Suksese,Majlindë!

Majlinda Kelmendi të mërkurën udhëtoi drejt Londrës për të marr pjesë në ngjarjen më të rëndësishme sportive në glob, në Olimpiadën ‘Londra 2012’.

Edhe pse atje do ta përfaqësojë Shqipërinë, xhudisten pejane e përcolli solemnisht edhe ministri i Sportit, Memli Krasniqi, i cili përveç që i uroi suksese, ia dorëzoi edhe flamurin e Kosovës. Ndërsa, 21 vjeçarja tha se drejt ‘Londrës 2012’ po shkon e përgatitur si asnjëherë më parë për ta përfaqësuar sa më mirë gjithë kombin shqiptar.

Sportistja e vetme kosovare që e ka siguruar normën e pikëve olimpike, Majlinda Kelmendim, të mërkurën ka udhëtuar drejt Londrës për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’.

Por, para nisjes drejt Londrës, xhudisten pejane dhe trajnerin e saj Driton Kuka i ka pritur në një takim solemn në kabinetin e tij ministri i Sportit, Memli Krasniqi.

Ai e kishte organizuar një pritje të ngrohtë për olimpisten e vetme kosovare, e cila në ‘Londra 2012’ do ta përfaqësojë Shqipërinë, ngase Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk e pati lejuar që në Olimpiadë ta valëvisë flamurin e Kosovës.

Megjithatë, në mënyrë simbolike, Krasniqi ia dhuroi Kelmendit flamurin e Kosovës – ashtu siç bëjnë institucionet e shteteve të ndryshme kur i përcjellin sportistët e tyre nëpër Lojëra Olimpike – ndonëse pejania do t’i mbrojë ngjyrat kuq e zi të Shqipërisë.

“Majlinda, ti në Londër do të jesh prezent me dy flamuj”, i tha me këtë rast Majlindës ministri Krasniqi. “Është ky një moment i veçantë. Kjo është hera e parë që prej institucioneve të Republikës së Kosovës një sportiste kosovare niset në Olimpiadë për ta përfaqësuar kombin e saj, posaçërisht shtetin e vet. Prandaj është moment emocionues”, theksoi ai.

Krasniqi ia kujtoi Majlindës faktin se të gjithë shqiptarët anembanë globit do të jenë me sy kah ajo.

“Krenaria jonë në Olimpiadë do ta përfaqësojë Shqipërinë, gjithë kombin shqiptar, e posaçërisht shtetin e saj, Kosovën. Pavarësisht rrjedhës së atyre garave, Majlinda qysh tani është fituese, sepse ajo nuk është ftuar në Olimpiadë, por është kualifikuar. E një të arritur të tillë ka shtete që me vite të tëra e presin”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Majlinda Kelmendi theksoi se drejt Londrës po udhëton aq shumë e përgatitur si asnjëherë më parë. “Pas dy vite përgatitjesh e garash derisa e arrita normën olimpike, tani ka ardhur momenti final – Olimpiada. Por, dua t’ju njoftoj se jam e përgatitur si kurrë më parë. Unë ju premtoj se do ta jap maksimumin për t’ju përfaqësuar sa më denjësisht”, deklaroi Kelmendi.

Ajo pohoi se në ‘Londra 2012’ nuk i frikësohet asnjë konkurrenteje. “Jemi 23 garuese. Fakti që të gjitha jemi kualifikuar tregon se kemi kualitete afërsisht të njëjta. Por, unë vetëm dy-tri garuese i konsideroj si më të papërshtatshme. Mirëpo, në kësi gara të nevojitet edhe fati”, potencoi ajo.

Në anën tjetër, trajneri i saj Driton Kuka shprehu kënaqësinë që bashkë me Majlindën drejt Londrës u nisën nga kryeqyteti i Kosovës, e jo nga ndonjëri prej atyre kryeqyteteve të vendeve që u kishin bërë oferta të majme për t’i mbrojtur ngjyrat e tyre. Për këtë meritor e konsideroj ministrin Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, i uroi sukses Majlindës, të cilës i kujtoi se çdo shqiptar këto ditë është me të.

Pas këtij takimi, eskorta e ministrit Krasniqi e ka përcjellë Majlindën e Kukën drejt aeroportit ndërkombëtar ‘Adem Jashari’.(express)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS