Tarashaj mbret në Zvicër, dy gola të tjerë në fitoren e Grasshopperit
Super talenti kosovar, Shani Tarashaj ka vazhduar shkëlqimin e tij në kampionatin zviceran me skuadrën e tij Grasshopper.Kosovari i talentuar, Shani Tarashaj, ka qenë njeriu kryesor në fitoren 5-1 të Grasshopperit ndaj Luganos, duke shënuar dy gola.
Fillimisht Tarashaj golin e parë e arriti në fund të pjesës së parë, kur vodhi mirë një top nga kundërshtari në mesfushë dhe pasi kaloi edhe portierin shënoi për 3-0.
Golin e dytë talenti i madh prizrenas e arriti në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 67-të të ndeshjes.
Ishte goditje nga këndi dhe francezi Ravet e gjeti mjaftë bukur Tarashajn i cili edhe më bukur shënoi me një goditje të fortë jashtë zonës së 16 metërshit.
Me këta dy gola Tarashaj vazhdon kryesimin si golashënuesi më i mirë në kampionatin zviceran me pesë gola të shënuar në katër ndeshje, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë që në këtë takim titullar për GC ishte edhe mbrojtësi Alban Pnishi, ndërsa në 20 minutat e fundit u inkuadrua edhe talenti tjetër kosovar Florian Kamberi.
Pas kësaj fitore, GC ngjitet në pozitën e parë në tabelë me 9 pikë të tubuara nga katër ndeshje të zhvilluara. /Telegrafi/


