Mobi Casa

Takim i artit dhe i politikës artdashëse për nder të 100-vjetëshit shqiptar

/ 12 minuta lexim
Eco Higjiena

Shoqata kulturore “Yjet e Kosovës” prej datës 02.12.2012 në “Librin e artë” të qytetit Emmendingen, “Iliria” në Lahr, Unioni i studentëve shqiptarë në Freiburg, rrethi kulturor në Emmendingen, Caritasi dhe subjekti SKIP po ashtu në Emmendingen organizuan së bashku për nder të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë një ekspozitë me krijimet e artistëve shqiptarë dhe një pasdite kulturore-artistike në prezencë të madhe të politikës artdashëse dhe numrit të madh të bashkatdhetarëve tanë.

Nëpërmes opinioneve dhe prononcimeve, drejt efektit dhe madhështisë festive

“Ekspozita e sotme prezanton në veprat e artistëve shqiptarë ëndërren për një jetë më të mirë në skulpturat që na rrethojnë, në pikturat tradicionale, impresioniste, ekspresioniste dhe fotografitë me plisat e bardhë”. (Fritz Kendel, Enti për Kulturë në Emmendingen)

“Përvjetori i 100-të i pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët, populli më i fundit në Evropë i pavarësuar nga osmanlinjtë, edhe pse ishin populli më i vjetër. Kjo tregon fytyrën e vërtetë dhe tragjike të historisë me gabimet e fuqive të mëdha në kohën kur u mbajt Kongresi i Berlinit. Kohët kanë ndryshuar mbarë dhe mirë, andaj sot i gëzohem demokracisë edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, me perspektivën dhe aromën e mirëfilltë evropiane”. ( H. Poselt- Deputet i Bundestag-ut)

Mirë se erdhët, artistë të nderuar në Emmendingenin e yjeve tuaja

Para publikut shpalosën biografinë dhe rrëfyen për veprat e tyre të ekspozuara, si Nënë Tereza, Ismail Qemajli, Kulla, Vjeshta, Dita e pavarësisë, Rrugëtimi, Bashkimi, Dielli, I mbijetuari, Luftëtari, Valltari arvanitas, Hyjnesha e Manastirit, Plisat e bardhë dhe ciklin e veprave “Unë dhe ti”, me radhë, si: Dan Gashi, Augustin Përgega, Mal Myrtaj, Bukurie Dalladaku dhe Habib Shashivari, të përcjellë nga moderatori H. Hauser.

“Një festë e madhe është dhe do të mbetet 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, e veçantë në mërgim, në Emmendingenin e veprimtarëve të vyeshëm, yjeve të rrethuar nga kultura dhe prominenca shqiptaro-gjermane. (Dan Gashi- Piktor )

“Këta 100 plisa shqiptarë i kam ekspozuar në ambientet e Banjës publike në Shkup për nder të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. I përcjell një mesazh, ju rrinë përballë shëllungat e leshit të deleve në pritje, ne jemi po ashtu në pritje të madhështisë.

Edhe populli im përbëhet nga një shumëllojshmëri kategorish njerëzore, sikurse edhe veprat e miqve të mi artistë që na rrethojnë sot. Nga kjo që ceka, lë të kuptohet se edhe ne jemi popull i vjetër i Evropës, ndërsa dyert e Evropës duhet të ishin, duhet të mbetën të hapura. Kam ardhur me kënaqësi në këtë manifestim, jam ithtare e kësaj mënyre të jetesës. Duke u inkorporuar në shoqërinë e vendit mikpritës, mërgimtari nuk e harron identitetin e tij, bart në trupin e tij farën dhe tiparet e të parëve të tij dhe e tregon atë me krenari”. (Bukurie Dalladaku-Docente në Akademinë e Artit në qytetin Lahr )
Zakonisht mua më intereson njeriu, fotografia dhe shpirti i tij, me një fjalë, bota e jashtme dhe e brendshme e tij. Në Emmendingen kam sjellë temat që i buzëqeshin ciklit “Unë dhe ti”. Shtrohet pyetja: cili jam unë dhe cili je ti? Përgjigjja është; unë dhe ti së bashku me të tjerët dhe anasjelltas mundemi dhe duam të ndryshojmë botën, natyrisht gjithmonë duke besuar vetëm në rrafshin pozitiv. Unë dhe ti – ne të dy së bashku duam të shohim dhe ta përjetojmë botën e lumtur. Është kjo një ditë më e bukur të cilën e përjetova në mesin e kolegëve – krijuesve të respektuar, së bashku me bashkatdhetarët tanë dhe qytetarët e vendit mikpritës. Përgëzoj drejtuesit e “Yjeve të Kosovës, kulturës së Emmendingenit, projektit SKIP dhe të tjerët që dhanë kontributin e tyre në organizimin e kësaj ekspozite vërtet deri më tani më të mirë dhe të paparë. (Habib Shashivari, piktor)

“Madhështia e organizimit të sotëm tregon se edhe komuniteti i krijuesve të artit pamor, me shansin e ofruar nga Këshilli organizativ i kësaj ekspozite për nder të 100-vjetorit të shtetit shqiptar e tregoi veten, kontribuoi nëpërmes ngjyrës, formës, vijës, fotografisë etj., që 100-vjetëshi i shtetit shqiptar të përjetohet i veçantë dhe madhështor. Këto janë elemente të cilat e përcjellin punën tonë kudo që jemi, e në këtë rast edhe pse jemi në mërgim krijimet tona dërgojnë mesazhe, gjuhë, shkëlqim dhe aromë shqiptare”. (Mal Myrtaj, skulptor).

“Njehem shkëlqyeshëm në ekspozitën e miqve të mi, artistëve shqiptarë sot në Emmendingen. I dëshiroj Shqipërisë dhe Kosovës së bukur të shkëlqejnë edhe më shumë drejt perspektivës së tyre evropiane, këtë e kanë dëshmuar që moti, ndërsa artistët tonë të artit pamor dhe muzikor e skalitën sot edhe më fort. (Rolf Ulmer, mik i artistëve tanë, të cilin dëbora sot nuk e bëri të hamendej, udhëtoi enkas për ekspozitën, nga qyteti Singen)

“Kjo dëshmon pikërisht për pjesën e krijuesve tanë që janë larguar nga vendi i tyre. Dhe tani mërgata jonë nuk është më vetëm konsumuese dhe kultivuese e vlerave kombëtare, por njëkohësisht është edhe vetëkrijuese e këtyre vlerave. Kjo ekspozitë sot me krijimtarinë e krijuesve tanë në mërgatë dëshmon se mërgata jonë po zhvillohet në të gjitha drejtimet, po bëhet pjesë e barabartë e jetës kulturore, por edhe në fushat e tjera, në vendin ku jeton e vepron dhe po vazhdon të jetë ambasadori më i mirë i shtetit dhe origjinës në aspektin kulturor dhe më gjerë”. ( Ibrahim Makolli, ministër i Diasporës së Republikës së Kosovës)

Artistët e muzikës klasike Vigan Kuqi- piano, Albert Ibrahimaj- kitarë dhe Alban Pengili- violinë, interpretuan shkëlqyeshëm pjesë të muzikës klasike, ndërsa edhe kuzhina tradicionale shqiptare nuk mungoi.

Pas ekspozitës, edhe pasdite artistike për nder të festës kombëtare

“Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotrinj, fytyra publike dhe politike, të dashur vëllezër dhe motra shqiptare, urime festa e shenjtë, e cila në vete ngërthen historinë tonë të dhimbshme, por të lavdishme dhe krenare.

Sot, ne si komunitet falë zotit, falë qytetit të Emmendingenit, kryetarit të qytetit z.Schlaterer, njeriut kryesor të rrethit z. Harno Huth, anëtarit të Bundestagut gjerman, z. Peter Weiss, hymë në “Librin e artë” të qytetit Emmendingen.

Uji Dea

Zoti e bekoftë këtë ditë të shënuar dhe këtë shekull të ri.
Zoti e bekoftë qytetin e Emmendingenit dhe Gjermaninë mike.
Zoti i bekoftë shqiptarët.

Pa hezitim më duhet të falënderoj nga thellësia e shpirtit anëtarin e Parlamentit Evropian, zëdhënësin e 42 partive populliste të Evropës, mikun e shqiptarëve, z. Berndt Posselt, përfaqësuesin e Ambasadores së Shqipërisë në Parlamentin Evropian, z.Dastid Koreshi, ambasadorin e Kosovës në Berlin, z. Skender Xhakaliu, ish-ambasadorin e parë të Kosovës në Gjermani, z. Vilson Mirdita, z. Weingärtner, drejtues i shtëpisë së Caritas-it, ku pak më parë u hap ekspozita e krijuesve tanë, pjesëmarrës të tjerë nga qyteti, rrethi, Landi dhe nivelet e tjera më të larta, shkollën e Emmendingen-it me grupin e tyre të cilën e udhëheq z.Eckert, pjesëmarrja dhe prezentimi i tyre e nderon manifestimin tonë, shkollën e vallëzimit Shota nga Zvicra me koreografin e shquar Agron Bajrami, të cilët do t’ iu përcjellin gjatë këtij programi si dhe shoqatat simotra.(Moderatorja e programit artistik, Nife Shala)

Huazuar prej pjesës skenike “Lulja e shekullit” (me koreografi, kostumografi, skenografi dhe muzikë të Agron Bajramit,drejtor i shkollës së vallëzimit “Shota” nga Zvicra, ndërsa në regji dhe skenar të Kosovare Shabanit. Rolet i luajtën grupi i aktorëve të rinj dhe i valleve të shoqatës kulturore “Yjet e Kosovës“).

“Ndërkohë dëgjohej muzikë e përzier me historikun-monologu i ngritjes së flamurit në Vlorën e 1912-tës, me Plisa në Skenë në formën e simbolit të 100-vjetorit dhe në mes tyre një vashë, zanë e mbuluar me flamur. Kosovarja, lulja e shekullit të ri, hyri në skenë dhe foli: ka syresh që më kuptojnë, por ka edhe të atillë që nuk më kuptojnë. Derisa ata që nuk më kuptojnë më kërcënojnë, ata që më kuptojnë heshtin. Herën e parë iu drejtua shikuesve, e herën e dytë Kosovarja iu foli Plisave, atyre që kishin flijuar gjithçka për flamur dhe shtet, për liri. Ata/ ato e kuptojnë dhe më tutje heshtin.

Në fakt, ata/ato nuk heshtin, zgjohen nga varri dhe vijnë në këtë ditë të shënuar. Ndërkaq ajo – Kosovarja, e lëshon lulen dhe zë vend në anën e majtë të skenës, në anën e djathtë prej shikuesve… Muzikës klasike në vazhdim iu bashkua ritmi i daulleve në katër qoshet e sallës, pas tyre vinin burra dhe gra, të cilët iu afruan skenës. Derisa këta afroheshin, zëri i fëmijëve bëhej gjithnjë e më i fuqishëm derisa kulmoi. Secili nga burrat identifikohej me Plisin e vet, e vendosnin në kokë dhe zinin vend mu aty ku ishte Plisi.

Vajza e cila ishte e mbuluar me flamur duke e ndëgjuar muzikën, fillon të ngritet ngadalë, më pastaj fillon të qendisë flamurin dhe të qendisur i jep njërit prej katër burrave të parë, Ismajl Qemajlit, i cili po ashtu e kapi lulen dhe i zgjati vajzës duke iu drejtuar me: Lulja e shekullit…

Veçojmë nga rrjedha e programit artistik

Fjalë rasti për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë drejtuar të pranishmëve nga ministri i Diasporës së Kosovës, Ibrahim Makolli, fjalë përshëndetëse e Ambasadorit të Kosovës në Berlin, Skender Xhakaliu dhe ish-ambasadorit Vilson Mirdita, një program i pasur me valle festive nga shkolla e vallëzimit “Shota”, shkolla e muzikës në Emmendingen, të cilët performuan pjesë nga repertoari i tyre, Torta e pavarësisë e gatuar nga Samire Shabani që përgatitur për publikun nga Skender Xhakaliu, Vilson Mirdita, Ibrahim Makolli, Zef Prenka, Arif Hoi, Xhemshir Haziri, Nue Lekaj dhe më në fund edhe këngëtarët e mirënjohur Enkeleda Bashaj dhe Habib Elezi pasuruan festën madhështore në organizim të shoqatave dhe subjekteve të lartpërmendura.

Ky shekull i pavarësisë së shtetit shqiptar do të mbahet në mend për sakrificën e madhe të mbarë kombit tonë në bërjen e atdheut dhe ruajtjen e tij, veçanërisht të pjesëve të mbetura jashtë trungut të tij. “I përkulemi përjetësisht Ismajl Qemajlit, babait të pavarësisë së Shqipërisë, ideologut dhe arkitektit të pavarësisë së shtetit shqiptar, strategut Hasan Prishtina, gjeneralit të luftërave dhe krenarisë së kombit, Isë Boletini dhe të gjithë atyre burrave dhe grave që nuk kyrsyen jetën e tyre për të mirën e kombit, ndërsa pa veprimtarët dhe patriotët e mërgatës tonë jo vëtëm bërja e Shqipërisë shtet i pavarur, por as lufta dhe as pavarësia e Kosovës nuk do të mund të ndodhnin. Me këtë rast më lejoni që nëpërmes juve, të gjithë bashkatdhetarëve tanë mërgimtarë t’iu shpreh mirënjohjen më të thellë për këtë angazhim kombëtar”, (pjesë nga fjalë rasti, Ibrahim Makolli, ministër i Diasporës së Kosovës)

Opinione

Shoqata kulturore “Iliria” zyrtarisht është themeluar këtë vit dhe në gjirin e saj janë aktualisht 60 anëtarë. Bashkëpunojmë ngushtë me shoqatën “Yjet e Kosovës”. Mësimi plotësues në gjuhën shqipe është prioritet. Uroj që ideali i çdo shqiptari, bashkimi kombëtar, të arrihet sa më shpejt. (Arif Hoti, shoqata kulturore “Iliria” në qytetin Lahr)

Ekspozita e sotme së bashku me programin artistik më pëlqyen jashtëzakonisht së bashku me organizimin e mirëfilltë dhe prezencën e mysafirëve të rrallë. Uroj popullin shqiptar për festën e madhe, e dëshiroj sa më parë bashkimin kombëtar.(Vllaznim Haziri, student i Fakultetit Juridik në Osnabrūck)

100-vjetëshin e pavarësisë e kam festuar së pari me kolegët e mi studentë. Ndjehem shumë e lumtur që sot isha e pranishme edhe në ekspozitën e krijuesve tanë edhe në programin artistik të përcjellë me recitimet, pjesë skenike, këngë dhe valle shqiptare. Veçanërisht ndjehem mirë kur mendoj se kulturën tonë e pëlqejnë edhe të tjerët dhe kemi me çka krenohemi edhe para botës.(Agneta Osmani, studente e Linguistikës në Stuttgart)

Zemra ime është bërë mal. Thënë të drejtën; kam jetuar tërë këtë vit për këtë ditë. E kam përjetuar ditën e sotme si të jashtëzakonshme. Uroj shqiptarët kudo që janë për Ditën e Pavarësisë dhe ngritjen e flamurit. Mendoj se duhet të punohet me shumë zell rreth këtij flamuri që në të ardhmen të bëjmë, të jemi dhe të kemi rrugë të mbarë për bashkimin tonë kombëtar. (Ali Osmani, bashkatdhetar që jeton në periferi të qyretit Freiburg)

Këshilli organizativ falënderon me këtë rast të gjithë ata që ndihmuan në realizimin me sukses të këtij manifestimi si dhe sponzorët; Wolksbankën në Emendingen, Habib Elezi, Sanije Shabani, Bedri Blakqori, Avni Shabani dhe Beqir Dervishaj.(albinfo)