UBT

Të gjitha koalicionet në Kosovë ishin joparimore!

/ 9 minuta lexim
RCCOLA

Nga Fadil Maloku- “Mos kërko ndonjë funksion në pushtet, ngase, nëse ai të besohet me kërkesën tënde, do të jesh përgjegjës (për moskujdesi); dhe anasjelltas, nëse ai të besohet pa të pyetur ty, do të jesh i ndihmuar”

1. Demokracia e brishtë kosovare

Koha në të cilën po bashkëjetojmë, pra në një demokraci akoma të brishtë dhe të pa konsoliduar sa dhe si duhet në kuptimin e krijimit të një stabiliteti politikë, e para së gjithash social dhe ekonomik, procesi i krijimi i qeverive të reja në Kosovën e pasluftës në pothuajse shumicën e rasteve është vërtetuar se ishte më tepër produkt i imponimeve nga zyrat e jashtme dhe i koalicioneve vetanake të vetë liderëve politikë, se sa i programeve ideologjike dhe ofertave faktike sociale e ekonomike për vendin. Në gjithë këtë odisejadë të krijimit të qeverive të pasluftës, përvoja ka dëshmuar se ato më tepër merreshin me pamjen dhe imazhin gjëja “një unifikimi provizor” në sytë e publikut të brendshëm, që sipas suflerëve të jashtëm do të duhej të prodhonte idenë e një stabiliteti gjithash politik (por jo edhe stabilitetin faktik?!), por jo edhe social e ekonomik… Pra, thënë më thjeshtë: atë ideologjike e programore që do të ishte bazë dhe fondament i një qeverisje kualitative dhe të qëndrueshme në Kosovë.

Themi kështu, ngase të gjitha koalicionet e gjertanishme de facto faturuan përmbajtje, lidhje joparimore që nuk përfillnin as sensin e dallimeve ideologjike e as interesat dhe strategjitë e programeve që ua servonin ata elektoratit dhe qytetarëve të Kosovës. Kjo përvojë e ruajtjes së “unitetit politikë”, dosido arriti të konsolidojë në një farë mënyrë sferën politike, por në anën tjetër ajo riprodhoi vazhdimisht probleme dhe dëme ekonomike që tani dhe me siguri në të ardhmen do të ashpërsohen midis dy shtresave ekstremisht e diametralisht të kundërta sociale (shumë të pasur dhe shumë të pasur!?), duke i bërë ato top-probleme kyçe në periudhën që po hyjmë si vend dhe si shtet që ka marr përsipër tash të “kujdeset” për vetveten…

Athua do të ketë edhe më tej tutorizëm, për të mos thënë përzierje në vendimmarrjet e reja? Për të dhënë një përgjigje meritore sociologjike, duhet t’i kthehemi pyetjes paraprake. Pse ndodhi kështu?

2.Arsyet sociologjike

Arsyet sociologjike mund të ishin të shumta, por një analizë më e thukët gjithsesi prodhon një bindje dhe prejudikim që pak a shumë s’mund t’u shmanget rrethanave dhe proceseve nëpër të cilat kalonte në këtë periudhë Kosova. Në fakt, monitorimi (për të mos thënë ndërhyrja!) i mekanizmave ndërkombëtarë, përvoja e shkurtër në demokraci (mungesa e përvojës pluraliste), inatet dhe xhelozitë e dala nga lufta (krahu i luftës, krahu i paqes), detyrimet e privatizimit (interesat e korporatave të mëdha për ta blerë sa më lirë pasurinë shoqërore), krimi i organizuar (të gjitha të dhënat e Transparency International, kanë folur për një shkallë të lartë krimi të ndërlidhur po me këto elita politike), korrupsioni (gjithashtu i dëshmuar nga sektori i shoqërisë civile lokale dhe asaj ndërkombëtare), ishin problemet e njëkohësisht edhe “argumentet” kryesore që në një mënyrë do të mund ta amnistonin një sjellje të këtillë (servile të thënë edhe nga ndërkombëtarët!) të klasës së re politike kosovare…

Por, kjo mënyrë e këndvështrimit të kësi soji domosdoshmërish nuk nënkupton se tani ne si shoqëri dhe si qytetarë që kemi përfituar sado-kudo një përvojë në ndërtimin e kapaciteteve demokratike institucionale, patjetër duhet të vazhdojmë avazin e vjetër të indiferencës dhe pamjaftueshmërisë për t’u interesuar për proceset që do të prodhojnë situatat dhe sfidat e reja!

Përkundrazi, tani përgjegjësia, llogaridhënia dhe transparenca duhet të bëhen tri shtylla udhëheqëse në gjithë procesin e ndërtimit të demokracisë së njëmendët në Kosovë.

Gjithashtu, në këtë proces – ta shquaj kështu të vetëkërkimit të identitetit autokton apo specifikave të sistemit demokratik kosovar – partitë iniciatore (formative party)duhet të dëshmojnë se si (pivotal party) tani e tutje ato në zgjedhjet e ardhshme më shumë do t’u përkushtohen interesave të tyre tangjente konvergjente (që nënkupton se ato duhet të bëhen “thikë me dy teha”), se sa interesave klanore, grupore dhe interesave të lidershipit autokratë.

RCCOLA

Çka nënkupton kjo? Pra, që të mos lidhin koalicione të atilla që p.sh. janë cilësuar shpesh edhe si tërësisht të panatyrshme (të përkujtojmë p.sh.: ish koalicionin midis LDK dhe PDK-së, apo atë të AAK-së me LDK-në, dhe tani së fundi atë midis PDK-së dhe mini koalicionit të AKR-së), por që s’pari ta fillojnë procesin e vetëkërkimit ideologjikë, përmes një procesi të brendshëm demokratizimi (një votë një njeri), pastaj programeve të ndryshme sociale, ekonomike dhe të dalin me oferta të qarta, ngase kështu e ndihmojnë edhe më qartë procesin e profilizimit të tyre ideologjik dhe demokratizimin e vendit.

Ky rirreshtim përmes demokratizimit të brendshëm gjithsesi do ta rriste kureshtjen e munguar të elektoratit në sidomos dy palë zgjedhjet e fundit, ku interesi ka rënë në 50 për qind, pastaj do të evitonte ngacmimet dhe fërkimet e tipit se kjo parti p.sh. është më pak “djathtiste” apo më shumë “majtiste”, siç ka ngjarë kohëve të fundit midis p.sh. VV-së dhe PDK-së, apo më herët mes LDK-së dhe PDK-së.

Një çështje që pak apo aspak nuk është përfillë në këto ish koalicione joparimore dhe jo të natyrshme ideologjike dhe sociale, në rastin e Kosovës duket që është ai i vendimmarrjes. Pra, kush në fakt vendos për fatin e koalicionit të mundshëm, apo cili organ partiak duhet ta distribuojë fuqinë e vendimmarrjes për këtë bashkëpunim të mundshëm për të formuar qeverinë e ardhshme? Është kryetari (lideri) i partisë (që në rastet e Kosovës është shumë i fuqizuar ngase ndërlidhet ose me luftën (Thaçi, Haradinaj) ose paqen (Rugova), kryesia e partisë, apo këshilli drejtues?

3. Katarsisi partiak – i domosdoshëm

Duke u nisur nga një konstatim ndoshta edhe banal në pamje të parë, por të udhëhequr nga përvoja e gjitha zgjedhjeve që kemi pasur në Kosove, vendimet lidhur me këtë proces të formimit të qeverive eventuale, zakonisht e kanë sjellë dhe padyshim udhëhequr liderët e partive politike (improvizim ishin të gjitha mbledhjet e organeve tjera për gjëja vendimet partiake të organeve: kryesisë, këshillit apo ndonjë organi tjetër) të cilët, sidomos në periudhën e pasluftës (rasti i LDK-së me PDK-ën) p.sh. siç e dimë të gjithë ishin të detyruar nga faktori ndërkombëtar (zyrat e ambasadave të vendeve mike) të lidhnin edhe koalicione të cilësuara nga shumë analist edhe si të “panatyrshme”.

Por, në zgjedhjet e fundit ndodhi një fenomen tjetër që për analet sociologjike dhe ato akademike është interesant për t’u studiuar. Në fakt, koalicioni midis PDK-së dhe AKR-s doli si një domosdoshmëri e jo nevojë e kohës. Ideja e arkitektëve të këtij koalicioni, pra padyshim edhe atij ndërkombëtar, ishte ai i ruajtjes së status quos që në dioptrinë e tyre shihej si diçka më e rëndësishme dhe më racionale se sa të përsëriteshin zgjedhjet (ngase secila parti opozitare kishte arsyet e veta për abstenim koalicioni me PDK-në!) që do të merrnin kohë dhe mund të madh. Kështu që hisja e përsëritjes së koalicioneve joparimore, në zgjedhjet e fundit i ra AKR-së.

Loja e tanishme për zgjerimin e koalicionit ekzistues me pretekstin se jemi përball negociatave dhe bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përveç qëllimit të mobilizimit të publikut të gjerë, ka edhe një tjetër porosi në këtë rast në favor të PDK-së, që ka të bëjë me faktin se zgjerimi i koalicionit (eventualisht me ndonjë parti tjetër opozitare: qoftë ajo AAK-ja apo LDK-ja, por jo edhe Vetëvendosja) aktual do ta “betonojë” e gjithsesi edhe favorizojë dukshëm imazhin dhe rolin e pakontestueshëm të PDK-së në këto bisedime “historike”(sepse ato të vërtetat historike janë krye në Vjenë) me Serbinë.

Në pamje të parë duket që s’ka asgjë djallëzore në këtë perceptim të kësi soji, por nëse analizohet më thellë ky opsion, del se politikisht më shumë dëmtohen opozita (me këtë rast AAK-ja që po lakmon haptas futjen) se sa vetë koalicioni aktual joparimor qeverisës.

Duhet thënë se në tipat e organizimit centralist të partive politike kosovare, çështja e (mos)lidhjes së koalicioneve s’është ndonjë problem i madh, ngaqë vendimet i bie lideri me një grup të ngushtë të njerëzve që kanë interesa të ngushta personale dhe jo sosh ideologjike e (jo)parimore programore. Pra, shihet qartë se të gjitha koalicionet e gjertanishme (joparimore në fakt!) kosovare më tepër ishin koalicione grupesh interesi që ndikimin e vetë e ushtronin më shumë me logjikën e mentaliteteve fisnore e krahinore, se sa parimore dhe ideologjike për çka jemi duke folur dhe çka po e kërkon koha.

Së këndejmi, kohës së koalicioneve parimore dhe atyre ideologjike detyrimisht duhet t’u paraprijë një katarsis i brendshëm partiak që nënkupton njëkohësisht edhe një shkëputje definitive nga mënyra e të menduarit dhe të vepruarit autokratik! Kjo vlen sidomos për liderët aktual partiak që gjerë tani mbijetuan vetëm përmes autoritetit karizmatik, hipotekave të së kaluarës, por edhe klientelizmit dhe interesave të ngushta klanore.