Fundamenti

Studim fizibiliteti për zonën ekonomike në Llabjan

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Rreth 69 hektar janë identifikuar në Llabjan e cila do të shfrytëzohet për krijimin e zonës ekonomike rajonale ku në të do të vendosen të gjitha bizneset e rajonit pa përjashtuar edhe komunat tjera dhe bizneset nga Kosova Lindore tha Qemajl Mustafa.

Komuna e Gjilanit dhe ajo e Novobërdës tashmë e kanë aprovuar projektin edhe nga asambletë komunale për krijimin e zonës ekonomike rajonale në Llabjan që përfshinë rreth 69 hektarë tokë.

Në një takim që ka pasur të martën Qemajl Mustafa me përfaqësuesit e USAID-it dhe të RDA-së ku kanë prezantuar edhe Riad Rashiti nga drejtoria për zhvillim ekonomik, Fadil Osmani nga zyra e projekteve dhe Sahit Abazi nga Inkubatori i biznesit është kërkuar që të përshpejtohet dhe të koordinohet në nivel ndërkomunal koncepti rreth zonës ekonomike.

Qemajl Mustafa tha se janë të interesuar që të lëvizin me definimin e kësaj zone, për të parë a ka pengesa ligjore. Mustafa tha se pos krijimit të ekipit profesional së pari do të duhej të bëhej edhe një studim fizibiliteti i cili kërkohet dhe u hynë në punë donatorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Mustafa tha se pavarësisht se Gjilani e Artana janë dakorduar për zonën ekonomike në Llabjan, Gjilani duhet të shoh edhe për një minizonë në Gjilan, edhe pse nuk kemi tokë të përshtatshme dhe hapësirë të mjaftueshme.

Uji Dea

Sipas Mustafës zona ekonomike në Llabjan aktualisht ka 69 hektar tokë dhe është zonë që kalon përmes arteries komunikuese dhe ka burime të mjaftueshme të ujit. Mustafa tha se pasi të aprovohet një rregullore e përbashkët rajonale, aty pritet të vendosen bizneset e rajonit pa i përjashtuar edhe komunat tjera. “Prioritet për tu vendosur në këtë zonë do të kenë aktivitetet prodhuese pse jo edhe ato tregtare. Në të ardhmen do të ketë vend edhe për bizneset nga Presheva, Bujanoci, Kumanova e Medvegja, duke llogaritur edhe bizneset ndërkombëtare dhe ato nga Maqedonia” shtoj Mustafa.

Komuna do të kujdeset që zonën ekonomike ta mirëmbajë mirë, të krijojë kushte për akomodim të bizneseve. Kurse Riad Rashiti drejtor për zhvillim ekonomik tha se Gjilani dhe Artana tashmë kanë formuar ekipin për zonën ekonomike i cili do të hartojë politikat dhe planin për zhvillimin e kësaj zone ekonomike rajonale.

Sipas tij Komuna e Gjilanit dhe ajo e Artanës në të ardhmen do të duhej të themelojnë dhe regjistrojnë një kompani të përbashkët publike që do të menaxhojë këtë zonë ekonomike rajonale.

Fadil Osmani ka mbrojtur idenë që zona e Llabjanit mund të krijojë investime, por ka kërkuar që kjo zonë të futet si zonë e mbrojtur nga Qeveria. “Meqenëse zona e Llabjanit i ka kaluar dy kuvendet komunale do të ishte mirë që të përshpejtohen procedurat”.

Nga ky takim është dhënë ideja që paralelisht Llabjanit të studiohen dhe hulumtohen dhe zona të reja ekonomike në Gjilan, duke përfshirë Livoqin e Epërm, Velekincën etj./rajonipress/