Eko Higjiena

Sulmohet drejtori i Bujqësisë së Dragashit Bajram Hoxha

/ 2 minuta lexim

Dragash – Në mëngjesin e së premtes, nga një punëtor i organeve të administratës, është sulmuar drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë, Inspektoratit dhe Zhvillimit Rural, Bajram Hoxha, i përkatësisë boshnjake.

Sipas burimeve të gazetës, sulmi ishte rrjedhojë e një fjalosje dhe akuzave të ndërsjella.

Ky sulm është dënuar ashpër nga partia boshnjake “Vatan”, anëtar i së cilës është edhe Hoxha, e cila në koalicion me PDK-në drejton këtë Komunë.

Mobi Casa

Në reagim e këtij subjekti politik për opinion, nënvizohet se Vatan dënon ashpër sulmin në drejtorin e Ekonomisë, Pylltarisë, Inspektoratit dhe Zhvillimit Rural, Bajram Hoxha, që ka ndodhur në hapësirat e Komunës së Dragashit, më 22 qershor, sulm ky fizik që është kryer nga zyrtari Ramadan Krasniqi”, thuhet në komunikatë. Nga organet e rendit dhe gjykata kërkohet që kryerësi i këtij akti të marrë dënimin e merituar, që kryetari i Komunës të ndërmarrë masa disiplinore, konform ligjeve në fuqi, ndërsa qytetarët ta ruajnë qetësinë.

Përpjekjet e Kohës Ditore për të marrë informacione shtesë nga drejtori Hoxha ishin të kota, ngase telefoni i tij ishte i mbyllur. Sherfi Aga, nënkryetar i Asamblesë komunale, ka theksuar se “sulmi ndaj drejtorit Hoxha nuk është vetëm sulm ndaj një drejtori të komunitetit boshnjak, por është edhe sulm kundër organeve të administratës, e në veçanti kundër krijimit të klimës së mirëbesimit ndërmjet komuniteteve”.

Ndërkaq, kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, pasi ka bërë të ditur se sipas informacioneve që ka ai, sulmi ka ndodhur jashtë ndërtesës së Komunës, megjithatë, duke qenë se sulmuesi është punëtor i administratës, do të merren masa disiplinore. “Gjykojmë rastin e sulmit ndaj drejtorit Hoxha. Sipas informacioneve që kam, ai është kryer jashtë objektit të Komunës. Por, pavarësisht nga kjo, ne do të ndërmarrim masa disiplinore, në përputhje me aktet në fuqi”, ka thënë Jenuzi.