Të njohim diabetin, simptomat, si mund kurohet dhe të parandalohet
Më 14 nëntor ishte edhe Dita Botërore e Diabetit. Kjo datë u vendos në vitin 1991 nga Federata Botërore e Diabetit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, në Kongresin Botëror të diabetit.
Dita botërore e diabetit ka për qëllim informimin dhe sensibilizimin e popullatave për të njohur këtë sëmundje e cila po rritet çdo vit. 14 Nëntori, si dita botërore e diabetit është vendosur për nder të ditëlindjes së Frederik Banting i cili së bashku me Charles Best, dy shkencëtarë kanadezë, arritën të izolojnë nga pankreasi i qenit insulinën e cila ndryshoi dhe shpëtoi jetën e diabetikëve në mbarë botën.
A është diabeti një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike?
Diabeti për fat të keq po kthehet në një “pandemi” globale. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë Diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo dhjet vjet. Në botë sot numërohen 200 milion diabetikë dhe në vitin 2025 mendohet të jenë 330 milionë diabetikë, apo 6,3 % e popullsisë së botës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rritet me 50%.
Mjafton të nënvizohet fakti i publikuar së fundmi që në çdo 10 sekonda në botë shtohen dy njerëz të tjerë me diabet dhe se çdo 10 sekonda vdes një njeri nga shkaqe që lidhen me diabetin. 80% e njerëzve me diabet jetojnë në vendet me të ardhura të pakta dhe të mesme dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme në këto vende do të rritet me 80%. Në vendet e zhvilluara diabeti dhe numri më i madh i diabetikëve haset në mosha mbi 65 vjeç. Ndërsa në vendet në zhvillim diabeti dhe numri më i madh i diabetikëve haset në moshat 45-64 vjeç, por vitet e fundit diabeti tip 2 po takohet më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku i diabetit që po prek moshat që janë aktive për punë.
Prevalenca e Diabetit në Shqipëri në popullatën adulte është 1.25%, që do të thote se kemi afërsisht 40 mijë diabetike të njohur. Në fakt numri duhet të jetë 2-3 herë më i lartë, pasi në disa depistime të kryera në Tiranë (2004,2006, 2008, 2009, 2010) prevalenca e Diabetit të pa diagnostikuar ka qenë 3-4%, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë.
Nga këta 10% janë diabet tip 1 dhe 90% janë diabet tip 2. Mosha më prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku i diabetit që po prek moshat që janë aktive për punë, por kambanat po bien sepse forma e diabetit 2 po takohet edhe tek fëmijët. Pra të dhënat na tregojnë se diabeti ka kosto të lartë sociale, nëse ka një person në familje me diabet e gjithë familja preket dhe ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje. Diabeti është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt ka kosto të lartë shëndetësore mbasi,Diabeti është një nga shkaktarët kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare, jep verbim,sëmundje të veshkave,infeksione urinare, amputime të këmbëve, etj. Por diabeti ka edhe kosto ekonomike sepse diabetiku kërkon medikamente, trajtime,ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me 2-2,5 herë. Diabeti është një sëmundje me zhvillim të ngadaltë, dhe shpesh të ”heshtur” kështu thelbësore është sensibilizimi, informimi i komunitet për njohjen e diabetit. Ndaj edhe këtë vit tema e ditës botërore është informimi dhe sensibilizimi, në mënyrë që njerëzit të dinë sa më shumë se çfarë është diabeti, shenjat e tij, si diagnostikohet, a mund të parandalohet, kush rrezikon, etj.
Por çfarë është diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit?
Diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak, për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulinë ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo pamundësisë e veprimit të insulinës në qelizat e organizmit. Sheqeri, që është burim energjie, për t’u përdorur ka nevojë për insulinë. Nëse insulina nuk prodhohet ose nuk funksionon mirë, sheqeri nuk thithet dhe rritet niveli i tij në gjak.
Sa forma diabeti ka?
Diabeti i sheqerit është në fakt një sëmundje e vetme, dhe karakterizohet nga çrregullimi i prodhimit të insulinës. Format e diabetit janë:
Diabeti tip 1 haset në rreth 10-15 për qind të të sëmurëve me diabet. Edhe në vendin tonë diabet tip 1 haset deri në 10 % të rasteve me diabet. Ai shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës. Pacientët me Diabet tip 1, nuk mund të jetojnë pa insulinë, ndaj ky tip diabeti është quajtur insulinovartës. Diabeti tip 1 takohet kryesisht tek fëmijët dhe moshat e reja. Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi papritur, shpejt, zakonisht mbas ndonjë gjendje virale, zbulohet me lehtësi, sepse shoqërohet me shenjat klinike karakteristike, që e shqetësojnë të sëmurin dhe e çojnë te mjeku apo e detyrojnë të bëjë analizat.
Diabeti tip 2 është shumë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet. Në këtë tip diabeti kemi prodhim jo në sasinë e duhur apo në kohën e duhur të insulinës. Diabeti tip 2 shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç, por ai po haset gjithnjë dhe me shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë dhe obeze. Ai përparon shumë ngadalë, shpesh herë i heshtur, pa treguar shenja për shumë vjet me radhë dhe zbulohet më me vështirësi. Ky tip diabeti nuk kërkon mjekim me insulinë por kërkon “zbllokimin” e insulinës së trupit nga faktorët që e pengojnë atë të veprojë, si mbipesha, obeziteti
Diabeti i shtatzënisë, tip diabeti që shfaqet gjatë shtatzanisë. Ai ndodh në 2%-5% të grave shtatzëna dhe mund të avancojë ose të zhduket pas lindjes. Diabeti i shtatzanisë është plotësisht i kurueshëm por kërkon një mbikëqyrje të rreptë mjekësore gjatë shtatzanisë. Rreth 20%-50% e grave të prekura zhvillojnë diabet të tipit të dytë apo kanë rrezik të lartë për të bërë diabet tip 2 më vonë në jetë. Gratë shtatzëna duhet të kontrollojë gjithmonë gliceminë, sidomos nëse në familje ka një diabetik.
Tipi i Diabetit që takohet më shumë është diabeti i tipit 2. Në çdo 10 persona me diabet 9 kanë tipin 2 të diabetit ose 90% e diabetit është diabet tip 2.
Përse ka një rritje të numrit të diabetikëve?
Diabeti tip 2 është rrjedhojë e mënyrës jo të shëndetëshme të jetës. Njerëzit kanë ndryshuar mënyrën e jetesës në një jetë pa shumë aktivitet fizik dhe ushqehen me ushqime me kalorazh të lartë dhe me shumë yndyrna, ndaj mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, obeziteti janë ndër faktorët kryesorë shpërthyes të sëmundjes së diabetit.
Kush mund të preket nga diabeti?
Diabeti mund të prekë çdo njeri. Në diabetin tip 2, shenjat e tij mund të jenë më të zbehta apo edhe mund të mungojnë për shumë vjet. Por faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë: Trashëgimia, apo personat me familjarë me diabet janë më të predispozuar apo kanë mundësi për të bërë diabet më shumë se te tjerët dhe kjo varet nga mënyra e tyre e jetesës; moshat mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak,mungesa e aktivitetit fizik,ushqyerja jo e shëndetshme, tensioni i lartë i gjakut,konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri,gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme,personat që bëjnë infeksione të shpeshta, gratë me mukoza të vazhdueshme gjenitale ,etj.
Cilat janë shenjat e diabetit?
Shenjat e diabetit janë:
-Etje e shtuar, pra pirje uji në sasi të madhe
-Urinim i shpeshtë/dhe në sasi të madhe ditën dhe natën
-Tharje goje
-Shtim oreksi, por që shoqërohet me humbje peshe
-Lodhje më tepër se zakonisht
-Dhimbje stomaku
-Shikim i mjegullt
-Mungesë e theksuar përqendrimi
-Mpirje e duarve ose e këmbëve
-Plagë të ndryshme që mezi mbyllen
-Infeksione të ndryshme.
-Nuk duhet harruar asnjëherë se në shumicën e rasteve, diabeti tip 2 mund të mos shfaqë fare shenja, mund të rrijë i heshtur për vite me radhë, dhe vetëm kur sëmundja e diabetit ka përparuar, shfaqen një sërë shenjash klinike, të cilat janë tipike dhe lehtësojnë shumë zbulimin e diagnozën e saj.
A jep ndërlikime diabeti?
Diabeti është nga të paktat sëmundje që arrin të prekë e të dëmtojë heshturazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore të trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjakut , duke krijuar aksidente dramatike e tragjike,nëse ai nuk mbahet nën kontroll. Diabeti jep ndërlikime si në enët e vogla të gjakut, në kapilarët e arteriet shumë të vogla por jep edhe ndërlikime aterosklerotike në enët e mëdha të gjakut.
Diabeti jep komplikacione në sy, këmbë, zemër, veshka dhe në tru, nëse shifrat e sheqerit në gjak nuk mbahen afër vlerave normale diabetit. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet i sëmuri të jetë me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj, pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta, më të përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime.
Dëmtimet në sistemin kardiovaskular,të cilat përbëjnë rreth 60% të të gjitha vdekjeve të diabetikëve. Rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-3 herë më i lartë tek njerëzit me diabet tip 1 ose 2.
Dëmtimet në sy apo Retinopatia diabetike është ndër ndërlikimet më të hershme e më të shpeshta të tij dhe shkaku më i shpeshtë i verbimit, Ky ndërlikim nuk zhvillohet për një ditë dhe as për një vit,pra duhen vite të tëra që retina të arrijë të prishet e të humbasë pamjen.
Ndërlikimet në veshka apo Nefropatia diabetike zhvillohen paralelisht si tek ndërlikimet në sy. Megjithate ky ndërlikim shfaqet jo menjëherë, madje është më i ngadaltë dhe shfaqet më me vonesë se retinopatia.
Ndërlikimet nervore apo neuropatitë e diabetit që përfaqësojnë dëmtim e vuajtje të nervave nga kjo sëmundje. Ndërlikimet në sistemin nervor të sëmurëve me diabet shkaktohet nga dëmtimi i kapilarëve ushqyes të nervave dhe sidomos nga grumbullimi i tepërt i sheqernave brenda vete qelizave nervore. Pacientëve me diabet u ulet ndjeshmëria ndaj të ftohtit, të nxehtit u dëmtohen reflekset dhe mund të cojë deri në shfaqjen e gangrenës në këmbë, e cila njihet me emrin Këmba Diabetike.
Si mund ta merrni vesh nëse keni diabet?
Pas ngrënies,pjesa më e madhe e ushqimit shndërrohet në glukozë (sheqer) i cili është burimi kryesor i energjisë për organizmin. Tek personat normalë apo pa diabet niveli i sheqerit në gjak qëndron brenda shifrave normale 70-120 mg/dl sepse pas ngrënies, Insulina çlirohet në sasinë dhe kohën e duhur duke mbajtur kështu sheqerin në shifrat normale.
Për të vendosur diagnozën e diabetit dy janë analizat laboratorike që kryhen: Matja e glukozës, sheqerit në gjak para ngrënies në mëngjes; Testi i tolerancës së glukozës, ku mbasi merret nga goja të 75 gr sheqer, matet niveli i sheqerit në gjak çdo 2 orë.
Ndërsa matja e hemoglobinës së glukozuar, Hba1c, përdoret kur diabeti është diagnostikuar. dhe përdoret për të matur sheqerin në gjak dhe kontrolluar atë në 2-3 muajt e fundit. Hba1c e barabartë apo më e vogël se 6% është normale. Ndërsa HbA1c më e madhe se 6,5% është një kriter i diagnozës së diabetit. Pacientët me diabet duhet të kenë një vlerë të HbA1cmë të vogël se 7%.
Por më e rekomandueshme është matja e glukozës në gjak esëll në mëngjes dhe një ripërsëritje mbas një dite. Nëse testi i depistimit kryhet me kujdes zbulon, ai individët me diabet tip 2që në faza të hershme, kur nuk ka akoma shenja të dukshme të tij.
Rezultati mund të quhet pozitiv nëse glicemia në gjak para ngrënies është e barabartë ose më shumë se 126 mg/dl ;ose testi i tolerancës së glukozës është i barabartë ose më shumë se 200mg/dl dhe nëse glicemia para ngrënies është midis 110-125 mg/dl bëhet fjalë për Pre-diabet apo Tolerancë e dëmtuar e glukozës.
A mund të parandalohet diabeti?
Që të shfaqet diabeti duhen të kombinohen dy faktorë, si trashëgimia dhe faktorët që rrisin rrezikun për tu bërë diabetikë.M oshën apo trashëgiminë ne nuk mund ti ndryshojmë por faktorët që rrisin rrezikun për tu bërë diabetikë, si mbipesha, obeziteti, duhanpirja, jeta sedentare, ushqyerja me shumë kalori, etj, mund të bëhet shumë.
Diabeti është i parandalueshëm. Për parandalimin e tij duhet të kemi parasysh disa këshilla:
-Bëni kontrolle të rregullta të sheqerit në gjak, 1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e rrezikuar, ndërsa të tjerë 1 herë në 3 vjet.
-Kontrolloni rregullisht tensionin e gjakut.
-Mbani peshën nën kontroll.
-Bëni aktivitet fizik, 30 min të paktën në 5 ditë të javës.
-Pakësoni yndyrnat në ushqim,sidomos ato shtazore.
-Përdorni ushqime të pasura me fibra, si fruta, zarzavate,etj.
-Mos përdorni duhan, alkool.
A mund të shërohet diabeti?
Diabeti duke qenë sëmundje kronike nuk shërohet, por kurohet. Nëse kontrollohet mirë të lejon të bësh jetë normale.