Mobi Casa

Taksa, bisedimet me Serbinë dhe administrata e presidentit Tramp

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Sinan Sadiku – Sa i përket taksës unë mendoj që ajo ka dhënë rezultate të mira në dy muajt e parë të fillimit, ndërsa më pas më shumë e ka dëmtuar Kosovën se Serbinë. Rezultatet e mira në fillim ishin: u tregua se Kosova është shtet sovran dhe mund të merr masa ndaj Serbisë dhe u nxit e zhvillua një patriotizëm për të mos i blerë produktet serbe, gjithherë kur ato mund të zëvendësoheshin me produkte të tjera.

Megjithatë me kalimin e kohës disa produkte të cilat nuk prodhoheshin në rajon ose ishin shumë nën cilësinë e produkteve serbe, ose shumë më shtrenjtë se produktet serbe, filluan të vijnë në Kosovë përmes rrugëve të tjera si: duke e kaluar doganën në të zezë, ose të njëjtat vetëm paketohen në Maqedoni si produkte maqedonase, ndërsa kur të nxirren nga paketa shihet se janë serbe.

Thjesht nuk u gjet zëvendësimi, ndërsa konsumatori të cilit i duhen, i paguan më shtrenjtë në rastin kur hyjnë në të zezë, ani që ato hyjnë pa paguar doganë. Fabrika në Serbi nuk e ka ulë çmimin, ndërsa çmimin e ka rritë kontrabanda, sepse për të kaluar në të zezë është dashur të korruptohet dikush nga pushteti i Kosovës. Edhe çmimin e transportit dhe paketimit në Maqedoni e paguan konsumatori.

Pastaj është e pavërtetë kur thuhet se Serbia i ka pësuar 500-600 milion euro dëm si pasojë e vendosjes së taksës, për faktin se Serbia nuk realizon fitim të pastër çmimin e plotë të asaj që e shet në Kosovë. Hajde paska fitim 20% të asaj që e shet, që rrallë ndodhë, e kurrsesi nuk mund të ketë fitim 100%, sepse prodhuesi, cili do qoftë ai, ka edhe shpenzime deri sa ta prodhojë produktin. Fakti që mallrat e Serbisë hyjnë me të madhe në Kosovë, qoftë në të zezë, qoftë si prodhime të Maqedonisë, nuk është diçka që nuk e dinë organet, institucionet e Kosovës (dogana, policia, inspektorët, prokurorët…).

Ato e dinë, po e tolerojnë. Po dihet që dikush nga qeveritarët e kanë lejuar për përfitime të veta. Pra dikush ka fituar edhe si patriot ( i ka mashtruar popullin me demagogji patriotike ), por ka fituar edhe në aspektin material , duke i ndarë fitimet me ata që i fusin mallrat serbe në të zezë. Në të dy rastet është dëmtuar Kosova materialisht: qytetari i ka paguar më shtrenjtë, ndërsa është dëmtuar edhe buxheti shtetëror me që produkti ka hyrë në Kosovë pa u paguar dogana.

Në aspektin diplomatik taksa e ka dëmtuar Kosovën, sepse të gjithë miqtë tanë kanë kërkuar të hiqet ose të pezullohet ajo. Serbia po e sheh se po i shitet, andaj po ankohet duke gënjyer se si pasojë e taksës ajo ka pësuar dëme që shkojnë deri në 600 milion euro në vit!

Uji Dea

Mendoj që taksa e ka kryer misionin për dy muaj. Tek qytetarët është rrënjos bindja se nuk duhet blerë produktet serbe, sa herë që kanë zgjidhje dhe besoj që ata do të veprojnë njësoj edhe pasi të hiqet taksa. Disa prodhues tanë i ka ndihmuar, disa e kanë shfrytëzuar dhe keqpërdor, duke i ngritur çmimet pa e shtuar cilësinë e produkteve të veta. Tek e fundit cilësia e produkteve vendore shtohet nëse funksionojnë siç duhet organet mbikëqyrëse si inspektoratet të cilat nuk do të duhej ta lejonin shitjen e gjërave ushqimore, ngado që vijnë ato, madje edhe nëse janë produkte vendore, kur ato përmbajnë materie kimike apo biologjike që e dëmtojnë shëndetin e konsumatorit. Realisht si pasojë e taksës është shtuar kontrabanda e produkteve serbe nëpër tërë territorin e Kosovës e veçmas në Veri. Duket që kontrabandën në Veri pas vendosjes së taksës po e toleron edhe KFOR-i, që i bie se tani është duke u kontrolluar më pak kufiri Kosovë-Serbi.

Bisedimet me Serbinë në kontekstin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA
Po shihet se administrata e presidentit Tramp është e interesuar t`i zgjidhë dhe t`i rregullojë shpjet raportet Kosovë-Serbi. Amerikanët nuk kanë as ndjeshmëri, as respekt e as mirëkuptim për disa rituale tona të zbrazëta që popullit i shiten për veprime patriotike. Duke u ngutur mund të bëhen edhe gabime.

Diplomacia, qeveria dhe presidenti ynë duhet të jenë shumë të kujdesshëm, racional, aspak emocional dhe të tërheqin poteza të mençur e të mos përqendrohen në sjellje popullsitë, sepse ato mund të na kushtojnë shumë shtrenjtë. Taksa i ka ndërpre bisedimet me Serbinë dhe askush nuk e di, as nuk ka argumente, as nuk mund ta arsyetojë plotësisht se ndërprerja e atyre bisedimeve ka shkuar në dobi të Kosovës. Sa për taksën Serbia nuk do t`i ndërpriste bisedimet po të ishte e bindur se vazhdimi i tyre ishte në interes të saj.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA po ofrohen dhe qeveria e Kosovës ndoshta me njëqind kiamete mund ta shtyjë disi nënshkrimin e një marrëveshjeje me Serbinë, nëse ajo nuk i konvenon Kosovës, deri sa të zgjidhet presidenti i ri i SHBA-ve. Gjasat janë të mëdha që Tramp të rizgjidhet dhe për ndonjë sjellje të pamenduar mirë nga qeveria e Kosovës ai mund të hakmerret. Andaj qeveria e Kosovës duhet t`i peshojë mirë faktet, para se të marrë vendime.

Po dihet vendimet duhet të merren në përputhje me informatat dhe faktet e jo në bazë të paragjykimeve, frikës iracionale apo kërkesave që nuk i ha pazari. Gjithsesi qeveria jonë duhet të parashtrojë kërkesa dhe t`i argumentojë ato, por në fund duhet ta nxjerr maksimumin e mundshëm, sepse politika është art i së mundshmes e jo fontanë dëshirash.

Diplomatët Kosovarë, shërbimet tona shtetërore etj. duhet të vendosin kontakte sa më të natyrshme me administratën e presidentit Tramp, në mënyrë që të kenë informata sa më të sakta mbi planet e asaj administrate, po edhe të përpiqen, duke punuar me profesionalizëm dhe përkushtim të plotë, që ato plane, të cilat nuk janë të betonuara, ta marrin sa më shumë parasysh interesin e Kosovës e cila nga ndonjë marrëveshje eventuale me Serbinë duhet të mbetet një shtet i kompletuar që mund të mbijetojë dhe të zhvillohet, se nuk bënë ndryshe./rajonipress/