëzetvjeçar kishte marrë pjesë në gara të shumta dhe organizime, në mënyrë që të rinjve të shtetit të vet t’ua përcillte njohuritë e marra dhe informatat.

8. Zander Srods – Ky aktivist për mbrojtjen e ambientit tashmë dhjetë vjet lufton për mbrojtjen e breshkave të detit. Ai ka themeluar programin shkencor “Turtle Talks”, në mënyrë që dashurinë e vet ndaj kafshëve t’ua bartë të rinjve në mbarë Amerikën.

9. Madeleine McGilin – Pasi që e kishte marrë vesh se në Ugandë çdo tridhjetë sekonda një fëmijë vdes nga malarja, Madeleine McGilin së bashku me katër motrat e saj menjëherë i kishte përvjelë mëngët dhe e kishte themeluar organizatën “Network Against Malaria”.

Në mbarë Amerikën janë themeluar më shumë se 21 degë të kësaj organizate, derisa falë angazhimit të vajzave për mbledhjen e parave për rrjete kundër mushkonjave janë shpëtuar rreth 34.500 jetë.

10. Camilo Jimenez – Dëshironte të ndryshonte diçka në Amerikën Latine, ku vetëm 18 për qind e mbeturinave ditore riciklohen. Kompania e tij, ECOPUNTOS u mundëson njerëzve që në shkëmbim me materialin që mund të riciklohet të mbledhin poenë dhe të fitojnë shpërblim.