Mobi Casa

Ta sfidosh sigurinë!

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Burim Ramadani – Kur një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve të Kosovës ia mësynë Evropës si emigrantë ilegalë, kjo është dashur të shihet si një prej sinjaleve të fuqishme të sfidimit të mundshëm të sigurisë. Kjo flet shumë për nivelin e pakënaqësisë dhe, sëkëndejmi, edhe për gatishmërinë e sakrifikimit të tyre për një jetë më të mirë. Prandaj, fjalë më të buta e punë më shumë!

Ta sfidosh sigurinë në Kosovë, nuk është aq e vështirë. Jo pse Kosova nuk ka institucione të mjaftueshme të sigurisë, por për shkak të nivelit të lartë të pakënaqësisë qytetare. Kjo pakënaqësi është ndërtuar ndër vite dhe nuk krejt lehtazi e llogaritshme kur mund të shpërthejë mllefi.

Tash, por edhe në javët në vijim, secili prej nesh mund të argumentojë ndryshe-ndryshe se përse, kur dhe si është arritur kjo shkallë e pakënaqësisë popullore. Edhe t’i identifikojmë përgjegjësit apo fajtorët, varësisht prej qasjeve politike, ideologjike, grupore apo shoqërimit individual.

Por, kjo nuk po besoj se është më e rëndësishmja, tash, në këtë moment.

Më e rëndësishmja është se si të gjendet rruga politike e institucionale, qytetare e shoqërore për të mos ndikuar në thellimin e pakënaqësive. Sepse, pakënaqësia e akumuluar nuk është e sotme. Nuk është, besa, as vetëm e djeshme. As nuk lidhet vetëm me një veprim të caktuar së vonshmi.

Janë të mërzitur nga korrupsioni e krimi, nga familjarizmi e partiakizimi, nga mungesa e vendeve të reja të punës dhe nga shtrenjtimi i vazhdueshëm i rrymës, sikurse edhe haraçi legal që bëjnë Bankat në Kosovë.

Besa, është më shumë se kaq! Është akumulim!

Sepse, shoqëria kosovare, që po kalon nëpër transicion, është më e ngadaltë. Nuk reagon në mënyrë të atypëratyshme. Dhe, jo vetëm shoqëria kosovare, por të gjitha shoqëritë në transicion nuk kanë dëshmuar ndonjë afinitet të reagimit të shpejtë. Kryesisht kanë besuar në “ditën më të mirë”, derisa ajo “dita më e mirë”, me kalimin e viteve, i është dukur se po i bëhet më e largët dhe më e largët.

FIDANISHTJA

Qytetari i Kosovës, në individualitet apo në kolektivitet, ka plotësisht të drejtë të ndihet i pakënaqur. Sepse, pritjet i ka pasur të mëdha. Shpresën e ka pasur pothuajse utopike. Dhe, realja ka qenë pak e llogaritur.

Kështu, kurba e zhgënjimit është rritur gradualisht, por pandalshëm.

Siguria e Kosovës mund të sfidohet. Dhe, këtë po e bëjnë shumë. Me apo pa vetëdije, me apo pa motiv. Por, assesi sfidimi i sigurisë nuk duhet të shihet vetëm si veprim radikal. As i dhunshëm. Sfidimi i sigurisë është edhe deklarativ. Edhe nga mosveprimi. Edhe nga mostransparenca.

Prandaj, gjuha politike në diskursin publik duhet të jetë tjetër nga kjo që po shohim sot. Momentet u ngushtimit politik nuk duhet të kthehen në momente dhune verbale. Secili ka nevojë për gjetjen e një gjuhe të argumentuar politike e institucionale, gjuhë kjo që do të jepte hapësirën më të mirë për të formuluar vizione, plane e dije.

Në secilin vend në transicion, institucionet kanë pasur sfida të mëdha të funksionimit. Sepse, kanë kaluar nga një sistem (kryesisht nga sistemi totalitar) në një sistem tjetër (në demokraci). Dhe, sikurse shihet në disa shtete, shoqëritë kanë dëshmuar kthesa negative kah sistemi autoritar. Rusia është shembulli më përfaqësues i këtyre problemeve shoqërore në transicion.

Kur një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve të Kosovës ia mësynë Evropës si emigrantë ilegalë, kjo është dashur të shihet si një prej sinjaleve të fuqishme të sfidimit të mundshëm të sigurisë. Sepse, kjo flet shumë për nivelin e pakënaqësisë dhe, sëkëndejmi, edhe për gatishmërinë e sakrifikimit të tyre për një jetë më të mirë.

Prandaj, fjalë më të buta e punë më shumë!