UBT

Tash për tash, kështu është…

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Shkruan : Veton Nevzadi -Sot, pritjet e qytetarit kanë evoluar dhe ai nuk po i përkrahë verbërisht politikat utopiste e megalomane, të cilat nuk përkojnë me gjendjen reale dhe kapacitetet zhvillimore të vendit.

Edhe pse në kushte të rënda dhe nën një regjim armiqësor, Kosova menjëherë pas rënies së komunizmit filloi të ndërtojë një lloj tradite të pluralizmit politik përmes aktivizimit të grupeve të ndryshme politike në jetën shoqërore të cilat ishin të organizuara paralelisht me ato të regjimit serb.

Në fillim organizimi politik kishte karakterin e lëvizjes popullore në mungesë të përvojës dhe të rrethanave të vështira ku e vetmja kauzë megjithatë mbetej refuzim i regjimit serb dhe një ”luftë” ndryshe për pavarësi.

Këto organizime politike, përveç objektivave afatgjata, kishin për qëllim gjithashtu legjitimimin e institucioneve të dala prej tyre, duke krijuar struktura paralele shtetërore të cilat u bënë adresë institucionale për faktorin ndërkombëtar që ishte i interesuar për gjendjen e re politike në vend.

Bëheshin improvizime të atilla që ky organizim politik t’i ngjajë sadopak demokracisë, pasiqë nuk ishim të lirë dhe nuk e kishim shtetin tonë. Organizimi politik në secilën fazë bëhej gjysmë-fshehur duke përcjellur vit pas viti ëndrrën për ditën kur do të jetë e mundur të veprohet hapur dhe në liri.

Shumë zhvillime politike ndodhën e që kulmuan me një luftë të armatosur për liri, bartësit e së cilës pastaj krijuan formacione të reja politike të cilat balancuan bllokun politik të formuar menjëherë pas rënies së komunizmit në ish- Jugosllavi i cili kishte monopolizuar skenën politike atëbotë në Kosovë.

Tashmë ka kaluar një dekadë që lufta ka mbaruar dhe skena politike në Kosovë as edhe sot nuk ka arritur të krijojë një fizionomi të qartë ideologjike e cila do ti ndante grupimet politike në të djathta dhe të majta, ashtu sikurse do të duhej të ishte.

Kosova që nga paslufta qeveriset nga dy blloqet politike të fuqishme me një bagazh të rëndësishëm politik. Janë këto partitë politike që pretendojnë se kanë bartur procese të rëndësishme shtetformuese e që kanë arritur të mbesin në skenën politike të vendit me një fuqi të respektueshme politike.

Uji Dea

Është interesante që përkundër “hulumtimeve” të lloj-llojshme të organizatave të ndryshme dhe konstatimeve të tyre për ndryshim të përceptimit të qytetarëve dhe përcaktimin e tyre për opsionet e reja politike të krijuara kohë pas kohë, rezultatet kanë treguar një gjendje dhe disponim krejt tjetër në terren.

Në secilin cikël zgjedhor janë paraqitur opsione të reja dhe individë me agjenda nga më të ndryshmet (që nga ato ambientale, sociale e deri të ato hiper- nacionale), e që përveç ndonjë efekti të përkohshëm dhe euforik, kanë pasë të njëjtin fat, sepse vazhdimisht janë zvogëluar dhe tkurrur në sejcilat nga zgjedhjet tjera të ardhshme ku kanë garuar.

Ky trend po vazhdon nga ish Partia Reformiste Ora, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe tash së fundi me shembullin që u dha me zgjedhjet lokale në Ferizaj, e ku rënie drastike shënoi Aleanca Kosova e Re me 50 % dhe Lëvizja Vetëvendosje me mbi 40 % të votave të humbura në këtë qytet në krahasim me zgjedhjet paraprake.

Partitë kryesore të skenës politike të Kosovës, para dhjetë e më shumë vitesh, u futen në mendësinë politike të qytetarëve si dy blloqe që balancojnë vazhdimisht njëra-tjetrën. Ato poashtu bënë shtrirje solide të strukturave të tyre në qytete dhe fshatra pasiqë shumica e qytetarëve u besuan atyre për shkak se në kohë të vështira udhëhoqën procese jetike për vendin.

Sot, pritjet e qytetarit kanë evoluar dhe ai nuk po i përkrahë verbërisht politikat utopiste e megalomane, të cilat nuk përkojnë me gjendjen reale dhe kapacitetet zhvillimore të vendit.

Zgjedhjet në Ferizaj janë mësim i mirë për kursin që duhet të ndjekin partitë politike të këtij profili. Ato assesi nuk po munden të fitojnë peshën dhe respektin konstant të qytetarëve në këto rrethana, prandaj po e humbin përkrahjen e qytetarëve vazhdimisht.

Tash për tash, kështu është…/rajonipress/