RCCOLA

‘STUPID IS AS STUPID DOES’

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Nga Arben Idrizi – Dy histori për Historinë. Njëra që nuk gjykon çka është e çka jo, e tjetra që tamam gjykon. Forrest Gump dhe War horse, dy filma të bërë nga romanet homonime.

Forrest Gumpit, protagonistit të filmit homonim të regjisorit Robert Zemeckis (sipas romanit homonim të Winston Groomit), të interpretuar nga i Tom Hanks, i kishte bërë vaki ta përjetonte një periudhë mbi tridhjetëvjeçare të jashtëzakonshme të Historisë së vendit të tij, me aq personazhe e ngjarje të ndryshme që kishin lënë gjurmë të pashlyeshme, por pa e kuptuar ai vetë në të vërtetë se sa e jashtëzakonshme ishte, pra çfarë Historie të jashtëzakonshme kishte përjetuar. Kishte qenë brenda asaj Historie, e kishte dëshmuar dhe rrëfyer, ama fati kishte dashur të mos e kishte kuptuar. Ndoshta më mirë, për të, ndoshta më keq. E megjithatë, ai si askush e asgjë tjetër ishte e mbetet filli i kuq që i lidh/te të tëra ato personazhe e ngjarje, i bën/te të dukshme e të kapshme dhe iu jep/te një kuptim qoftë në veçantinë e tyre qoftë në të përbashkëtën.

Përtej këtyre, dua të them se e veçanta e Gumpit është se ai, pas përjetimit, e dëshmon dhe rrëfen atë Histori pa mbajtur një qëndrim rreth saj, pa gjykuar. Kjo është sublime, për ata që mbrojnë mendimin se Historia duhet të rrëfehet dhe shkruhet në këtë mënyrë: ashtu siç është parë dhe dëgjuar.

Herodoti do ta bënte këtë.

Jo secili nga ne e ka këtë fat në jetën e vet. Ose të paktën, jo secili nga ne përfshihet nga rrota e fatit në një rrokullisje dekadash, duke qenë dëshmitar i shumë e shumë ngjarjeve të jashtëzakonshme, pranë personazhesh të jashtëzakonshme. Megjithatë, në mënyrën tonë, secili nga ne ka diçka nga kjo. Edhe kur s’kemi ku e kujt t’ia rrëfejmë.

E kundërt me këtë, është një “teori” që na vjen nga një film tjetër, po ashtu i mrekullueshëm, nëse jo po aq: War horse.

Mobi Casa

Edhe ky është një film (me regjinë e Steven Spielberg), i bërë sipas romanit homonim të autorit Michael Morpurgo. Ted Narracott, interpretuar nga Peter Mullan, në momentin kur e njohim nuk është veçse pothuaj një pijanec i mjerë, që rrezikon ta humbë edhe atë pronë me qira që e ka dhe të mbetet në rrugë të hapur. Ama, kush ka qenë Ted Narracott?

Ose, që të bëjmë një pyetje më banale: pse Ted tashmë vetëm pi? Një përgjigje duket të ketë. Ai, në rininë e tij, ka qenë një ushtar hero. Në njërën nga betejat ku ai është dalluar, i ka shpëtuar nga vdekja shokët e vet. Për këtë, ka marrë medalje. Megjithatë, ai, me t’u kthyer në atdhe, i ka fshehur ato medalje e mirënjohje e çkadoqoftë dhe s’ka dashur t’i nxjerrë kurrë më, as t’i flasë askujt në asnjë mënyrë për ato medalje e për atë betejë. Ted Narracott e hesht përvojën personale, heroizmin e vet. Bile edhe atë që në opinionin publik konsiderohet e mira, sakrifica. Pse? Ngase, duket, duke e heshtur atë që ne në përgjithësi e quajmë sakrificë a virtyt, ai e ka arritur duke bërë një të keqe. Si? I ka shpëtuar shokët e vet, duke i vrarë rivalët. Armiqtë. Për parimet e Ted Narracott, kjo vrasje, pavarësisht qëllimit, është vrasje. Është vetëm vrasje. Nuk ka asgjë në të për ta glorifikuar, përqafuar, përmendur e mbajtur në mend. Përkundrazi. Duhet harruar. Duhet parë me trishtim dhe turp. Është një e keqe. Një e keqe që nuk e ka dëshiruar, nuk e ka kërkuar, por i ka ndodhur. Përderisa nuk ka si zhbëhet ajo që ka ndodhur, të paktën mund të heshtët dhe të shikohet me frikë, tmerr, dhimbje. Sepse është dhimbje. Sepse është krim.

War horse mban qëndrim ndaj Historisë. Bile mban një qëndrim që mua personalisht më ngjall respekt dhe admirim. Pikërisht për atë që u tha deri më tani.

Shkoj me mendjen se edhe në Historinë tonë, do të ketë protagonistë të tillë, që e kanë kuptuar dhe e dinë se më e mira që mund të bëjnë është t’i fshehin medaljet kur ato duhet të fshihen. Të heshtën historitë kur ato duhet të heshtën.

Megjithatë, Historinë e shkruan fitimtari. Në Historinë tonë zyrtare e kemi të vështirë të lexojmë për protagonistë të tillë.

Si për të thënë, siç thotë njëra nga batutat më të njohura të Forrest Gumpit: “Stupid is as stupid does”.