Të gjithë në burg

Togeri Ragip Bytyçi, Kushtrim Kastrati, Ragip Hajdini dhe Xhemë Gashi u dënuan me nga një muaj paraburgim. Hetimet, nëse këta të katër kanë vjedhur arin që u zhduk nga Dhoma e Dëshmive në Pejë, po vazhdojë. Pasi IPK kreu arrestimin, lëndën ia ka kaluar në duart e një gjyqtari të EULEX’it.
Policit dhe tre shokëve që dyshohet se i ndihmuan në arin e vjedhur, iu caktuan nga një muaj paraburgim. Përveç kësaj, rasti ka kaluar në duart e EULEX’it. Është një prokuror i këtij misioni që pas arrestimit ka vendosur të zbardhë gjitha dyshimet për të cilat u realizua një aksion 15 orësh, e i cili rezultoi me arrestimin e një polici dhe tre qytetarëve të tjerë.
Të njëjtën ditë kur EULEX njoftoi se ata të arrestuarit e së shtunës tashmë janë dënuar me paraburgim, Inspektorati bëri publik edhe emrat e tyre. Katër të arrestuar para dy ditësh që dyshohet se kanë gisht në vjedhjen e dukatit në dhomën e dëshmive në Pejë janë Toger Ragip Bytyçi, Kushtrim Kastrati, Ragip Hajdini dhe Xhemë Gashi.
Kështu ka bërë të ditur kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Fitim Shishani, bash në ditën kur atyre iu shqiptua masa e dënimit prej një muaji paraburgim. Shishani ka thënë se po hetohet nëse ari i konfiskuar është ai që është vjedhur në Dhomën e Dëshmive në Pejë, mirëpo deri tani ende nuk ka analiza konkrete.
E përveç Inspektoratit Policor, i cili ditën e aksionit arriti të kapë këta të dyshuar, tash pas dy ditësh pjesë e realizimit të operacionit në Pejë po del të jetë edhe EULEX-i. Madje këta të fundit kanë marrë përsipër edhe hetimin e rastit. Gjithçka u kuptua kur ky mision lëshoi një komunikatë për media, nëpërmjet së cilës njoftoi se të pandehurit janë dënuar me nga 1 muaj paraburgim.
Një gjyqtar i EULEX-it u caktoi masën prej një muaji paraburgim katër personave, të cilët u arrestuan ditën e premte gjatë një operacioni të përbashkët të udhëhequr nga Drejtoria e Policisë së Kosovës kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, prokurorët e EULEX-it dhe Inspektorati Policor i Kosovës.
EULEX njofton se katër të dyshuarit akuzohen për veprat penale të pranimit të mallrave të vjedhura dhe të mashtrimit. “Ata u arrestuan gjatë përpjekjeve për ta kryer një shitblerje të paligjshme të arit. Gjatë operacionit është sekuestruar një sasi e madhe e arit”, thuhet në një komunikatë për media të EUELX-it. Rasti është duke u hetuar nga një prokuror i qarkut i EULEX-it.
E detaje të reja të formës se si u arrestuan polici dhe tre qytetarët e tjerë po dalin vazhdimisht. Pas dy ditësh kur u ndërmor aksioni, arrestimi i togerit dhe tre personave të tjerë mësohet se është bërë gjatë përpjekjeve për ta kryer një shitblerje të paligjshme të arit.
Derisa këta u arrestuan nën dyshimin se ishin të përfshirë në vjedhjen e arit të konfiskuar, në Dhomën e Dëshmisë në Pejë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka një hall tjetër.
Ai nuk është i bindur se e njëjta gjë do të ndodhë me ata persona që vodhën drogën në dhomën e dëshmive në Prishtinë. “Unë nuk jam optimist që një ditë do të kapen edhe ata persona që e vodhën drogën në dhomën e dëshmive në Prishtinë”, citohet të ketë thënë Rexhepi për mediat e vendit.
Ndryshe, Togeri Ragip Bytyçi bashkë me tre të tjerë u arrestuan të shtunën, pas një aksioni që zgjati plot 15 orë në qytetin e Pejës. Arrestimet ndodhën për shkak të dyshimeve se këta të arrestuar kanë gisht në vjedhjen e arit të dhomën e dëshmive në Pejë, që ndodhi në qershor të këtij viti. Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e me një numër të konsiderueshëm të forcave speciale të PK bastisën gjithsej 13 lokacione në disa pjesë të Pejës. Bastisja përfshiu edhe disa argjendari, ku u konfiskuan 13 kilogramë dukat, 27 kilogramë mbeturina të arit e argjendit të shkrirë dhe disa dëshmi tjera. Krejt këto gjëra që dyshohet se u morën ditën kur nga dhoma e dëshmive në Pejë u zhdukën afër 24 kilogramë ari pa asnjë gjurmë.
Lidhur me këtë vjedhje, Policia ka nisur hetimet ndaj katër zyrtarëve policorë nga Peja, duke përfshirë këtu edhe Rove Lokajn, e cila kishte qenë përgjegjëse për çelësin e dhomës, ku po qëndronte ari në stacionin policor të qytetit të Pejës. Vjedhja e 55 kilogramëve të arit, që ndodhi qershorin e këtij viti, brenda stacionit policor në Pejë është e dyta e këtij lloji në Kosovë.
Vjedhja e parë në një stacion policor ka ndodhur në kryeqytet, por deri më tani askush nuk është përgjigjur në lidhje me atë rast. Disa zyrtarë policorë nga Prishtina qenë suspenduar, por deri më tani askush nuk është gjetur fajtor për vjedhjen e 50 kilogramëve heroinë dhe një sasie të mjeteve materiale në bankënota të ndryshme.(express)