Sylejman Shaqiri sërish i favorizuar për drejtor të RTK-së

Prishtinë – Në tre vjetët e ardhshëm pritet të shihni të njëjtin Radiotelevizion të Kosovës (RTK), sikur që e keni parë në tre vjetët e shkuar. Kjo për shkakun se, sipas një burimi të gazetës, favorit për ta drejtuar transmetuesin publik gjatë kësaj periudhe kohore është drejtori aktual Sylejman Shaqiri.
Krahas Shaqirit, në garë për drejtor të përgjithshëm janë edhe: Muharrem Nitaj, Ragip Luta, Mentor Shala, Jeton Budima, Zymer Veliu dhe Zymer Kelmendi. Burimi i gazetës ka thënë se tre të fundit kanë gjasa minimale për të realizuar synimin në RTK, ndërsa tre të parët dhe drejtori aktual kanë gjasat më të mëdha. Të katërtit, sipas burimeve brenda RTK-së, gëzojnë mbështetje në grupe të caktuara politike.
“Midis katër favoritëve, gjasat më të mëdha i ka Syla (Sylejman Shaqiri v.j.). Ka qenë i dëgjueshëm dhe i hapur ndaj të gjithëve në këta tre vjet dhe tani vërehet një disponim për të vazhduar me situatë të njëjtë në RTK”, ka thënë burimi i gazetës. “Mentori (Mentor Shala v.j.) i ka raportet më të mira me njerëzit e Qeverisë, por ekziston presion i madh publik që ai nuk duhet ta drejtojë RTK-në, shkaku i kësaj afërsie të shprehur ashiqare”.(koha)