Tatimet falin mbi 260 milionë euro borxhe?

Rreth 260 milionë euro është borxhi që kompani të ndryshme kosovare kanë ndaj Administratës Tatimore të Kosovës( ATK) . Nga kjo vlerë, borxhi bazë sillet rreth 120 milionë euro, ndëshkimet rreth 45 milionë, kurse 80 milionë euro janë interesa.
Kështu thonë në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, zyrtarë të ATK-së, duke shtuar se gjatë këtyre viteve ky institucion ka ndërmarrë masa të fuqishme për mbledhjen e borxheve dhe kjo ka rezultuar në zvogëlimin e dukshëm të tyre.
Por, ekspertë për çështje ekonomik, konsiderojnë se një ndër arsyet e borxhit të lartë të tatimpaguesve karshi Administratës Tatimore është mungesa e mekanizmave mbledhës dhe policisë financiare.
Përveç kësaj, drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe ambienti i rëndë i të bërit biznes reflekton në vonesat e pagesave të taksave.
“Fillimisht, besoj se janë dy arsye: arsyeja e parë ka të bëjë me mekanizmat mbledhës të ATK-së, e që janë të dobët. Kosova, pra, ende nuk ka polici financiare. Ka një administratë mbledhëse të taksave që është e mangët në numër. Dhe, kështu një pjesë e madhe e bizneseve mbeten në pamundësi për të bërë këtë pagesë”.
“Në anën tjetër, ka një arsye tjetër thelbësore për mospagesë, që ka të bëjë me kushtet e tyre të veprimit në Kosovë. Gjithsesi, mungesa e shtetit ligjor dhe të drejtës për të ushtruar ligjin në kompanitë e tilla, ka bërë që ky borxh të gëzojë edhe sot e kësaj dite”, thotë Abdixhiku.
Por, përfaqësues të komunitetit të biznesit, thonë se nga vlera prej 260 milionësh, një shumë e madhe janë ndëshkime dhe shumica e lëndëve janë në procese gjyqësore.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, vlerëson se ATK-ja duhet të gjejë modalitete apo të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të bëjë amnisti të borxheve të vjetra.
“Ne, si aleancë, kemi kërkuar që të bëjë një amnisti të përgjithshme të borxheve të vjetra, pasi më shumë se gjashtë vjet, vetë ligji i Kushtetutës së Republikës së Kosovës liron nga kërkesat, të cilat kanë qenë kërkesa të vonuara dhe kjo do të pastrohet”.
“Pasi gjithë kjo shumë e borxheve nuk është si bazë, por si rezultat i ndëshkimeve të mëdha që sistemi vetë i llogarit ato muaj për muaj dhe ka ardhur deri te kjo shifër, kjo nuk bazohet se është një kërkesë reale”, shprehet Shahini.
Por, Lumir Abdixhiku nuk e konsideron zgjidhje faljen e borxheve apo ndëshkimeve. Ai thotë se ATK-ja duhet të jetë më e angazhuar në mbledhjen e borxheve dhe të mos lejojë që borxhet të vjetrohen.
“Në rastet e kaluara, kemi pasur amnisti të taksave dhe unë uroj që dikujt mos t’i shkojë në mendje një veprim i tillë. Pra, herën e fundit në vitin 2006 ATK –ja fali borxhet duke bërë dëme të konsiderueshme te bizneset që kanë gabuar. Uroj që këto borxhe mos të vjetrohen aq shumë sa që të vijmë në një situatë që borxhet duhet të falen”, vlerëson Abdixhiku .
Në vitin 2008, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që tatimpaguesit që kanë borxh ndaj administratës, të lirohen nga ndëshkimet, por të paguajnë borxhin e përgjithshëm.
Në anën tjetër, zyrtarë të ATK-së, pohojnë se dy vitet e fundit ky institucion është përqendruar më tepër në vizita dhe kontrolle, konkretisht në vizita me qëllim të identifikimit të mallrave pa prejardhje dhe masave parandaluese për evazion fiskal.
Vetëm vitin 2012, ky institucion ka vizituar 67 mijë kompani. Ndërkaq, vlera e gjobave të shqiptuara për mallrat pa prejardhje të identifikuar gjatë vizitave, ishte rreth 2 milionë euro.
Mirëpo, Lumir Abdixhiku, thotë se shumë biznese mbesin pa u inspektuar për shkak se ATK-ja ka vetëm 350 inspektorë, kurse në Kosovë veprojnë mbi 60 mijë biznese. /rel/