Surdulli: Qeverisja nga PDK-ja dhe Qemajl Mustafa rilindje për gjilanasit
Gjilan – Pavarësisht investimeve në sasi, herë më shumë e herë më pak, kjo periudhë e qeverisjes pesë vjeçare nga Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetari i komunës Qemajl Mustafa, për gjilanasit është një rilindje, është shkëputje nga e kaluara, nga kaosi dhe anarkia e pushtetmbajtësve të LDK-së thotë në reagimin e tij Shefik Surdulli, derisa u përgjigjet akuzave të Lutfi Hazirit të bëra një ditë më herët.
Duke mos u pajtuar me vlerësimet, akuzat dhe konstatimet që ka dhënë Lutfi Haziri rreth vizitës së Hashim Thaçit dhe të metave që po reflekton qeverisja lokale, Shefik Surdulli përgjegjës i zyrës për informim thotë se tashmë është bërë zakon, që të shtunave të presim çfarë “haberi” po sjell Luta prej LDK-je! Duhet ta themi pa ngurrim, se është për t’u admiruar guximi i zotit Haziri, se si akoma ai mbanë shpresën për kthimin e tij në “fron”, aty ku ishte dikur.
“Pavarësisht investimeve në sasi, herë më shumë e herë më pak, kjo periudhë e qeverisjes pesë vjeçare nga Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetari i komunës Qemajl Mustafa, për gjilanasit është një rilindje, është shkëputje nga e kaluara, nga kaosi dhe anarkia e pushtetmbajtësve të LDK-së” ka thënë Surdulli.
Surdulli e ka përkujtuar Hazirin se projektet, si “Mirusha” e Universiteti Publik i Gjilanit, që i zë në gojë Lutfi Haziri, janë projekte madhore që kanë nisë nga PDK-ja, do të përfundojnë dhe do t’ia lënë radhën të tjerave projekte shumë të rëndësishme për Gjilanin dhe qytetarin tonë, sipas projektimeve afatgjate nga lidershipi i PDK-së në qeverisje.
“Miliona euro investime kemi bërë për këtë pesëvjeçar, përmes së cilave i kemi sjell hijeshinë qytetit e fshatit tonë të bukur, e qytetarit ia kemi kthyer krenarinë e dinjitetin e nëpërkëmbur nga ju dhe partia juaj. Pse ju nuk e bëtë “Mirushën”, ose pse të paktën nuk e filluat?! Pse…? Jo, se as ëndërr nuk keni mund ti shihni. Prandaj, vizitat e Kryeministrit Thaçi në Gjilan, ju trembin ju, se janë pikërisht për t’i mbështetë këto dhe të tjera projekte madhore për Gjilanin dhe regjionin, ngase gjumi juaj ishte i thellë zoti Haziri”.
Sipas tij pos një “CV”-je të pasur me alamet pozite e funksioni, nga ato lokale e deri te ato më të ndryshmet shtetërore (kryetar komune, ministër e zëvendëskryeministër, deputet e prapë deputet…), për tjetër gjë nuk mund të krenohet zoti Haziri, sepse ka lënë prapa vrragët e një qeverisje shëmtuese.
“Ne për çdo ditë, me transparencë të plotë, përballemi më qytetarin, me të mirat e te metat që na përcjellin. Edhe me ju si opozitë, jemi përballur ne Kuvend e kudo në arenën demokratike, politike – institucionale. Asnjëherë s’e kemi pasur hendikep dhe as që do ta kemi ndonjëherë. Shih seancën e fundit të Kuvendit të Komunës, ku kuvendarët tuaj, të trazuar nga gishti i një funksionari të PDK-së në Komunë, drejtuar kah njerëzit tuaj, me fakte e argumente të shkruara, me emër e mbiemër, për të bëmat tuaja të atëhershme, për tërmetin, kaosin e anarkinë në shkolla, etj, ikën me zhurmë nga kjo arenë ballafaqimi. Dhe, ç’thanë ndërkohë ata në një konferencë shtypi?! U sollën e u mbështollën rreth raportit financiar për të njejtat gjëra që i thanë pakufi, aty ku ishin deri atëherë. Por, nuk thanë asnjë fjalë të vetme për “plagën”, për pretekstin e ikjes nga Kuvendi! “ ka shtuar Surdulli.
Ne gjithsesi do të përballemi, edhe nesër, pasnesër…, pat zgjedhje s’patë. Sepse kemi për çka të flasim. Po zoti Haziri çfarë do t’u thotë qytetarëve?! Kujton ai se mund t’i mashtrojë sërish ata duke i futur në kurthet e moçme!
Domosdoshmërisht, qytetari do t’i krahasoj dhe do të gjejë dallim të madh, pakrahasimisht të madh nga ajo ç’bëri LDK-ja e Haziri për tetë vite, dhe ajo ç’bëmë ne për këtë periudhë të qeverisjes.
Prandaj, dihet qartë, se skena politike në Kosovë e Gjilan, nuk ka autoritet më të përgjegjshëm se Partinë Demokratike të Kosovës, nga viti 1999 e këndej, përkundër vështirësive që na kanë përcjell thuhet në reagimin e zyrës për Informim të nënshkruar nga Shefik Surduli./rajonipress/


