Fundamenti

SVP kundër vendimit të gjykatës për mosdëbimin e shqiptarit

/ 2 minuta lexim

Vendimi i Gjykatës Federale të Zvicrës për mos dëbimin nga Zvicra të një shqiptari të Maqedonisë, ka zemëruar shumë SVP-UDC-në. “Gjykata Federale me këtë vendim vë në pikëpyetje demokracinë e drejtpërderejtë të Zvicrës dhe sovranitetin e vendit. Ligjvënësit dhe populli po përjashtohen nga vendimmarrja”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Pasojë e parë e kësaj shpërfilljeje, sipas SVP-së do të ishte një përparësi mbizotëruese e të drejtës ndërkombëtare ndaj asaj zvicerane. Në këtë mënyrë mund të bëhej madje edhe hyrja e Zvicrës në BE pa një vendim të marrë nga populli.

UBT

Sipas SVP-së, më tutje, Gjykata Federale me këtë vendim është duke e shkelur parimin e ndarjes së pushteteve dhe po merr rolin e ligjvënësit. Nisur nga kjo gjendje, SVP do të marrë të gjitha masat që në të ardhmen e drejta vendore të mos mbikalohet nga e drejta ndërkombëtare. Populli dhe parlamenti duhet të jenë edhe më tutje ligjvënësit e Zvicrës. Ndërkohë, SVP është duke shqyrtuar se cilët hapa duihet t`i ndërmarrë për të siguruar ruajtjen e këtij parimi.

Vendimi që ka marrë Gjykata Federale lidhet me rastin e një shqiptari 25 vjeçar, shtetas të Maqedonisë, i cili ishte dënuar me një vjet e gjysmë burg. Bazuar në të drejtën e votuar nga populli për “dëbimin e të huajve kriminelë”, ai duhej të dëbohej nga Zvicra. Mirëpo, i përmenduri ka bërë ankesë në Gjykatën Federale, e cila e ka revokuar qëndrimin e instancave më të ulëta dhe kështu e ka anuluar vendimin për dëbim të tij në Maqedoni.(albinfo)