RCCOLA

“Talia e Flakës 2024” – mbrëmja e tretë solli “Grafitet” e Teatrit të Preshevës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Festivali i dramës “Talia e Flakës 2024”, në natën e tretë konkurruese, ka sjellur shfaqjen e teatrit të Preshevës “Grafitet”, me regjisor, Naser Shatrolli.

Bazuar në tekstin e autorit Mehmet Kraja, të shndërruar e vënë në skenë me kujdes nga Trupa Teatrale e Preshevës, para publikut është shpërfaqur konflikti dramatik në mes të rezistencës paqësore, rezistencës së armatosur dhe kolaboracionistëve të regjimit jugosllav, të periudhës së fundit të viteve 90-të, si dhe me përplasje të vazhdueshme para dhe gjatë luftës në Kosovë.

Autori përshkruan gjendjen reale përmes personazheve të tij në një pallat në kryeqytet, ndërsa vë në spikamë fatet komike e tragjike të pasojave të luftës, në periudhën e menjëhershme të pasluftës në Kosovë, saktësisht në kryeqytet – Prishtinë.

Sipas rrjedhës së ngjarjeve, grafitet në pjesë të ndryshme të objektit të banimit, gjëgjësisht mbi derën e shtëpisë, janë paraqitur si mjete mashtruese që i paraprijnë mashtrimit të secilit ”pushtues” mbi të mashtruarit e pushtuar, nëpër periudha e etapa të rëndësishme kombëtare.

Dy janë personazhe kryesore në mbarështrimin e dramës së Krajës; Halimi, i njohur në mjedisin lokal si “intelektuali me tipare durimtare”, dhe Banushi që zgjedhë rolin e spiunit, për të depërtuar diktatura dhe presioni psikologjik në oazën e trungut të elitës shqiptare.

Në fakt, Kraja ka vendosur një karakter mishërimi të personazhit vartës që përkulet e përulet para secilit pushtet, e që është kulmi i ironisë, ndërsa si karakter prej frikacaku, ngelet “brisk shartues” në këmbët e kultit të nënshtrimit, në raport me secilin pushtet.

Shfaqja është produkt teatror bashkëkohor, i sendërtuar mbi logun e shenjave, figurave, simboleve dhe imazheve, të cilat përcaktojnë stilin, zhanrin, frymën dhe idenë brenda një norme të kuruar estetike.

Eco Higjiena

Autori me guxim të theksuar ka prekur tema të nxehta të cilat e kanë përshkruar aty-këtu klimën konfliktuoze politike, duke vënë në spikamë elemente stilistike, figura e variacione të ndryshme estetike e filozofike, në ambientin e pasluftës që mëtonte të qartësonte bëmat e individëve gjatë okupimit.

Shfaqja fillimisht duket se lë për të dëshiruar në sensin e dinamikës dhe tempo-ritmit, por që me kalimin e kohës intensifikohet natyrshëm pasi vie në shprehje ‘dora e stërvitur’ e regjisorit Shatrolli për ta përshpejtuar dhe sforcuar interaktivitetin ndërveprues të protagonistëve, e për të lënë në plan të dytë stihinë fillestare, ndërsa bënë për vete natyrshëm publikun kurreshtar, që pret me padurim për të pa sa më parë epilogun e shumëpritur gjatë shfaqjes!

Kulmi i shfaqjes arrihet kur kuptohet se të gjitha kërcënimet për ndërrimin e grafiteve mund të kenë qenë gënjeshtra dhe se liria e shpresa kallen dhe digjen si revoltë ndaj jetesës nën kërcënim.

Shfaqja “Grafitet”, sipas veprës omonime të Krajës, është produkt teatror bashkëkohor, e sendërtuar mbi logun e shenjave, figurave, simboleve dhe imazheve, të cilat përcaktojnë stilin, zhanrin, frymën dhe idenë brenda një norme të kuruar estetike”.

Në shfaqje ka spikatur loja e aktorëve, Valon Nuhiu, Gjelbërim Emini, Gani Veseli e Artan Ibishi, sikurse edhe stili i regjisorit Shatrolli dhe stafit përcjellës, me asistente në regji, Afeida Boriqi, skenografi të Flutura Dedinjes dhe muzikë të përzgjedhur nga Skënder Halimi.

Regjisori Ekrem Sopi, tha se “Grafitet” ishte shfaqje tipike e Naser Shatrollit dhe teatrit të tij. “Një dramë psikologjike e cila bënte përshtypje, pasi tingëllonte kumbueshëm shqip dhe me gusto të lartë”. Sipas tij aktorët funksiononin mirë, veçmas bënte përshtypje loja e Valon Nuhiu, edhe pse kishte detyrën më të rëndë “mbi supe”. Muzika piketonte fuqishëm momentet përkatëse, ndërsa skenografia, tha se ishte tamam teatrale.

Festivali i Dramës “Talia e Flakës”, të premten vijon konkurrencën garuese me prezantimin e shfaqjes “Hana po fluturon”, prodhim i teatrit “Adriana” nga Ferizaji, për t’u pasuar me dy prezantime të më pastajme nga Prishtina: Shfaqjet “Arbri”, prodhim i teatrit “Oda” dhe “Club Albania”, e realizuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës./rajonipress/