Të ka dalë yndyra z.kryeministër!
Nga Astrit Gashi – Sot ishim dëshmitarë edhe të një përpjekjeje të dëshpëruar të kryeministrit, për të qenë cinik e ngapak “funny”( hajgarexhi), ku tjetër përveçse në Kuvendin e Kosovës. Nuk qeshi askush e nuk u nervozua njeri.
Kryeministër, kjo do punë e njohje të zanatit.
Të kanë thënë edhe firmat këshilluese ndërkombëtare: përsëriti vetëm ato gjëra që i di!
Ke dështuar në Kosovë në të gjitha drejtimet, mos iu dështo edhe atyre, se ashtu siç nuk po hyn në histori të vendit, as ato nuk kanë me të përmend hiç në seksionin “Our Clients”!
Besoj që ti e di, njerëzit e fundit në rrethin tënd, që i njohim, e të cilët kanë pasur aftësi për të qenë cinikë, janë Dukagjin Gorani e Berat Buzhala. Për ta nuk arrite të krijoje vend, ose ata nuk mundën të pajtoheshin me ty, por më nuk i ke afër. Jo vetëm këta, por edhe shumë të tjerë. Zoti kryeministër, si thua, kur sot madje edhe disa kryetarë komunash tuaja, që në fakt janë nën hetime, nuk janë të kënaqur me qeverisjen tënde! Sot ti je i rrethuar me ata që në fakt dëshirojnë të jenë si ti- ti pra përreth nuk ke këshilltarë e ministra, por je i rrethuar me prodhime serike.
Mos më thuaj veç që artin e humorit, hajgares, të cinizmit e sarkazmit mendon se mund ta përfitosh, ta zëmë, nga Adem Grabovci apo Kamishi, pa dashur të ofendoj asnjërin nga ta.
Kryeministër, po mos të të kisha parë sot, krejt rastësisht, në Kuvend duke dështuar edhe njëherë në përpjekjet tuaja për t’u tallur me tinejxherët e politikës kosovare, besoj fort se nuk do të merresha me ty.
Janë këto fjalë të cilat në fakt nuk kam fare dëshirë që t’i them. Do të doja të ishe ndryshe, si kryeministër i vendit tim dhe imi. Por, z.kryeministër, këta 5 vjet të pushtetit të kanë tëhuajësuar. Nuk është se vetëm je plakur e thinjur, sepse siç e thua edhe ti nganjëherë, kështu jemi bërë gati secili që jeton nën pushtetin tënd, por ti sot nuk je më fare i pushtetshëm. Që të gjithë e dimë që ti sot nuk je kryeministër, nuk je ministër, nuk je kryetar i PDK-së dhe as nuk udhëheq fare me vendin. Asnjëherë nuk ke qenë më i lig, dhe kjo nuk më bën fare të lumtur!
Dikur ishe lider i opozitës, sot nuk je as “follower” i pushtetit. Sepse z.kryeministër, këto vite që ke qenë në pushtet ke dështuar totalisht. Secilin premtim që e ke dhënë nuk e ke mbajtur, saqë sot në fakt po lutemi që mos të premtosh më asgjë.
Mos thuaj që nuk do të ketë autonomi për veriun, meqenëse kjo është tema juaj e preferuar!
Nuk do të them asgjë të re më poshtë, asgjë që ti nuk e di, asgjë që qytetarët nuk e dinë, por rendi është për t’i numëruar disa nga synimet e premtimet që i ke përmendur, pa i realizuar kurrë. Janë shumë, por do t’i përmend vetëm disa. Të lus të reflektosh kur të bësh bilancin personal.
Pate thënë se Kosova do të jetë shtet i së drejtës, e nuk është. Pate thënë me gojën plot se qeverisja juaj do të jetë “ zero korrupsion”, e në fakt gjatë po kësaj qeverisjeje korrupsioni vetëm se është shtuar dhe shembujt i di. Pate thënë që do të ketë zhvillim ekonomik e investime të huaja, e ne sot jemi vendi më i varfër në Evropë, ndërsa investimet e huaja janë më të vogla se në vitin e fundit që ti ishe në opozitë. Pate thënë që brenda tre muajve të parë do t’i kemi 100 njohje, kanë kaluar 5 vjet dhe ende nuk jemi aty.
Pate thënë që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës do të na sjelle njohje të reja urgjente, dhe kjo nuk ndodhi. Thoshe se nuk e pranon fusnotën me asnjë kusht, por jo që e pranove, por edhe tentove ta mbrosh. Pate thënë që do të ndërtosh partneritet me miqtë ndërkombëtarë, e në fakt sot të paktën janë dy shtete të fuqishme evropiane që vendin e duan, por nuk të duan ty si kryeministër. Në fakt, sot krejt miqtë ndërkombëtarë do të të zëvendësonin, po të gjenin një tjetër që ua mbush mendjen. Nuk e ndërtove “Kosovën e Re” ( Termocentralin) dhe as nuk e privatizove PTK-në. Të kujtohen të gjitha këto!
T’i pranoj dy suksese: e ndërtove rrugën e kombit dhe përkundër dështimeve e mbajte pushtetin. Në fakt, z.kryeministër, shumëkush është bërë milioner në krahun tënd. A thua do të të falënderohen?
Nuk e di nëse e ke parë atë serialin anglez “Fools and horses”, që në gjuhën serbe (me serbët je duke negociuar, prandaj mos të të shkojëmendja të më quash tradhtar) e përkthenin si “Mucka”, e që ti e di mirë se çka janë. Dua të them se as në këtë, në “Mucka”, më nuk je i mirë sikur ishe dikur!
Zoti kryeministër, të ka humbur sharmi, të ka dalë yndyra. Buzëqeshja jote nuk është fare natyrale. Nuk je më drenicak, por nuk je bërë as prishtinali. Nuk ke qenë asnjëherë i majtë dhe nuk je bërë i djathtë. Ke qenë kryengritës e i pakompromis, sot nuk je bërë e kundërta e tyre. Vetëm ke qejf për të qenë, por ke mbetur në mes, aty ky nuk ka as bojë e as yndyrë.
Zoti kryeministër, ke arritur ta mbash pushtetin, është shumë e vërtetë, por e ke humbur veten. Nga një subject, dalëngadal je shndërruar në një objekt. Ke marrë strukturën e një makine.
Ky fakt nuk është për t’i gëzuar kundërshtarët tuaj politikë- opozitën- e cila duke të luftuar ty është bërë ngapak si ti. Po bëhet pak si ti, e madje edhe ti pak si ajo.
Për më tepër, si një makinë, je bërë më i vështirë për të mundur. Beteja në mes njeriut e makinës në kohën e sotme, fitohet nga makina. Prandaj edhe opozita juaj derisa të mos bëhet një makinë më e mirë se ju, zor se do ju mundë.
Njeriu, moti ka lëshuar politikën e këtij vendi. Nuk po flas vetëm për ju.
E ne si qytetarë kemi të drejtë të jemi të zhgënjyer, jo me atë që ke qenë dikur, por me atë se në çka je shndërruar. Dikur të mendonim ndryshe.
Në stilin tënd: Urime. Sukses.


