Eko Higjiena

Tahiri i përgjigjet Mustafës: Për 10 vjet ju do të mbaheni mend për pengimin e formimit të ushtrisë dhe themelimin e Asociacionit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i ka reaguar kreut të LDK-së, Isa Mustafa i cili tha se Tahiri së bashku me Thaçin, Veselin dhe të tjerët po gënjejnë se ai dhe LDK-ja kanë themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është pikërisht Mustafa që me marrëveshjen e tij i mundëson Asociacionit për t’iu drejtuar drejtpërdrejtë Gjykatës Kushtetuese duke krijuar kështu një linje horizontale ngjashëm si organet qendrore të Republikës tonë.

Eco Higjiena

Postimi i plotë:

Diskursit politik naiv dhe të papërgjegjshëm të zhvilluar së fundmi rreth dialogut, i ka munguar vetëm edhe firma e Isa Mustafës, i cili sonte u përpoq të vulosë me duart e veta logjikën e shfajësimit për përgjegjësitë që ka ai dhe partia e tij, për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Se si ka nisur ky dialog dhe se si janë arritur marrëveshjet është fakt i ditur botërisht, ngjashëm siç është e ditur botërisht edhe përmbajtja e Marrëveshjes së Prillit të 2013-tës. Aty është folur për themelimin e Asociacionit, si një bashkësi vullnetare e themeluar përmes një statuti, të cilës do të mund t’i bashkëngjiteshin edhe komunat tjera mbi baza tërësisht vullnetare. Por ajo çfarë nuk dihet dhe që nuk e shfajëson Mustafën dhe as partinë e tij, është devijimi nga këto parime në Gusht të 2015-tës, ku i njëjti ka nënshkruar marrëveshje të veçantë për themelimin e Asociacionit, duke lejuar që parimet e marrëveshjes së Prillit të 2013-tës, të deshifrohen sipas mënyrës së të kuptuarit të atyre që këtë asociacion e kanë parë si mundësi për të prodhuar një republike serbe në Kosovë. Nuk është marrëveshja e 2013-tës e Thaçit, por ajo e 2015-tës e Mustafës e cila u bë subjekt i interpretimit të Gjykatës Kushtetuese dhe që mori përgjigjen e merituar nga kjo Gjykatë. Është pikërisht Mustafa që me marrëveshjen e tij i mundëson Asociacionit për t’iu drejtuar drejtpërdrejtë Gjykatës Kushtetuese duke krijuar kështu një linje horizontale ngjashëm si organet qendrore të Republikës tonë. Kjo atëherë, sot dhe gjithmonë është dhe do jetë e pa pranueshme. Naivitetin e skajshëm të shfajësimit, Mustafa e shfaqë edhe në pretekstin se ka kërkuar garanci për një gjë që e ka nënshkruar me duar të veta. Fatkeqësisht, nga 17 Shkurti i 2008, pas plotë një dekade të shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa do të mbahet mend vetëm për dy gjëra: që ka penguar formimin e Forcave të Armatosura dhe që ka vënë themelin e një republike serbe brenda Kosovës. /Telegrafi/