Suma: Nuk i përdori paratë publike për çështje personale

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma ka thënë se vazhdon të jetë sfidë papunësia, pasi që privatizimi vetëm sa ka rritur numrin e të papunëve. Edhe numri i rasteve sociale gjatë vitit që po e lëmë pas është rritur.

Suma kështu deklaroi në një intervistë për “Kosovapress, i cili edhe më tej vazhdon të mbetet ndër kryetarët e pakët, apo dhe i vetmi, i cili vazhdon të mos i shfrytëzojë privilegjet, të cilat i takojnë si kryetar komune.

Kartela e tij në vlerë prej 3 mijë euro, vazhdon të mos jetë e shfrytëzuar, pasi që këtë të drejtë ai ia mohon vetës dhe se këtë sipas tij, do të duhej ta bënin edhe shumë kryetarë të komunave tjera, në mënyrë që të mos përdoren paratë publike për luks.

Suma thotë se deri më tani asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar këtë kartelë dhe nuk e ka ndërmend ta shfrytëzojë atë për nevojat e tij personale.

Kjo që ai po bënë, sipas tij do të duhej të jetë shembull edhe për kryetarë të komunave tjera, sidomos për ata që keqpërdorin paranë publike.

Suma i cili ka folur për të arriturat dhe projektet gjatë këtij viti në komunën që ai udhëheq, thotë se sfidë vazhdon të mbetet mungesa e ujit të pijshëm dhe papunësia. Sipas tij me privatizimin e ndërmarrjeve në këtë pjesë të vendit, vetëm sa është shtuar numri i të papunëve. Ai thotë se me privatizimin e Terminalit Doganor, më tepër se 100 punëtorë janë larguar nga ky terminal.

Gjithashtu, edhe kohen e fundit me ndërprerjen e prodhimit nga Fabrika e Çimentos, ka filluar një panik të punëtorët, pasi që edhe këta punëtorë, mund të mbeten pa punë, në rast se bëhet mbyllja e fabrikës.

Ndërsa sa i përket gjendjes ekonomike në përgjithësi në këtë komunë, ai thotë se ka pasur ngecje dhe se numri i rasteve sociale është rritur gjatë këtij viti nga 210 sa ka qenë në vitin paraprak në 230 gjatë vitit 2012.

Kurse, edhe pse është i vetmi kandidat i pavarur, i cili udhëheq një komunë, pohon se bashkëpunimi me spektrin politik të komunës, është jashtëzakonisht i mirë.

Ndërkaq, synim i tij dhe për vitin në të cilin po hyjmë mbeten realizimi i projekteve të pakta, që kanë mbetur pa u realizuar si dhe kujdesi për mbajtën e kontinuitetin me donatorët e jashtëm dhe vendor, në interes të qytetarëve të Hanit të Elezit.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS