Talenti shqiptar që po kërkohet nga Dortmundi e Benfica

Prinë në të gjitha ligat e Gjermanisë me 11 asistimet e tij, dhe kjo ka bërë që pas tij të ‘çmenden’, skuadrat e mëdha.
Nuk është fjala për asnjërën nga dyshja Ribery – Robben, as për super talentin gjerman Marco Reus, por për kosovarin Besar Halimi i cili vazhdon të shkëlqej në kampionatin gjerman tek Stuttgart Kickers në Bundesliga 3.
Talenti 20-vjeçar i cili është nga Gjilani, flet për Telegrafin, duke treguar për karrierën e tij momentale, si dhe interesimin e shumë skuadrave të mëdha për të, ku ndër to ishte edhe Borussia Dortmund dhe gjiganti portugez Benfica.
Deri më tani gjilanasi, ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar 11 asistime për bashkëlojtarët e tij, duke bërë që së fundmi të zgjedhet edhe lojtari i muajit nëntor në Gjermani.
Telegrafi: Besar, aktualisht je duke kaluar ditët më të mira në karrierën tënde si futbollist?
Halimi: Aktualisht jam në një formë mjaft të mirë, dhe jam shumë i kënaqur për këtë. Trajneri bashkëlojtarët dhe tifozët po më përkrahin jashtëzakonisht shumë dhe kjo më bën të ndihem mirë.
Telegrafi: Ke shënuar 2 gola dhe ke dhuruar 11 asistime këtë stinor, çfarë do të thonë këto shifra për ty?
Halimi: Për çdo gol që e shënoj e çdo asistim që bëj për shokët e skuadrës gëzohem, pasi me to e ndihmoj skuadrën time. Këto shifra për mua thonë shumë, pasi po shpërblehet mundi që kam bërë në stërvitje deri më tani. Natyrisht unë do të vazhdoj të punoj për të arritur edhe më shumë.
Telegrafi: Pas formës së jashtëzakonshme, në mediat gjermane është folur se Borussia Dortmund dhe Benfica po ju kërkojnë, sa janë të vërtetë këta zëra?
Halimi: Është e vërtet, pasi kemi pasur kontakte si me Dortmundin ashtu edhe me Benficën dhe shumë skuadra të tjera në Gjermani, por unë nuk do të largohem gjatë janarit.
Telegrafi: Si refuzohet Dortmundi e Benfica?
Halimi: Qëllimi im është që t’ia kthej të mirat dhe besimin klubit. Gjithashtu Kickers janë në garë për tu futur në Bundesliga 2 pas disa viteve mungesë në të dhe dua t’i ndihmoj për ta arritur këtë objektiv.
Telegrafi: Keni vazhduar kontratën edhe për dy vite tjera?
Halimi: Po, pasi kontrata aktuale më skadonte në fund të sezonit, dhe me këtë desha ta falënderoj klubin për mbështetje. Tani me kontratën e re jam i lidhur me Kickers deri në vitin 2016, por që në verë ekziston mundësia të largohem.
Telegrafi: Pasi tani keni refuzuar të largoheni në drejtim të Dortmundit apo Benficës, a do të thotë se keni marrëveshje që të luani në ndonjërën skuadër në verë?
Halimi: Menaxheri im ka biseduar me të dyja klubet, dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë deri në verë. Unë do të koncentrohem vetëm në fushë për ta ndihmuar skuadrën time, dhe në verë tani do t’i shqyrtoj ofertat që do të më vijnë.
Telegrafi: Pasi keni luajtur për grupmoshat e Gjermanisë, për cilën Kombëtare tani dëshironi të luani, pasi keni mundësi të zgjidhni mes Gjermanisë, Kosovës dhe Shqipërisë?
Halimi: Kuptohet që dua të luaj për njërën mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi janë vendlindjet e mija.
Telegrafi: A keni pasur kontakte nga FSHF ose FFK?
Halimi: Nga Shqipëria nuk kam pasur asnjë kontakt, ndërsa sa i përket Përfaqësueses së Kosovës së fundmi jam kontaktuar nga një i afërm i Përfaqësueses dhe mund t’i bashkohem ekipit të Albert Bunjakut, nëse i duhem për t’i ndihmuar.
Telegrafi: Për fund?
Halimi: Dua ta falënderoj familjen për mbështetje, si dhe do të vazhdoj të punoj që të arrij edhe më shumë në karrierë. Qëllimi im është të luaj në elitën e futbollit gjerman si dhe të kem suksese me Kosovën.