Uji Dea

Ta refuzojmë dhe raportojmë korrupsionin

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Muhamet Mustafa deputet dhe drejtues në Riinvest tha se në Kosovë duhet të krijohet një masë kritike duke e refuzuar dhe raportuar korrupsionin. Qemajl Mustafa tha se Gjilani po krijon kushte për bizneset edhe pse ende larg për të krijuar klimë për investitorët.

“Sfidat dhe pengesat e zhvillimit të sektorit privat në komunën e Gjilanit dhe reagimi institucional”, kjo ishte tema e tryezës së organizuar nga Komuna e Gjilanit (drejtoria për zhvillim ekonomik) dhe Institutit Riinvest e ku morën pjesë ekspert, biznesmen etj.

Komuna e Gjilanit dhe Instituti Riinvest kanë bërë një hulumtim që flet për pengesat në zhvillimin e sektorit privat . Edhe paneli i referuesve, por edhe Qemajl Mustafa si kryetar i komunës dhe Muhamet Mustafa si ekspert nga Riinvest janë fokusuar në identifikimin e pengesave, politikave dhe të diskutimit të opsioneve për të tejkaluar situatën aktuale.

Qemajl Mustafa duke folur rreth klimës së krijuar për bizneset në Gjilan tha se pengesat në sektorin privat janë evidente. “Investimet në Kosovë po vijnë me një vëllim të vogël dhe ky është një reflektim jo i mirë edhe në nivel lokal” u shpreh Mustafa.

Sipas Mustafës Gjilani po vazhdon të krijojë kushte për bizneset duke ndërtuar e krijuar sektorë e drejtorate të posaçme që merren me lehtësirat e bizneseve, por ende jemi larg për të krijuar klimë për investitorët sepse kemi një konkurrencë jo të shëndoshë.

Ndërsa Riad Rashiti drejtor për zhvillim ekonomik tha se bizneseve për çdo ditë po u krijohen lehtësira, por në këtë rrugë ka edhe vështirësi.

RCCOLA

Sipas Rashitit nga 2100 biznese vetëm 315 prej tyre janë të paregjistruara ose në shifrën prej 16 %. Rashiti ka përmendur një të dhënë sa interesante aq edhe shqetësuese. “Nga 2295 biznese vetëm 7 prej tyre kanë dhenë vërejtjet për punën e institucioneve” .

Kurse Alban Zogaj nga Riinvest i cili prezantoj një studim për punën e bizneseve dhe pengesat e tyre në Gjilan tha se në fillim si pengesë është shtruar rryma, infrastruktura, sundimi i ligjit, shkathtësitë e fuqisë punëtore, pajisja me leje etj. Ndërkaq si pengesë në punën e bizneseve janë shtruar konkurrenca jolegale dhe e padrejtë , korrupsioni, krimi dhe vjedhja, funksionimi i drejtësisë etj.

Riad Rashiti nuk është pajtuar me të dhënat e ofruara nga Riinvest me arsyetimin se bizneset në Gjilan nuk kanë shfaqur asnjëherë këtë përceptim. Por drejtuesit e Riinvest thanë se këto mostra janë në nivel Kosove , por që janë të përfshira edhe anketat e bëra në Gjilan.

Muhamet Mustafa ekspert tha se për të pasur një ekonomi të qëndrueshme dhe të shëndoshë dhe për të pasur një shtet stabil në Kosovë duhet të krijohet një masë kritike duke e refuzuar dhe raportuar korrupsionin.”Ne nuk guxojmë të heshtim para së heqës sepse nëse nuk bashkëpunojmë dhe nuk komunikojmë në nivele profesionale dhe nuk kritikojmë atje ku duhet atëherë Kosova vështirë të ecë përpara “ ka thënë Mustafa.

Sipas tij në Kosovë mjedisi biznesor nuk ka kushte për investitor, aq më tepër kur kemi një shifër alarmuese të papunëve mbi 40 %.

Muhamet Mustafa e ka quajtur absurde dhe skandaloze vendosjen e taksës për qytetarët e Kosovës Lindore. Në këtë tryezë kanë shtruar pyetje edhe përfaqësuesit e bizneseve të pranishëm si Afrim Arifi dhe Shkëlzen Bajraj./rajonipress/