Të rinjtë e AAK takohen me zyrtarët e Handikosit

Gjilan – ARK e Gjilanit sot ka zhvilluar takimin e radhës në kuadër të takimeve të shumta të zhvilluara së fundi. Gjatë ditës së marte, kryetari i ARK-së në Gjilan Labinot Hyseni bashkë me një pjesë të kryesisë së tij, kanë vizituar qendrën Handikos.
Ata janë pritur nga menaxheri i kësaj qendre, Remzi Kqiku, i cili i ka informuar të rinjtë e Aleancës në Gjilan, mbi gjendjen në të cilën gjendet kjo qendër.
Kryetari i ARK-së Labinot Hyseni, së pari ka falënderuar Kqikun për pritjen ndërsa atë e ka informuar edhe në lidhje me qëllimin e kësaj vizite.
“Ne si Aleancë e të Rinjve, duam të dimë gjendjen në të cilën gjendet qendra e Handikos-it në Gjilan dhe me kushtet në të cilat kjo qendër funksionon, vetëm për arsyen më të thjeshte, se duam të mendojmë për alternativa të ofrimit të ndihmës për të gjithë ata fëmijë dhe të rinj gjilanas që rehabilitohen në këtë qendër”, ka thënë Hyseni.
Ndërkaq, menaxheri i degës së Handikos-it në Gjilan Remzi Kqiku, ka falënderuar ARK-në për vizitën, duke i njoftuar ata me gjendjen në të cilën gjenden.
“Qëllimi i funksionimit të kësaj qendre është ofrimi i ndihmës dhe përkrahjes për personat me aftësi të kufizuara si dhe integrimin e tyre në shoqërinë tonë. Handikos-i mbijeton kryesisht në bazë të donatorëve, ndërsa ofrohet rehabilitim për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, të cilët kanë nevojë për ndihmën që ofron qendra Handikos-it”, ka thënë Kqiku.
Në kuadër të delegacionit të ARK-së, në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Ridvan Muji, Lemane Aliu, Egzona Selimi dhe Arbëreshë Kryeziu, anëtarë të kryesisë së ARK-së në Gjilan./rajonipress/