RCCOLA

Subvencion prej 25 për qind të çmimit të naftës për korrjet

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Ministria e Bujqësisë edhe sivjet do t’i subvencionojë në masë prej 25 për qind derivatet e naftës në fushatën e korrje-shirjes së drithërave të bardha.

Për këtë qëllim, MBPZHR-ja ka ndarë një fond prej 500 mijë eurove dhe përmes kësaj forme të përkrahjes pritet që çmimi i korrje-shirjeve të jetë më i lirë dhe i njëjtë në tërë territorin e Kosovës. Përgatitjet për fushatën e korrje-shirjeve, tashmë janë në fazën përfundimtare dhe fushata pritet të filloj javën e ardhshme.

Në një takim të përbashkët të përfaqësuesve të MBPZHR-së me drejtoritë komunale të bujqësisë, është propozuar që çmimi fiks për autokombajnat në fushatën e korrje-shirjeve të jetë i njëjtë me atë të vitit të kaluar, 100 euro për një hektar.

Fundamenti

Po ashtu, gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e drejtorive komunale kanë treguar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të korrje-shirjeve dhe sipas raporteve përfundimtare të drejtorive komunale, në këtë fushatë do të përfshihen gjithsej 1 558 autokombajna.

Ministria e Bujqësisë ka formuar edhe komisionin qendror për monitorimin e fushatës së korrje-shirjeve në përbërje të nëntë anëtarëve, ku pjesë përbërëse e tij do të jenë edhe përfaqësuesit e drejtorive komunale të bujqësisë, përfaqësuesit e autokombajnerëve dhe shoqatës së mullisëve, si dhe përfaqësuesit e Fakultetit të Bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë sivjet i ka subvencionuar 8 664 fermerë për gjithsej 36 mijë e 637 hektarë të mbjellë me grurë, me rreth 3.6 milionë euro. Ndërsa, sipas të dhënave të drejtorive komunale bujqësore, sivjet me grurë janë të mbjellë 83 mijë e 875 hektarë.