RCCOLA

Të hiqet tarifa e sigurimeve për Kosovën Lindore

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Arben Mehmeti shef i LDK-së ka kërkuar nga Qemajl Mustafa dhe Izmi Zeka që në seancën e radhës të Kuvendit komunal të nxirret një rekomandim që të kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të heqin në tersi tarifën e sigurimit si dhe t`i aplikojnë disa kritere pozitive që ndikojnë në integrim sa më të mirë të asaj pjese në vendin tonë.

Grupi i këshilltarëve të LDK-së i kryesuar nga Arben Mehmeti ka kërkuar të martën zyrtarisht nga Qemajl Mustafa dhe Izmi Zeka që në seancën e radhës të Kuvendit Komunal të trajtohet çështja e tarifave të sigurimeve për shqiptarët e Kosovës Lindore.

“Ne kërkojmë zyrtarisht nga ana e juaj që në seancën e radhës,Kuvendi Komunal i Gjilanit të nxjerrë një rekomandim që të kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të heqin në tersi tarifën e sigurimit si dhe t`i aplikojnë disa kritere pozitive që ndikojnë në integrim sa më të mirë të asaj pjese në vendin tonë” ka thënë Mehmeti.

Mehmeti ka thënë se disa veprime të institucioneve të Republikës së Kosovës në mënyrë direkte po dëmtojnë ata qytetarë të asaj pjese përmes taksave të sigurimit që janë aplikuar për atë pjesë kinse në emër të reciprocitetit.

Mobi Casa

“Ne jemi të vetëdijshëm që ky reciprocitet nuk aplikohet edhe për serbët sepse ata e kanë territorin respektivisht korridoret e lira në pjesën veriore të vendit kur të dëshirojnë me hy dhe me dalë e pa u penguar nga askush dhe ata nuk paguajnë taksa të sigurimeve për të hyrë në vendin tonë. Dhe përderisa këtë privilegj sipas parimit të diskriminimit pozitivë nuk e kanë shqiptaret e Kosovës Lindore,ne mendojmë se si institucione shtetërore duhet më tepër të kujdesemi për atë pjesë dhe kryesisht në krijim të kushteve më të mira dhe liri të lëvizjes pa pengesa”ka sqaruar kërkesën Mehmeti.

Mehmeti ka thënë se si regjion i Gjilanit kemi përgjegjësinë të jemi në krahë të tyre duke mbrojtur dhe luftuar për interesat e tyre në institucionet e shtetit të Kosovës.”Ky veprim i institucioneve të Kosovës në emër të reciprocitetit në masë të madhe ka dëmtuar këtë pjesë të shqiptarëve në Kosovën Lindore si dhe direkt ka dëmtuar interesin ekonomik të Gjilanit edhe ashtu të lënë pas dore nga Qeveria e Kosovës” ka nënvizuar shefi i LDK-së.

“Ne kemi parasysh faktin se pjesa më e madhe e shqiptarëve të asaj pjese kanë lidhje familjare me pjesën e regjionit tonë si dhe pjesa më e madhe e tregtisë së asaj pjese është bërë në regjionin tonë dhe direkt ky fakt ka ndikuar në zhvillim ekonomik të rajonit tonë dhe masat e fundit të qeverisë së vendit në emër të reciprocitetit duke caktuar tarifa të sigurimit kanë dëmtuar dhe cenuar interesin e tyre për të pasur liri të lëvizjes, cenim të raporteve familjare dhe pengesa të shumta të natyrave të ndryshme si dhe ekonomikisht na kanë dëmtuar si regjion. Prandaj do të ishte mirë që për at pjesë të shqiptarëve institucionet e republikës së Kosovës të aplikojnë kritere të veçanta’’Diskriminim pozitiv’’për shqiptarët e asaj pjese”ka përfunduar Mehmeti./rajonipress/