Fundamenti

Të bashkuar, për fitore

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Kombëtarja shqiptare po i bën përgatitjet e fundit, para ndeshjes së rëndësishme që do ta zhvillojë në Elbasan ndaj Danimarkës, të shtunën mbrëma. “Kuqezinjtë” janë të vendosur më shumë se kurrë, për ta marrë një rezultat pozitiv nga dueli me danezët, njëjtë siç bënë me Portugalinë muajin e kaluar.

Portieri Etrit Berisha beson në fuqinë e ekipit të Gianni De Biasit, ndërsa insiston se vetëm loja kolektive dhe ekipi i bashkuar, mund ta sjell suksesin.

“Ne po bëjmë përgatitje mjaft të mira për t’u paraqitur sa më denjësisht. Nëse luajmë të bashkuar ashtu siç bëmë me Portugalinë, besoj se do t’ia dalim të triumfojmë. Shpresojmë që stadiumi i ri të na sjellë fat, por detyra jonë është të luajmë të bashkuar pa bërë dallime në fazën mbrojtëse dhe sulmuese. Do të jetë loja në grup ajo që do të na çojë drejt fitores. Edhe nëse unë pësoj katër gola dhe ekipi shënon pesë do të isha shumë i lumtur sepse e rëndësishme për ne është fitorja”, deklaroi portieri i Lazios.

Ai e konsideron Danimarkën një ekip me lojtarë mjaft cilësorë, ndërsa e ka përmendur sulmin, si pjesën më të rrezikshme të ekipit të Morten Olsen.

Danezët i “qajnë” mungesat

Danezët e kanë marrë rrugën drejt Shqipërisë, ku do të qëndrojnë të premten, ndërsa të shtunën do ta zhvillojnë ndeshjen kualifikuese për “Euro 2016” ndaj Shqipërisë. E vetmja gjë që e brengos trajnerin Morten Olsen është çështja e mungesave. Me gjasë, ekipi skandinav nuk do të mund të llogarisë në dyshen kryesore të mbrojtjes, Simon Kjaer e Daniel Agger. Por, trajneri danez është duke menduar për alternativa. Ndërkohë, Olsen i ka paralajmëruar lojtarët e tij për rrezikshmërinë që e pret në Elbasan, pasi e konsideron Shqipërinë një kundërshtar të fuqishëm, mbi të gjitha kur luan në shtëpi.

Mobi Casa

Serbia s’i tutet Shqipërisë

Kontingjenti i Përfaqësueses së Serbisë është nisur të enjten për në Armeni, ku do ta nis kampanjën kualifikuese për “Euro 2016”. Serbët duken mjaft optimistë se do të dalin mirë nga dy ndeshjet e para eliminatore, ndaj Armenisë dhe Shqipërisë. “Ne nuk i frikësohemi Shqipërisë dhe askujt”, ka thënë futbollisti i Chelseat, Nemanja Matic.

Edhe bashkëlojtarët e tij, Lazar Markovic dhe Dusan Tadic, një ditë më parë e kanë shprehur optimizmin e tyre se do të arrijnë të shënojnë fitore ndaj ekipit “Kuqezi”, në duelin e 14 tetorit.

Por, përzgjedhësi Dick Advocaat po përballet me probleme të mëdha, sa i përket repartit defanziv. Trajneri holandez nuk do të mund të llogarisë në dy duelet e ardhshme në dyshen Dusan Basta e Antonio Rukavina, për shkak të lëndimeve, shkruajnë mediat serbe. Basta ka tërheqje muskulore dhe i duhet të pauzojë deri në gjashtë javë, kurse Rukavina ka probleme me ligamentet dhe do të mungojë rreth një muaj.

Advocaat e ka ftuar menjëherë futbollistin e Torinos, Nikola Maksimoviç, ndërsa më vonë pritet të dihet se cilët do të jenë emrat tjerë që mund t’i ftojë për ta zëvendësuar dyshen e lënduar./zeri/