Fundamenti

Të bukura dhe me armë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Kush mund të gjuaj më saktë se Urata dhe Lumturia? Vajzat e bukura nga Vitia kërkojnë me ngulm të sfidohen në terren ndërkombëtar.

Disponim, qetësi maksimale dhe frymëmarrje të rregullt. Kjo është metoda e gjuajtjes e Lumturie Ramës. Që e ka bërë atë të kalojë për disa herë standardin. Dhe buzëqeshja pas fitore sikur i mbetet në fytyrë, gjithmonë.

Lumturia (24) dhe Urata (25), kushërirat nga Vitia, janë bërë të njohura për cilësinë e të gjuajturit. Disa media botërore, përfshirë Euronews-in, raportuan këtë vit se ishte fatkeqësi që ndërlikimet politike ua bllokuan atyre rrugën për në Lojërat Olimpike që u mbajtën sivjet në Londër dhe që ishin një nga ngjarjet më të mëdha të vitit.

Ato janë kampione të shumëfishta në nivel të Kosovës. Urata njihet në garat me shumë garues, ndërsa Lumturia është e vetmja shenjëtare e ekipit “Jeton Rama” që shënon me pistoletën me peshë një kilogram e gjysmë. Do të mund të bëheshin ushtare të jashtëzakonshme, por meshkujt e FSK-së e kanë, në shumë aspekte, më të lehtë pa to aty.

Urata i kishte vetëm pesëmbëdhjetë vjet kur mori pjesë në një kamping mujor në Kamenicë ku filloi të mësonte për shenjëtarinë, ndërsa Lumturia katërmbëdhjetë. “Na mësuan të mbajmë qëndrim dhe armën në dorë”, thotë Lumturia.

Pastaj, si juniore, në disiplinën “Pushkë Ajrore Serike”, Urata mori pjesë në të gjitha garat e organizuara në nivel vendi. Ishte një uratë e vërtetë për klubin. “Në të gjitha garat jam shpërblyer”, tha ajo. Që nga viti 2005, Urata kaloi në grupin e seniorëve dhe rezultatet vazhduan të përsëriteshin.

Lumturia, nga ana e saj, në mungesë të një shenjëtare me pistoletë në ekip, filloi të gjuante, pati suksese dhe, siç ndodhë gjithmonë, gjëra e këtilla i mbetën në zemër.

UBT

“Shenjëtaria është sport specifik që kërkon kondicion, ndërsa qëndrimi i trupit duhet të jetë i atillë çfarë e kërkon arma”, thotë Urata. “Një përparësi tjetër është se mund të jetë dytësore në jetën tonë pasi nuk kërkon të bëjmë ushtrime rregullisht”.

Urata është mësuese në një fshat të komunës pasi ka të mbaruar edukimin dhe si duket e ka nxitur edhe Lumturien në arsim pasi kjo, si psikologe me profesion, pasi ka punuar në Entin e Statistikave është intervistuar për mësimdhënie.

Por, qartësisht dy kushërirat, që duket se nuk ndahen askund, suksesin më të madh e kanë në qitje. Sukses të përmasave olimpike.

Në Poligonin e Shenjëtarisë, Urata ka arritur rezultatin më të mirë të pasluftës pasi ka shënuar 379 rrathë në “Pushkën Ajrore Standarde” duke kaluar kështu normën olimpike të disiplinës që është 375. Kurse Lumturia në disiplinën “Pistoleta Ajrore Standarde”, nga 365 sa është standardi në këtë kategori, ka marrë 369 pikë.

Por për shkak të mos pranimit të Federatës së Shenjëtarisë Sportive të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare, pasi më 23 maj 2012 në Kuebek të Kanadasë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar përfundimisht kishte dhënë përgjigje negative për pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë, shenjëtaret Rama nuk mund të ishin në Lojërat Olimpike që u zhvilluan nga 27 korriku deri më 16 gusht.

Pa ndihmë institucionale, duke u mbështetur në vullnetin e vetë dhe të familjeve, ato prapë bëjnë jetë sportive të nivelit botëror për nga ambicia dhe orientimi. Kushërirat presin që një ditë të jenë pjesë e lojërave olimpike – për të përfaqësuar Kosovën dhe atë që duhet të jetë synimi dhe ëndrrat e të rinjve në vend. “E gjithë kjo përvojë na bënë më të forta dhe më të përgatitura emocionalisht”, thotë Lumturia. Jeta është lojë.

Nëse do tu takonte Uratës dhe Lumturisë për të qëlluar në shenjë ashtu që vendi të mund të bëhej pjesë e garave botërore, ajo botë do të ishte më e afërt se hapi tjetër. Po ka armë me të cilat ato s’lejohen të gjuajnë.(gazetajnk)