Eko Higjiena

Të pakënaqur me zhvillimin ekomomik

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me debatin për zhvillimin ekonomik, ku sipas partive opozitare Kosova nën udhëheqjen e Qeverisë Thaçi ka shënuar vetëm rënie ekonomike, pasi që bizneset më shumë po mbyllen se që po zhvillohen. Debati në shumicën e kohës kaloi edhe në Komunën e Prishtinës, ku sipas kryeministrit Thaçi ka tepricë buxheti në kohën kur bllokohet nga një rrebesh shiu.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti ka përmendur progresin që është rritë në disa pjesë të këtij sektori derisa ka thënë se grupi parlamentar i PDK-së do të luajë rolin e tij në formulimin e ligjeve efikase në këtë fushë.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se PDK dhe Qeveria e Kosovës, ka investuar më shumë në komunat që udhëhiqen nga partia që ai drejton.

Kurse, kryeministri Thaçi ka kritikuar udhëheqjen në Prishtinë për tepricën në buxhetin e Prishtinës e cila ka ndodhur nga paaftësia për të udhëhequr. “Prishtinës i teprojnë para, në kohën kur një rrebesh shiu e merr me ujë Prishtinën”, ka thënë ai.

Thaçi ka përmendur edhe mungesën e ngrohjes për qytetarët në kryeqytet, i ka përmendur ndërrimin e shpeshtë të pllakave të Shesheve në kryeqytet dhe ka kërkuar nga Beqiri që të përgjigjet edhe për mungesën e një stadiumi modern për kryeqytetin dhe shumë probleme të tjera në fushën ekonomike.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka thënë se nën udhëheqjen e Qeverisë Thaçi, Kosova ka shënuar vetëm rëne ekonomike dhe jo rritje.

Uji Dea

Gjini ka theksuar se edhe në këtë debat, Thaçi me “aftësinë” e tij futi debatin në rrugën që ai dëshiroi duke u marrë vetëm me Prishtinën, kurse shumica e rrugëve të Kosovës janë asfaltuar disa herë për shkak të cilësisë së dobët.

AAK, sipas Gjinit është për privatizim por jo për një privatizim i cili tani po ndodh. Ai ka shtuar se një prilli është ditë feste e Qeverisë, prandaj ai e ka uruar ekzekutivin për këtë ditë.

Kurse, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka kritikuar debatin e kryeministrit i cili u përqendrua në zhvillimin e Komunës së Prishtinës. Ai tha se nëse janë komunat ato që duhet të bëjnë zhvillim ekonomik në vend, atëherë pse ekziston Qeveria qendrore dhe pse ministrat merren me këto çështje.

Sipas Ymerit, në Kosovë më shumë ka biznese që po mbyllen se që po zhvillohen dhe varfëria e papunësia po rritet. “Rritja ekonomike po zbërthehet në rritje për disa kompani, të lidhura me qeverinë, dhe nuk po rregullohet mirëqenia sociale”, theksoi Ymeri.

Në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës për Kosovë të Re, Myzejene Selmani ka thënë se AKR në përgjithësi nuk është e kënaqur me disa zhvillime ekomomike, raporton Kosovapress.
Ajo ka thënë se ka ngecje në disa sektor dhe i ka kërkuar Qeverisë që të ketë politika më konkrete sa i përket çështjes ekonomike. /Telegrafi/