Fidanishtja

“Të mjerët” dhe budallenj të tjerë

/ 12 minuta lexim

Nga Halil Matoshi- Përderisa më 2012 Kosova del e nënta në botë për nga varfëria (sipas “Business Insider”), ndërsa shumica e shtetasve të Kosovës nuk jetojnë nga puna e vet dhe 44.9 për qind janë të papunë (sipas regjistrimit të popullsisë – statistikave të Kosovës), Qeveria e Kosovës vazhdimisht e ka manipuluar publikun duke pretenduar se papunësia reale është nga 25 – 38 për qind (sipas Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale)

Pyetjes së bërë në një Blog në Internet se cili libër ua ka ndryshuar jetën dhe cili u ka mbetur në fyt, dhe s’e keni mbaruar dot?, një lexuese i përgjigjej: “’Të mjerët”, nuk e lexoj dot më, ngase më kujton gjendjen e dëshpëruar ku më futi atëherë. U mundua babi të ma hiqte nga dora kur më pa ç’po lexoja, po shumë vonë”.Ndoshta autorit frëng, Victor Hugo, i mungonte sensi i masës dhe humori i mirë dhe kjo shihet ashiqare në idetë e tij të ekzagjeruara, por megjithatë tek “Të mjerët” (titulli origjinal “Les Miserables” (1862), ai të prekë shpirtin. Ligji i njeriut është që të bëjë sa më pak që është e mundshme gjynahe – të mos bëjë fare, ky është mision engjëjsh.

Hygo po na thoshte se mëkatet e mëdha bëhen në errësirë të thellë. Ai që e ka bërë mëkatin, nuk është fajtor, po ai që krijon errësirën, si peshkopi Bienveny.

Ky roman konsiderohet më i famshmi i shekullit 19, por jehona e tij na i zhbiron veshët edhe sot, si manifest që hulumton natyrën e të mirës dhe së keqes, krimit dhe dënimit, (pa)drejtësisë…

Romani kryesisht merret me jetën dhe bëmat e protagonistëve realë, si Jean Valjean – ish i dënuar – i cili është duke u përpjekur që të shpjegohet dhe Eugene Francois Vidocq, polic – ish-kriminel famëkeq – i cili përpiqet që të justifikohet.

Pas një shekulli e gjysmë prej se është shkruar “Të mjerët”, të duket se ata kanë çfarë të thonë sot në Kosovë, ku njëra palë bëjnë përpjekje për t’u shpjeguar pse janë aq injorantë dhe të rrezikshëm dhe një palë që bëjnë përpjekje për t’u arsyetuar pse ishin ose janë aq mizorë.

Pala e tretë (lexuesit ose qytetarët e rëndomtë) janë ose vëzhgues pasivë të mjerimit, pra budallenj, pengje të mjerimit ose zëra të vetmuar në shkretëtirë.

Ku dua të dal?

Këto ditë një ekspeditë e madhe zyrtarësh institucionalë që shquhen si llafologë injorantë ( u tha të ishin 50, 30 apo 23 veta, kjo fare s’ka rëndësi) mësynë New Yorkun që t’i jepnin zë Kosovës në East River dhe u tha se ata, pos që shuajnë kureshtjen naive haneve e honeve newyorkeze, edhe mund ta takojnë ndonjë tip çatipi të OKB-së nëpër korridoret e kësaj selie.

U tha se kryetarja dhe kryeministri ishin takuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së për një fotografim, ”e ç‘në , pra”? – thonë çamët – kur ky burri i botës, e cilëson kryetaren si shefe të autoritetetit kosovar, ngjashëm siç konsiderohen liderët palestinezë në “Qeverinë e botës”.

Dhe paria e vendit do të jetë takuar – sa më sy e faqe – edhe me ndonjë nga burrat e ose gratë e shteteve mike të Kosovës, por kjo nuk i ndreq shumë punë vendit që kërkon njohje dhe afirmim në OKB, përderisa liderët kosovarë nuk kanë kërkesa, për askënd dhe për asgjë!?

As për miqtë dhe as për armiqtë!?

Sepse për të pasur një kërkesë të vetme – duhen dy kokrra mend!

Ndonjë hajgaregji në Prishtinë po thotë se paratë janë për t’u harxhuar, duke porositur që të mos qortohen përfaqësuesit e Kosovës heroike, kësaj here në askund.

OK, po e zëmë se paratë janë për t’i bërë “rrush e kumbulla” mirëpo duhet pasur parasysh faktin se varet kush, ku, për çfarë dhe, paratë e kujt i shpenzon.

Mastrafgjinjtë nuk janë të paqtë as para Zotit, as para robit!

Po mirë, le të shpenzojnë thasë të tërë parash, po lë të dalë dikush prej atij tabori të grave dhe burrave që e mësynë New Yorkun, si një tufë pelegrinësh (e që krijonin imazhin e një tufe kojrrilash në mjegull) para qytetarëve e të thotë, për çfarë u bë gjithë ai harç?

A ka ndonjë të mirë publike si shpagim për metalikët e shpenzuar të arkës së shtetit?

Cili është rezultati?

S’ka! Ishte një sorollatje koti dhe kohë pazaresh tjera (që kjo klasa e lartë e kosovarëve e cilëson si ‘shopping’.)

Por ja që kanë bërë hesape pa hanxhiun – nëse taksapaguesit si qytetarë të edukuar, pra populli do të ishte vërtet sovrani, sepse ato para do t’ua nxirrte për hundësh!?

Por… Por çka?

Dhe për këtë hesap, nga New Yorku, “Të mjerët” përmes rrjeteve sociale si facebook, mund të marrin ndonjë “selam”: “Përshëndetje popull”, nga Astriti dhe Endriti dhe të lumturohet! I pari është bashkëshorti i kryetares e i dyti i biri i kryeministrit.

Faleminderit Endritit, për përshëndetjen!

Derisa në Prishtinë, vetëm për ushqim normal një personi i nevojiten 3 euro e 1 cent në ditë, apo 93 euro në muaj, një familje me 6 anëtarë do të duhej të shpenzonte 558 euro për bukë, prandaj në Kosovë edhe familjet që kanë të ardhura mesatare llogariten si të varfra dhe nuk mund të ushqehen mirë. (Kurse paga minimale në Kosovë është 170 euro, ndërsa mesatarja 370 euro.)

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, papunësia e lartë ka bërë që 34 për qind e popullsisë në Kosovë të jenë të varfër dhe të jetojnë me 1.5 euro në ditë, kurse 12 për qind në varfëri të skajshme me vetëm 1 euro në ditë.

Pra në Kosovë burimisht del se mund të hanë sa të duan vetëm njerëzit e veshur me pushtet!

Të tjerët janë të kequshqyer, për ibret!

Së këndejmi ana e errët e kësaj telenovele është tallja me publikun, që është ose keqdashje (krim me paramendim) ose hakmarrje nga instinkte të ulëta!?

Në Time Square, New York, InterContinental Hotel, ku do të jetë vendosur ekspedita kosovare kostoja e akomodimit sillet nga $297 (ekuivalent me 229 euro) për një natë.

Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë matematike, kostoja njëjavëshe e këtij udhëtimi prej 30 vetash kap shifrën prej 135. 910 euro.

Edhe më shkoqur, një vizitë e një zyrtari kosovar për 7 ditë jashtë shtetit bën koston e jetesës njëvjeçare për tetë kosovarë!

Ndërkaq vizita e 30 vetave (sa ishte ekspedita aktuale e zyrtarëve kosovarë në East River) për një javë kap koston e 2.174 pensioneve, ose vetëm akomodimi për një zyrtar në InterContinental për një natë arrin koston e katër ndihmave e gjysmë, sociale! Ectr.

Hidromorava

Me gjithë fshehjen e fakteve nga Qeveria (MPMS) nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë doli se Kosova vazhdon ta mbajë titullin e “kampionit” për shkallën më të lartë të papunësisë në Ballkan.

Bazuar në statistikat e institucioneve ndërkombëtare (1 maj 2012) Kosova kishte shkallën konstante të papunësisë prej 45 për qind, ndonëse për Ministrinë e Punës papunësia nuk është më e lartë se 38 për qind.

“Në bazë të statistikave që ka ministria, shkalla e papunësisë është 38 për qind”, pati thënë më 1 maj 2012 Behxhet Gaxhiqi, zyrtar i këtij dikasteri.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale (MPMS), numri i punëkërkuesve aktivë të regjistruar në MPMS në fund të vitit 2011 ishte 325.261 punëkërkues të regjistruar. Kjo paraqiste rënie prej 3 për qind në numrin e punëkërkuesve krahasuar me fundin e vitit 2010. Bazuar në këso statistikash të “krehura” nga kjo ministri, në muajin shkurt të këtij viti në Kosovë ishin regjistruar mbi 276 mijë të papunë, prej të cilëve 134 mijë femra.

Demek numri i atyre që gjejnë një punë po rritet!?

Rrena s’ka brirë.

Bazuar në raportin e regjistrimit të popullsisë, prej 508.100 banorëve që janë të aftë për punë, 44.9 për qind janë të papunë.

Kosova ka 227.646 banorë të papunë, përderisa të punësuar konsiderohen 280.454 persona.

Një qytetar që ka arritur moshën e pensionimit (65 vjet) nga shteti merr vetëm 45 euro në emër të pensionit (pensioni mesatar në Kosovë është 62,5 euro, ndërsa në Shqipëri 163 euro, e në Maqedoni -162 euro), nën supozimin se ai e ka të zgjidhur çështjen e banimit, nuk shpenzon për barna dhe jeton i vetëm, atëherë ai normalisht do të mund të ushqehet vetëm 15 ditë.

E për dy javë të tjera, ai duhet të hajë lirinë e Kosovës!?

Klasa politike që është në pushtet në Kosovë, votohet edhe për sebepin se pandehet të jetë lirisjellëse për këtë popull.

Që liria nuk jep bukë – shkruan Giovanni Sartori – është e vërtetë. Që nuk interesohet për ata që janë të uritur është thuajse po aq e vërtetë (jo plotësisht, sepse, të paktën, liria lejon që të kërkohet bukë. Po, nëse buka është gjithçka për atë që s’e ka, sapo sigurohet, bëhet hiç (ose thuajse.)

Derisa ekonomia greke (vetë grekët e kishin shpikë këtë shprehje që shqip i bie ‘zotshpillëk’) është në telashe të mëdha, ndërsa dëshpërimi i popullit është i lartë dhe masat i janë turrë lidershipit për llogaridhënie, megjithatë, shteti helen nuk është në mesin e 50 vendeve më të varfra në botë, sipas “Business Insider”. E në anën tjetër po sipas kësaj agjencie (Rezultatet janë të bazuara në të dhënat e “CIA World Factbook”, ku vlerësohen shifrat për shtete dhe territore që nuk kanë agjenci të besueshme lokale të raportimit) kosovarët ndonëse të nëntit në botë për nga fukarallëku, na dalin të jenë ndër popujt më optimistë në botë, prandaj edhe nuk kërkojnë llogari nga ata që i kanë zgjedhur, as kur taksa e tyre shkon në ahengje.

Indeksi i shkallës së varfërisë në Kosovë, sipas “Business Insider”, është 53.6%, inflacioni i Indeksit të Çmimit të Konsumit, 8.3%, ndërkaq papunësia është 45.3%.

Kosova e qeverisur nga PDK-ja që krenohet për qeverisje të mirë është në shoqëri me vendet si Afganistani (19), Bosnja e Hercegovina (17), Kenia (13), Bjellorusia (10), Namibia (6), ndërkaq Zimbabve radhitet i pari në listë, si vendi më i varfër në botë.

Para publikimit të të dhënave nga regjistrimi i popullsisë, zyrtarë militantë të PDK-së dhe analistët e kryeministrit Hashim Thaçi deklaronin me ngulm se Kosova nuk e ka kuotën e papunësisë më të lartë se 25% dhe secili që provonte të dëshmonte të vërtetën kontestohej nga kjo Qeveri, se po shpërndante konstatime joprofesionale të njerëzve që nuk shohin asgjë të bardhë në Kosovë, njerëzve të frustruar etj.

Thjesht propagandë e “armikut të brendshëm”!?

Po sot?

Të dhënat statistikore të regjistrimit zbulojnë se Kosova ka papunësi prej 44%.

Sidoqoftë, papunësia prej 44% (e njëjtë sikurse para 5 vjetëve) dëshmon se të dyja Qeveritë Thaçi nuk hapur asnjë vend pune, pos në sistemin korruptiv politik dhe në administratë publike.

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës, përderisa vetëm 6.000 vende të reja të punës hapen në vit.

Por nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë del edhe një e dhënë tjetër për Librin e Guinnesit, se shumica e kosovarëve nuk jetojnë nga puna, sepse po të ishte puna burim i vetëm i jetesës, 1 milion 350 mijë kosovarë do të ishin në zi buke!

Duket se shumica prej tyre mbështeten te të tjerët (sidomos në diasporën kosovare) për ta siguruar ekzistencën.

Këto të dhëna dëshmojnë se mbi 922 mijë persona të regjistruar si banorë të Kosovës, burim kryesor të jetës e kanë mbështetjen nga persona të tjerë. Rreth 20 për qind e kosovarëve, apo rreth 92 mijë kosovarë burimin kryesor të të ardhurave familjare e kanë nga dërgesat e bashkatdhetarëve. Rreth 112 mijë persona burim të jetesës e kanë pensionin (45 – 79 euro), ndërsa 84 mijë e 683 jetojnë nga ndihma sociale, që mesatarisht marrin prej 50-80 euro.

Edhe këto shifra mjerimesh e kompletojnë lejenjoftimin e kosovarit të mjerë që ditët dhe netët i kalon në errësirë, matematikat dhe gramatikat i ka të mjera…

Sepse nuk ka asnjë kërkesë për ata që i zgjedh.

Nëse edhe viktima, edhe xhelati janë të tillë, të mjerë, si personazhet Valjean – ish i dënuar dhe Vidocqi polic, për shkak të rrethanave politike dhe historike, në sprovat e tyre, në këtë tregim, publiku kosovar, përkatësisht ne qytetarët, pos të mjerë si liderët, del të jemi edhe budallenj…

A ka kush që vë dialog normalë me këtë Qeveri, (ose të themi me këtë model qeverisës, që të mos ndërlidhet çdo gjë me persona konkretë), dhe t’i bindë se e kanë tepër keq.

Se nga liridashës janë shndërruar në liringrënës.

A marrin vesh nëse u themi, shpjegimet e tyre se e duan këtë atdhe janë gënjeshtare dhe hajdute!

Sepse ata janë krijuesit e errësirës…

Apo që të gjithë jemi shndërruar në personazhe të Victor Hugosë!?

Të mjerët na!