Të gjitha komunitetet në Shqipëri kundër Kadaresë

Të tria komunitetet fetare të Shqipërisë, ai Ortodoks, ai Mysliman dhe ai Katolik kanë dalë kundër mendimit të Ismail Kadaresë se shqiptarët i braktisën kishat e xhamitë 20 vite para ndalimit të fesë.
Në prononcimet e tyre për “Gazeta Shqiptare”, përfaqësuesit e këtyre komuniteteve e kanë argumentuar këtë kundërshti, duke u shprehur se njerëzit i kanë ndjekur ritet fshehurazi, e se pikërisht shumë prej klerikëve u internuan, u burgosën e pushkatuan.
Duke shprehur konsideratën e tyre të thellë për Kadarenë si shkrimtar, emri i të cilit i ka dhënë emër edhe Shqipërisë në botën e letrave edhe më gjerë, ata shprehen se feja ka pasur gjithnjë ndjekës, edhe pse frika nga regjimi i bënte ata të mos dilnin hapur në mbrojtje të besimit të tyre.
Dy ditë më parë, “GSH” botoi pjesë të një interviste që shkrimtari ynë i madh ka dhënë për revistën franceze “NOOR”, ku në kuadër të bashkëjetesës fetare në vendin tonë, ai fliste edhe për kohën kur feja u ndalua. I pyetur se si reagoi populli dhe nëse ai u rebelua për t’i mbrojtur këto vende kulti, Kadare është përgjigjur: “Populli pothuajse nuk reagoi. Njerëzit kishin probleme të tjera, jeta e përditshme ishte tmerrësisht e vështirë. Kishat dhe xhamitë ishin braktisur prej 20 vjetësh më parë në diktaturë”.