Fundamenti

Të lirë nga tatimet

/ 3 minuta lexim

Prishtinë -Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka të dhëna për numrin dhe llojet e bizneseve, të cilat ende nuk janë futur në sistemin fiskal. Ekspertët e ekonomisë thonë se identifikimi i bizneseve që ende nuk janë pjesë e sistemit fiskal mund të verifikohet fare lehtë.

Edhe pse Administrata Tatimore e Kosovës që një kohë ka filluar me zbatimin e sistemit fiskal tek bizneset, ajo ende nuk ka të dhëna zyrtare se sa biznese dhe cilat lloje prej tyre janë ende të patatueshme.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, i ka thënë Kosovapress-it se nuk kanë të dhëna në këtë drejtim, por ka shtuar se ATK-ja e ka një plan të veprimit.

Haliti: Nuk kemi të dhëna për bizneset e patatueshme

“Administrata Tatimore në fakt nuk ka shifra sa janë bizneset të cilat janë të paregjistruara dhe të patatueshme, mirëpo ka një plan të veprimit, i cili është i planifikuar në faza prej informimit, vetëdijesimit dhe identifikimi i tyre dhe regjistrimit, qoftë përmes broshurave, aktiviteteve në terren apo edhe informatat nga palët e treta. Ne sapo të identifikojmë do t’i regjistrojmë dhe më pastaj u tregojmë për obligimet ligjore të cilat i kanë”, ka thënë ai.

Uji Dea

Sipas tij, bashkëpunimi me agjencitë e tjera, si Agjencioni për Regjistrim të Bizneseve, Doganat, Trusti Pensional, bëjnë që ATK-ja më shpejt t’i identifikojë dhe të vlerësojë bazën reale për tatime.

Ndërsa, njohësi i ekonomisë nga instituti GAP, Agron Demi, ka thënë se ATK-ja nuk ka arsyetim lidhur me mungesën e statistikave mbi bizneset që janë ende të patatueshme. Kjo, sipas tij, është fare e lehtë për t’u bërë, duke e marrë listën e bizneseve që janë në sistemin fiskal dhe pastaj mund të identifikohen se cilat lloje të bizneseve janë ende të pa tatueshme, apo që janë jashtë këtij procesi.

“Arsyetimi i ATK-së nuk qëndron, për shkak se nëse merret regjistri i bizneseve dhe shikohet se cilat prej tyre janë të fiskalizuara, pastaj shikohen se cilat prej tyre kanë marrë makinë fiskale është shumë lehtë e identifikueshme që dihet se cilat biznese ende nuk janë pajisë qoftë me numër fiskal, qoftë me makinë fiskale dhe kjo është shumë e lehtë për t’u verifikuar”, thekson Demi.

Mirëpo Demi ka shtuar se procesi i fiskalizimit të bizneseve nuk është trajtuar si duhet, pasi që i është bërë një barrë e rëndë atyre duke e licencuar vetëm një kompani për arka fiskale, gjë e cila, sipas tij, ka krijuar monopol në këtë proces.

Ai ka shtuar se instituti GAP ka qenë një prej lobuesve që në tregun e Kosovës të fillojë lëshimi i arkave fiskale nga Administrata Tatimore e Kosovës për shkak se, siç tha ai, kanë konsideruar se në Kosovë ende është një ekonomi e hirtë, apo një informalitet i lartë në ekonominë e Kosovës për arsye të ndryshme, apo për shkak të kapaciteteve të vogla të Administratës Tatimore, qoftë për shkak të mossundimit të ligjit si duhet në disa pjesë të Kosovës. Kjo, sipas Demit, ka ndikuar që shumë biznese të mos paguajnë tatimet e tyre ndaj shtetit.(Express)