Mobi Casa

Sulmuesit e Dritës mbushin portën e mysafirëve

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Stadium i qytetit në Gjilan. Shikues: 500. Gjyqtarë: A. Latifi, J. Musolli, R. Hyseni, B. Fejzullahu. Shënues: XH. Shabani ‘15, ‘89, Kelmendi ‘31, Berisha ‘37, Jashari ’44 (Drita) – Bushi ‘45, Shala ’90 (Fushë Kosova). Kartoni i verdhë: Limani.

Drita – Fushë Kosova 5:2 ( 4:1)

Drita: Latifi, Ahmeti, Hasani, Jashari (Tosuni), Syla, B. Shabani (Emini), Berisha, Limani, Kelmendi (Murati), Xh. Shabani, Ramushi.

Fushë Kosova: Neziri, Mjaku, Pllana, Karabegu, Gojnovci, Breznica, Shabani, Krasniqi (Shillova), Jashanica (Haliti), Bushi (Dumoni), Shala.

Drita e Gjilanit ka shënuar fitore të rëndësishme, duke mundur skuadrën e Fushë Kosovës me rezultat bindës. Drita pas disa lojërave jo efikase, më në fund ka treguar se di të shënojë duke mposhtur kundërshtarin pesë herë dhe po të ishin sulmuesit më të koncentruar kanë mundur të shënojnë edhe po aq gola.

Rastet për shënim për vendasit kanë filluar që nga fishkëllima e parë e gjyqtarit, por sulmuesit e Dritës nuk kanë mundur të shënojnë deri në minutën e 15. Kelmendi këmbëshpejtë kalon disa mbrojtës mysafirë, madje kalon edhe portierin e Fushë Kosovës, por gjuajtjen e tij e ndal mbrojtësi Gojnovci, që e dëbon për shkurtazi deri te Xh. Shabani që nga afërsia shënon për epërsinë fillestare.

Në minutën e 31, Drita ka shënuar edhe golin e dytë, ndërsa tani golashënues ishte Kelmendi që ka pranuar top nga Berisha dhe me një gjuajtje të saktë ka mposhtur portierin Neziri të Fushë Kosovës.

Eco Higjiena

Epërsia e Dritës në 3:0 është arritur në minutën e 37, ndërsa shënues ka qenë Berisha, i cili bukur është shërbyer nga Xh. Shabani dhe nga një pozitë ballore godet këndin e poshtëm të majtë të Nezirit.

Vendasit nuk ndalen edhe përkundër epërsisë së lartë dhe një minutë para përfundimit të pjesës së parë kanë shënuar edhe golin e katërt dhe kësaj radhe golashënues ka qenë Jashari, i cili vetëm ka ndërruar drejtimin e topit për në rrjetë pasi më parë krejt punën e kishte kryer Limani.

Mysafirët golin e shpresës për të kthyer rezultatin e kanë shënuar në kohën shtesë të pjesës së parë, përmes sulmuesit të tyre Bushi, me shpresë se në pjesën e dytë do të luajnë më mirë.

Edhe pjesa e dytë ka qenë me shumë raste. Deri në minutën e 89, ka pasur raste të panumërta si për skuadrën vendase, por edhe për atë mysafire. Në minutën e 89, ai që e nisi me gola për Dritën edhe e përfundoi me shënimin e golit të pestë dhe ky ishte Xh. Shabani, i cili nga largësia shënon gol të bukur. Një minutë më vonë, mysafirët kanë shënuar golin e dytë përmes sulmuesit Shala, që me gjuajtje nga largësia shënon gol të bukur duke lënë të shtangur portierin Latifi.

Thanë pas ndeshjes:

Trajneri i Dritës, Afrim Shahini, tha se futbollistët e Dritës u angazhuan shumë në këtë ndeshje. Këto pikë janë të rëndësishme dhe do të ndikojnë në kthimin e moralit tek lojtarët.

Trajneri i Fushë Kosovës, Remzi Gojnovci. Luajtëm dobët dhe angazhimi i futbollistëve të mi ka qenë nën çdo nivel. Vendasit kanë qenë shumë më të mirë dhe fitorja e tyre është plotësisht e merituar./rajonipress/