“Takimet e Pogragjës 2026” bashkojnë kujtesën, librin dhe vendlindjen, nderohen figura të shquara dhe promovohen vepra me vlerë
Gjilan – Në ambientet e Shkollës Fillore “Liria” në Pogragjë u mbajt manifestimi kulturor, përkujtimor dhe promovues “Takimet e Pogragjës 2026”, një aktivitet që mblodhi intelektualë, krijues, qytetarë dhe bashkatdhetarë për të nderuar figurat e shquara të fshatit, për të promovuar botime të reja dhe për të forcuar lidhjet me vendlindjen.
Manifestimi nisi në një atmosferë artistike me një solokëndim me motive mërgimi nga tenori i njohur pogragjas, Luan Durmishi, interpretimi i të cilit i dha aktivitetit një fillim emocional dhe dinjitoz.
Në fjalën hyrëse, Bujar Salihu vuri në pah rëndësinë e lidhjes së njeriut me vendlindjen, duke theksuar se ruajtja e kujtesës historike dhe kulturore mbetet përgjegjësi e përbashkët e çdo brezi. Ndërkaq, në emër të organizatorëve, të pranishmit i përshëndetën kryetarja e Shoqatës “Pogragja”, Shpresa Hyda, si dhe koordinatori i manifestimit, kryetari i Këshillit të Fshatit dhe drejtori i shkollës, Avdil Islami.
Përshëndetje në këtë manifestim përcolli edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi-Kqiku, e cila vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve që ruajnë trashëgiminë kulturore dhe promovojnë figurat që kanë lënë gjurmë në arsim, kulturë dhe jetën shoqërore.
Një pjesë e rëndësishme e manifestimit iu kushtua përkujtimit të profesor dr. Nuhi Rexhepit dhe profesor Sherafadin Kadriut, dy personaliteteve që me veprën dhe angazhimin e tyre dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, kulturës dhe dijes shqiptare.
Për jetën dhe veprimtarinë e profesor dr. Nuhi Rexhepit referoi profesori Xhafer Xhaferi, ndërsa për figurën dhe krijimtarinë e profesor Sherafadin Kadriut foli shkrimtari Sabit Rrustemi. Në kumtesat e tyre u theksua se trashëgimia e një mësuesi dhe krijuesi nuk shuhet me largimin e tij fizik, por jeton përmes nxënësve, lexuesve dhe veprave që lë pas.
Në emër të familjes Rexhepi, të pranishmit i përshëndeti Fatmir Rexhepi, ndërsa familjen Kadriu e përfaqësoi Yll Kadriu. Një moment i veçantë ishte recitimi i poezisë “Shqipëria e mësues Nazimit”, të autorit Sherafadin Kadriu, nga vajza e tij, Saranda Kadriu, kushtuar mësuesit të paharruar pogragjas Nazim Limoni.
Pjesa e dytë e manifestimit u përqendrua në promovimin e tri veprave që trajtojnë historinë, kujtesën dhe trashëgiminë e Pogragjës. U promovua libri “Shënime historike për Kosovën” i profesor dr. Femi Rexhepit, për të cilin foli dr. Fitim Rifati. Monografinë “Pogragja ndër shekuj” të profesor Xhafer Xhaferit e prezantoi profesor dr. Femi Rexhepi, ndërsa veprën “Toponimet e vendlindjes sime” të profesor Izeir Hydës e paraqiti Bujar Salihu.
Folësit vlerësuan punën kërkimore dhe përkushtimin e autorëve në dokumentimin e historisë, personaliteteve dhe trashëgimisë së Pogragjës, duke e cilësuar këtë krijimtari si një pasuri të rëndësishme për brezat e ardhshëm. Edhe vetë autorët falënderuan organizatorët dhe pjesëmarrësit për mbështetjen dhe interesimin e treguar.
Manifestimi u pasurua edhe me pika artistike, ku motrat Mira dhe Arzije Rifati interpretuan në flaut, duke i dhënë programit një dimension të veçantë kulturor.
Në fund, organizatorët shprehën mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e aktivitetit, me një falënderim të veçantë për dy punëtorët e Shoqatës “Pogragja”, të cilët me angazhimin e tyre mundësuan mbarëvajtjen e manifestimit.
Me mesazhin se kujtesa, libri dhe kultura janë ura që lidhin brezat dhe mërgatën me vendlindjen, organizatorët shprehën synimin që “Takimet e Pogragjës” të shndërrohen në një traditë të përvitshme, duke krijuar një hapësirë të përhershme për promovimin e dijes, letërsisë, muzikës, historisë dhe vlerave të Pogragjës. Manifestimi u mbyll me një koktej rasti, ku pjesëmarrësit vazhduan bashkëbisedimin në një atmosferë miqësore dhe plot respekt për trashëgiminë e përbashkët./rajonipress/



