Sytë kah Shaqiri

Xherdan Shaqiri ka nisur të ushtrojë me ekipin e ri, Interin. Ylli kosovar u mirëprit nga trajneri i “Nerrazzurrëve”, Roberto Mancini. Por, ky i fundit tha se 23-vjeçari nuk është i gatshëm të luajë të dielën ndaj Genoas, sepse rrezikon të lëndohet. Ndërsa, serbët ndihen të provokuar nga këpucët e Shaqirit me flamur të Kosovës.
Xherdan Shaqiri i ka nisur stërvitjet me ekipin e tij të ri, Interin, në të cilin u transferua nga Bayern Munichu. Madje, ylli kosovar po kënaqet në Milano në mesin e “Nerrazzurrëve”. Futbollisti më i mirë i Përfaqësueses së Zvicrës është mirëpritur edhe nga trajneri i tij, Roberto Mancini. Ky i fundit beson se Shaqiri, por edhe disa ardhje tjera të reja, mund ta ndihmojnë Interit që të ngjitet lart, pasi aktualisht e zë vendin e njëmbëdhjetë, me vetëm 22 pikë, 18 më pak sesa lideri Juventusi.
“Kam biseduar me Shaqirin, duke i thënë se jemi klub i madh, ekzistojnë pak klube si ky i yni. Kemi joshje të madhe, ndoshta disa e shohin një klub në vështirësi, por me përforcimet e reja mund të rikthehemi në kulm”, ka deklaruar Mancini gjatë konferencës për shtyp të shtunën.
Shefi i shtabit teknik të Interit është pyetur se a do të luajë Shaqiri të dielën ndaj Genoas. Mancini theksoi se 23-vjeçari posa ka mbërritur në Milano, andaj nuk është i përgatitur mirë për lojë.
“A mund të luajë Shaqiri? Vetëm 3-4 minuta. Nuk mendoj se mund të luajë, ka pushuar nga 19 dhjetori dhe nuk dua që të lëndohet”, theksoi ai. Mancini po ashtu ka treguar se kishte dhënë kontribut të madh që ta bindë Shaqirin për të shkuar në “Giuseppe Meazza”.
Ndërkohë, “Sky” ka raportuar se mesfushori 23-vjeçar e ka befasuar stafin teknik të ekipit italian me formën e tij atletike. Andaj, “Sky” thekson se kosovari pritet të jetë në bankën e rezervistëve të Interit për ndeshjen e së dielës kundër Genoas, dhe ka gjasa të debutojë në “Giuseppe Meazza”.
Serbët, të provokuar nga këpucët me flamur të Kosovës
Xherdan Shaqiri i ka nisur stërvitjet me Interin, pjesë e të cilit ekip janë edhe dy futbollistët serbë: Nemanja Vidic dhe Zdravko Kuzmanovic. Normalisht, kosovari në Milano ka shkuar me këpucët e njohura të futbollit, në të cilat kaherë mban flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, krahas atij zviceran.
Dhe, kjo ka bërë që mediat serbe ta akuzojnë Shaqirin, për të cilin thonë se me ato këpucë futbolli i provokon dy lojtarët serbë të Interit.