Fundamenti

Surdulli: Besimin ua kthejmë me punë të ndershme për zhvillim dhe punësim

/ 4 minuta lexim

Kamenicë – Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, u kërkoi të premten qytetarëve të kësaj komune mbështetje përmes votimit më 1 dhjetor, për ta vazhduar rrugën e përparimit, zhvillimit, punësimit dhe të suksesit. Anëtari i kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, ndërkaq u shpreh i bindur se edhe në Kamenicë, sikurse edhe në komunat tjera të Anamoravës, Gjilan e Viti, LDK-ja po kthehet bindshëm, si nevojë e qytetarëve për kujdesin e shtetit ndaj tyre.

“Mbështetja juaj e fuqishme më 1 dhjetor do të jetë përgjegjësi për ne, që të punojmë në interes të secilit qytetar, përparimit të komunës sonë, qytetit dhe të gjitha fshatrave, pa asnjë dallim”, tha Surdulli.

Ai tha se programi i LDK-së është garanci se në komunën e Kamenicës, mandati i ardhshëm qeverisës do të jetë mandat i zhvillimit dhe punësimit më të madh të qytetarëve, i përkrahjes së bizneseve të tanishme dhe i hapjes së bizneseve të reja, i rritjes së investimeve dhe projekteve mbështetëse ndërkombëtare, duke shtuar se garanci për zhvillimin e kësaj komune do të jetë edhe qasja e qeverisë së ardhshme të Kosovës, e cila do të drejtohet nga LDK-ja, e cila sigurisht do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare së shpejti.

“Qytetarët dinë t’i çmojnë vlerat dhe punën e mirë. Ne njihemi të gjithë dhe kam besim se do ta vazhdojmë rrugëtimin tonë të përbashkët. Edhe pse individët e dy-tri subjekteve kanë bërë një koalicion, ai është koalicion mes individëve që nuk kanë punuar për interesat e qytetarëve, por për interesat e tyre personale. Ajo marrëveshje nuk është transparente dhe si e tillë ajo do t’u kthehet në humbje më 1 dhjetor”, tha Surdulli.

Sipas tij, me vullnetin e lirë të tyre, qytetarët e Kamenicës do të tejkalojnë dallimet partiake dhe do ta mbështesin alternativën qeverisëse të LDK-së. Prandaj, ai u bëri thirrje edhe atyre që në raundin e parë kanë votuar për kandidatë të partive tjera, t’i bashkohen programit qeverisës të LDK-së, i cili udhëhiqet nga qëllimi më i mirë për interesin e qytetarëve.

Mobi Casa

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, ndërkaq u shpreh i bindur se edhe në Kamenicë, sikurse edhe në komunat tjera të Anamoravës, Gjilan e Viti, LDK-ja po kthehet bindshëm, si nevojë e qytetarëve për kujdesin e shtetit ndaj tyre.

“Kamenica e ka vetëm një fitues dhe ai është Shaip Surdulli, i cili ka udhëhequr mirë komunën e Kamenicës. Atë që ka bërë Kamenica para katër vjetëve, po e bëjmë tash në Gjilan, Viti, Prizren, Ferizaj. Kjo është dëshmi e gjallë se ushtarët e Ibrahim Rugovës janë ngritur në këmbë. Sot po kthehet LDK-ja fuqishëm që po konfirmohet si partia e parë në Kosovë dhe duke qenë partia e parë, është sigurt se në zgjedhjet parlamentare LDK-ja do të fitojë besimin e qytetarëve për të udhëhequr me Kosovën”, tha Haziri.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kamenicës të dalin masivisht në votime më 1 dhjetor dhe ta votojnë Shaip Surdullin, për ta vazhduar rrugën e qeverisjes së mirë dhe përparimit të kësaj komune.

Ai theksoi se mbështetja për LDK-në në zgjedhjet lokale dhe në ato parlamentare vitin tjetër, do t’i japë fund diskriminimit që qeveria aktuale u ka bërë banorëve të Anamoravës.

“Gjilani ka marrë dy herë më pak para se Peja, 10 herë më pak se Malisheva. 13 vjet kemi duruar, kemi ndenjur në pritje, shpresë e besim që dora e shtetit do ta prek çdo qytet”, tha Haziri, duke shtuar se ka ardhur koha që qeverisja e vendit t’i besohet programit të LDK-së, që bazohet në vlerat e qytetarit, familjes dhe besimit në zot, për ta ndryshuar këtë gjendje dhe për ta vendosur Anamoravën në prioritetin e investimeve të shtetit thuhet në njoftimin e degës së LDK-së në Kamenicë./rajonipress/