Eko Higjiena

Të mjerët

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Imer Mushkolaj – Ka profesorë e politikanë që për gjendjen e mjerë në Universitetin e Prishtinës fajin përpiqen t’ua lënë studentëve e qytetarëve që protestojnë, e jo mjeranëve që e kanë sjellë UP’në në këtë situatë. Vlerësim më të pështirë s’kam parë as dëgjuar. Armiqtë e UP’së janë brenda tij e nëpër institucione, jo në mesin e qytetarëve.

Vetëm ata që nuk duan të shohin as dëgjojnë nuk pajtohen me një fakt: gjendja në Universitetin e Prishtinës është dëshpërimisht e keqe. Dhe fajtore kryesore për këtë është politika, e cila tash sa vjet e ka kthyer UP’në në çerdhe matrapazllëqesh e pazarllëqesh të ulëta, e jo në qendër studimi e shkence. Fajtorë për këtë janë edhe profesorët, shumica dërmuese e të cilëve shkaku i interesave të ngushta nuk e ka ngritur asnjëherë zërin për “kasaphanën akademike” brenda UP’së. Fajtorë jemi të gjithë ne që nuk kemi reaguar me kohë, fuqishëm, për ta mposhtur të keqen.

E në mesin e profesorëve ka edhe të atillë që, mbase duke e ndjerë fillimin e shembjes së sistemit të instaluar nga komandantë e “të fortë” të tjerë brenda universitetit, nuk ngurrojnë të përdorin gjuhë raciste e fashiste, për t’i etiketuar të gjithë ata që guxojnë të çojnë zërin kundër rektorit Ibrahim Gashi dhe skandaleve në institucionin që ai udhëheq.

Në mesin e profesorëve e politikanëve ka edhe të atillë që armiqtë e UP’së përpiqen t’i gjejnë në mesin e qytetarëve që protestojnë, e të cilët e mbajnë universitetin me taksat e tyre, kur në fakt armiqtë e vërtetë janë brenda vetë UP’së dhe në krye të institucioneve. Ka edhe të atillë që protestuesit i etiketojnë si “bij të shkinave”, të paguar nga Serbia, të shitur, udbashë e bij udbashësh.

Por, fajtorë për përdhosjen e universitetit nuk janë ata që janë çuar dhe po e çojnë zërin për maskarallëkun në UP, por ata që e kanë përdhosur institucionin, kanë mashtruar e janë bërë horë.

Fajtorë janë ata që me vetëdije të plotë janë bërë pjesë e sistemit korruptiv të gradimeve e avancimeve.

E ata që protestojnë, përpara se të jenë studentë, përfaqëues të OJQ’ve e të mediave, ose anëtarë partish politike, janë qytetarë që kërkojnë një universitet të lirë e dinjitoz, e jo të kapur nga politika e partitë, nga keqpërdorues e mashtrues.

Për mua, dëm më të madh UP’së i shkakton politika që e ka kapur e ngulfatur këtë institucion, sesa elementë partish politike që mund të protestojnë bashkë me studentët. Tekefundit, protestuesit nuk po kërkojnë të marrin “pushtetin” në UP, por po kërkojnë largimin e atyre që aty janë vënë me direktiva të pushtetit – po kërkojnë që UP të spastrohet nga njerëz të pushtetin, të cilët këtë institucion e kanë sjellë në gjendje të mjerë.

* * *

Uji Dea

Ata që nuk kanë asnjë argument për ta mrojtur rektorin Ibrahim Gashi, shajnë e fyejnë të gjithë të tjerët që kërkojnë largimin e tij. Në vend që të merren me problemin, merren me ata që kërkojnë zgjidhjen e problemit.

Por, a e zgjidh problemin e madh të quajtur UP largimi i rektorit? Jo, natyrisht. Dorëheqja ose shkarkimi i tij është vetëm fillimi i zhbërjes së gjithë sistemit korruptues, të mveshur me petk akademik, e të instaluar nga politika.

Rektori Gashi po vazhdon të qëndrojë në post, sepse ashtu i është thënë nga ata që e kanë vendosur aty. Nga ata që e kanë shfrytëzuar, me vullnetin e tij, për të kryer hesape brenda UP’së.

Më e pakta që Gashi do të mund ta bëjë është që të jep dorëheqje. Në mos për asgjë tjetër, të paktën si akt moral. T’i vijnë njeriut mysafirë dashamirë çdo ditë dhe nuk ndihet rehat, lëre më t’i protestojnë qindra vetë çdo ditë poshtë dritares, duke kërkuar largimin e tij.

Sa për vlerësimin e dhënë nga Këshilli Drejtues i UP’së se rekomandimi i një pjese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për dorëheqjen e këtij këshilli qenka ndërhyrje flagrante në autonominë e universitetit, vetëm duhet thënë se ndërhyrje më flagrante në autonominë e UP’së sesa me imponimin e Ibrahim Gashit rektor nuk ka pasur. Të mos flasim për të tjera skandale që e kanë kapluar universitetin, për të cilat po ky këshill vendosmërisht ka heshtur.

* * *

Rektorin Ibrahim Gashi nuk e lënë të jep dorëheqje. Por mund ta shkarkojnë fare lehtë, ashtu siç e imponuan me lehtësi të padurueshme në krye të UP’së, si pjesë e pazareve politike PDK-AKR.

Gabojnë ata që mendojnë se edhe kësaj radhe do t’i heshtin protestat. Sepse përtej politikës e partive, kemi të bëjmë me një institucion që na takon të gjithëve. Edhe oportunistët më të mëdhenj do të duhej të pranonin se beteja për pastrimin e UP’së nga dallaveret dhe politika nuk është betejë e një partie politike a një grupi individësh “të shitur”. Beteja për UP’në është betejë për dinjitetin qytetar, betejë për të ardhmen. Beteja për UP’në është betejë për fillimin e fundit të zhbërjes së një sistemi që qytetarët i bën t’iu vijë turp që jetojnë në këtë vend.