FIDANISHTJA

Takimi mes dy qeverive shqiptare – të jetë praktik, jo folklorik

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Takimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, sipas analistëve kosovarë, është një mundësi e mirë për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit cilësor në mes të dy vendeve. Ata kanë thënë për Telegrafin se bashkërendimi i agjendave të përbashkëta në mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare do të ketë efekt edhe në përshpejtimin e zhvillimit të të dyja vendeve.

Ardian Arifaj thekson se takimi në mes të dy qeverive shqiptare është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Sipas tij, iniciativa për mbajtjen e këtij takimi është për tu vlerësuar, sepse mund të jetë nismë e mirë edhe për bashkërendimin e agjendave tjera në mes të dy vendeve.

“Zhvillimi i takimeve të rregullta në mes dy vendeve është një nismë nga e cila mund të ketë rezultate të prekshme. Mirëpo, rezultatet është vështirë të arrihen shpejt, sepse duhet një kohë, mbase vite, për t’i parë ato”, ka thënë Arifaj.

Uji Dea

Fadil Lepaja thekson se çdo hap përpara në bashkëpunimin në mes të vendeve te rajonit, aq më tepër Kosovës dhe Shqipërisë, është e mirë që vlen të përshëndetet. Sipas tij, këtu mendohet në bashkëpunimin të të gjitha vendeve, e posaçërisht me ata që kemi marrëdhënie të penguara.

“Fatkeqësisht, qoftë për arsye politike apo infrastrukturore, bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri gjithnjë ka qenë më i ngathtë apo më pak efektiv sesa ai me Serbinë apo Maqedoninë. Shpresoj se motivet e kësaj praktike që po premtohet të instalohet në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri të jenë jofolklorike . Pavarësisht motiveve, është në dobi të Kosovës dhe Shqipërisë të tejkalojnë pengesat në bashkëpunim, të çfarëdo natyre qofshin. Lidhur me këtë do rekomandoja pikërisht formulën ‘Zero armiqësi me fqinjët’, të ministrit të Jashtëm turk. Ky do të ishte interes strategjik i shqiptarëve kudo që jetojnë. Bashkëpunim ekonomik, kulturore dhe zero armiqësi me fqinjët”, ka thënë Lepaja për Telegrafin.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së qeverisë ka deklaruar se takimi i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është një ngjarje historike, e cila është pritur padrejtësisht të ndodh për më tepër se një shekull. Takimi i Prizrenit shënon fillimin e qeverisjes së përbashkët strategjike me një qëllim dhe vizionin euroatlantik. /Telegrafi/