Eko Higjiena

Të pushosh duke lexuar

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Pushuesit që shkojnë në plazh, përpos që lahen dhe rreziten, me vete marrin edhe ndonjë libër për të lexuar. Llojet e librave janë të ndryshëm, por mbizotërojnë romancat dhe romanet triler. Një poet dhe një romancier tregojnë për Express se çfarë librash e kanë ndërmend të lexojnë gjatë pushimeve.

Shumica e njerëzve para se të nisën për në deti, ku i kalojnë pushimet verore, kujdesen që midis rrobave dhe gjerave tjera në çantë të fusin edhe ndonjë libër. Përpos notimit dhe rrezitjes në diell, plazhet janë vende ideale edhe për ata që kanë dëshirë të lexojnë.

Sidomos nëse shkoni në ndonjë vend të qetë, ku tollovia e njerëzve dhe muzika me zë të lartë ua lënë vendin rrezeve të diellit të depërtojnë lirshëm nëpër lëkurën tuaj të lyer me vaj ulliri. E për ata që kanë hamendësime se çfarë libri të marrin me vete mund të gjejnë ndihmë te shkrimtarët, të cilët, siç shihet nga librat që i lexojnë dhe ua rekomandojnë të tjerëve, pëlqejnë më shumë letërsi të huaj sesa shqiptare. Poeti Ndue Ukaj, gjatë këtyre pushimeve, e ka ndërmend të rilexojë prozën e shkurtër të Franc Kafkës, në përkthim të plotë shqip nga Ardian Klosi.

“Proza e këtij autori, më magjeps me botën e pasur të ideve dhe stilin e jashtëzakonshëm të shkrimit, ndërkaq me vete do të kem edhe prozë nga korifenjtë e letërsisë së përbotshme, si Gabriel Garcia Marques, Jorge Luis Borges, Dino Buxati, Ismail Kadare, etj. Unë e preferoj që gjatë pushimeve të lexoj ose rilexoj vetëm autorë që i njoh dhe që më plotësojnë estetikisht.

Të gjithë këta autorë kanë diçka të veçantë në veprat e tyre. Kafka shquhet për temat e thella, Marquesi për realizmin magjik, Dino Buxati për mjeshtërinë e pashoq të rrëfimit dhe depërtimin e thellë dhe human në psiken e njeriut, dhe Kadare me universalitetin e temave dhe motiveve, të ndërlidhura me mite, kode dhe kultura të ndryshme, por që gjithmonë frymojnë nëpërmjet botës shqiptare”, u shpreh Ukaj.

Për të, kjo është një letërsi ideale, për t’u shijuar gjatë kohës kur kemi më pak brenga për punët e përditshme dhe më shumë kohë për relaks. Sipas tij, ata që duan të pasurohen shpirtërisht, që duan të thellohen në dilemat e mëdha të letërsisë, patjetër se do të kënaqen po të kenë mundësi të lexojnë diçka nga opusi i gjerë i këtyre shkrimtarëve të shkëlqyer.

Ndërsa, në fushën e poezisë, ai tha se do ta shoqërojnë dy poetë që kohëve të fundit i lexon shpesh, me shumë pasion dhe interesim, e këta janë nobelisti i letërsisë Tomas Tranströmer dhe poetja e mrekullueshme italiane Alda Merini.

Megjithëse shumica e njerëzve marrin me vete në plazh ndonjë romancë apo triler, Ukaj tha se koha e pushimeve, e cila është kohë e relaksit, bëhet më e frytshme për shëndetin mendor nëse lexohen libra që nxitin dilema, japin mesazhe të rëndësishme dhe kënaqin lexuesin estetikisht.

UBT

“Unë mendoj se tregimet, novelat dhe romanet janë literaturë e përkryer për këtë kohë. Mirëpo, edhe poezia është një zhanër që duhet të lexohet, sepse ajo me botën e pasur emotive dhe estetike, me idetë dhe temat, ndihmon njeriun në fisnikërimin e tij dhe në përplotësimin e botës së brendshme. Poezia në plazh, pranë detit, merr një domethënie specifike”, u shpreh ai.

Sipas tij, letërsia e masave është një letërsi që të kënaq për pak çaste, por nuk të le shijë më të thellë, prandaj thotë se është mirë që në vend të saj të lexohet letërsi e mirëfilltë e autorëve të mirë.

Ndryshe prej Ukajt, romancieri Albatros Rexhaj preferon që në plazh të lexojë ndonjë libër më të lehtë.

“Këtë vit në plazh isha vetëm për një fundjavë dhe gjatë asaj fundjave e kam lexuar romanin ‘Arkengjulli’ nga shkrimtari i njohur britanik Robert Harris. Ky roman është i zhanrit triler dhe flet për trashëgiminë politike të Stalinit dhe sekretin e ruajtur me shumë pasion mbi vendndodhjen e të birit të Stalinit, ekzistenca e të cilit është mbajtur sekret me dekada. Është një roman që lexohet me një frymë, përplot kthesa, por ka edhe shumë informacion historik”, tha ai. Ndërsa gjatë pushimit, të cilin planifikon ta ketë gjatë muajit gusht, Rexhaj mendon ta lexojë romanin ‘Fuqia e të gjashtit’ nga Pitacus Lore.

“Pitacus Lore, ky është pseudonim, është një shkrimtar i ri i cili ka bërë nam për një kohë të shkurtër. ‘Fuqia e të gjashtit’ është vazhdimësi e romanit “Unë jam numri katër” që tashmë është bërë film. Ky është një rrëfim për atë se në mesin tonë tërë kohën jetojnë qenie jashtëtokësore por që prezenca e tyre mbahet sekret. Unë e kam lexuar romanin e parë dhe është një lexim tepër i këndshëm që ta ngjallë fantazinë”, u shpreh ai.

Rexhaj shtoi se shija është diçka shumë subjektive. Ndërsa, librat që ai ua rekomandon lexuesve janë romanet si “Djalli vishet me Prada” nga Loren Vejsberger, “Pelegrini” dhe “Valikiri” nga Paulo Coelho, ndërsa nga letërsia shqipe “Luftë e vogël e përkorë” nga Elvira Dones.

“Natyrisht edhe ‘Bombën’”, tha ai, duke aluduar në romanin e tij që për një kohë shumë të shkurtër arriti të shitet i tëri.