RCCOLA

Subvencione edhe për bletarë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Për herë të parë në Kosovë, sivjet po ndihmohen edhe bletarët, ndonëse bletaria këtu ka një traditë të gjatë, por nuk mund të thuhet se është edhe e zhvilluar sa duhet.

Rreth 65 bletarë në Gjilan, të hënën janë pajisur me shtëpiza nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, ndërkohë që donacione për bletarinë do të ketë edhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Karitasi i Luksemburgut.

Nazmi Rapuca, drejtor komunal për Bujqësi dhe Pylltari, ka thënë se 65 bletarë kanë marrë falas prej një deri në 4 shtëpiza, varësisht prej numrit të bletëve që posedojnë, por që nuk është më i madh se 29 sosh, derisa ata që kanë 30 e më tepër shoqëri bletësh kanë aplikuar në Ministrinë e Bujqësisë.

Ka vite që kemi bërë përpjekje për të ndihmuar bletarët dhe bletarinë në komunën tonë, por vetëm sivjet kemi arritur ta realizojnë këtë qëllim, ka thënë Rapuca, duke nënvizuar se bletarët do të ndihmohen nga tri burime.

MBPZHR do të subvencionojë të gjithë bletarët që kanë 30 e më tepër shoqëri bletësh, ndërsa ne si Drejtori Komunale e Bujqësisë po ndihmojnë bletarët që kanë prej një deri në 28 shoqëri bletësh, ka thënë ai.

Hidromorava

Ndihma për bletarët e Gjilanit nuk përfundon me kaq, sepse në bashkëpunim me Karitasin e Luksemburgut do të ndihmohen me nga 10 shoqëri bletësh të gjithë bletarët e fshatrave Kishnapolë, Gadish e Sllakoc dhe ka shumë gjasa që po me këtë organizatë të sigurohen edhe 200 deri në 250 shoqëri bletësh, të cilat do të shpërndahen nëpër fshatrat tjera të kësaj komune.

Qëllimi ynë është që të inkurajojmë fermerët për të investuar në bletari, pasi që bletaria është veprimtari shumë ekonomike, e cila jo vetëm që ndikon në krijimin e të ardhurave, por sjellë dobi të shumëfishtë për bujqësinë dhe ndikon pozitivisht në shëndetin e njeriut, ka thënë Rapuca, derisa ka nënvizuar se investimi më i kushtueshëm në këtë veprimtari janë shtëpizat e bletëve.

Sipas të dhënave të DBP në Gjilan, ekzistojnë rreth 100 bletarë me afro 2.250 shoqëri bletësh, numër ky shumë i vogël krahasuar me nevojat e tregut për mjaltë, por edhe i mundësive që ofron ambienti i këtushëm për bletari.

Rapuca inkurajon fermerët e interesuar për t`u marrë me bletari që të bashkëpunojnë ndërmjet vete, sepse shumicës së tyre u mungojnë njohuritë, prandaj është i domosdoshëm këmbimi i përvojave me bletarë të vjetër. Edhe ekspertët tanë do të jenë të gatshëm të japin ndihmesën e tyre, ka thënë Rapuca./rajonipress/