KKGJILAN

Studentët e Luginës me viza në Maqedoni !

/ 4 minuta lexim

Studentët shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe ata të Kosovës po pësojnë probleme të mëdha për të studiuar në Maqedoni.

Autoritetet shtetërore përmes ligjeve kanë shtrënguar kushtet e vendqëndrimit të studentëve të huaj në Maqedoni, ndërsa këto kushte janë të patjetërsueshme për t`u plotësuar edhe nga studentët shqiptarë që janë jashtë Maqedonisë. Kushtet dhe procedurat burokratike të vendqëndrimit janë problemi kryesor me të cilin po ballafaqohen studentët. Ata janë të përfshirë në ligjin për vendqëndrim për të huajt, ku kërkohet plotësimi i kushteve dhe aplikacioni të bëhet në ambasadat e Maqedonisë jashtë vendit.

Në këtë situatë më keq po pësojnë studentët nga Lugina e Preshevës, të cilët theksojnë se kjo situatë e re ka ndikuar që ata të braktisin universitetet shqiptare në Maqedoni.

“Ne jemi të shqetësuar se çfarë ndodhë dhe a bëhet kjo me qëllim. Dihet se në Maqedoni më shumë kemi studiuar ne si studentë shqiptarë nga Lugina e Preshevës, Shqipëria dhe Kosova. Andaj na kushtëzojnë tani me kërkesa tjera dhe prej në kufi, autoritetet maqedonase na rekomandojnë që të plotësojmë kushtet në rast se jemi studentë, ose do të paguajmë dënime të larta”, theksoi Astrit. S nga Presheva.

Studentëve nga Lugina e Preshevës u kërkohet që të udhëtojnë në Beograd pranë ambasadës së Maqedonisë për të plotësuar aplikacionin për vendqëndrim dhe për tu dhënë leja më pas për të udhëtuar dhe qëndruar për qëllime studimi në Maqedoni, transmetonINA.

RCCOLA

“Janë mbi 500 kilometra dhe është një burokraci e tmerrshme. Ndodhë që të dorëzojmë dokumentet dhe na kërkojnë dokumente plotësuese dhe kjo i bie që ne vetëm të harxhojmë dhe të endemi pranë dyerve të kësaj ambasade”, theksojnë një grup studentësh nga Presheva të cilët studiojnë në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Ata kërkojnë që universitetet shqiptare në Maqedoni të mos rrijnë symbyllur dhe të reagojnë ndaj kësaj situate, sepse ata vetë do të humbin një numër të madh të studentëve.

“Ne apelojmë që rektoratet e dy universiteteve USHT dhe UEJL të reagojnë pranë Ministrisë së Jashtme dhe të Brendshme në Maqedoni dhe të kërkojnë trajtim tjetër për ne studentët e vendeve fqinje. Sepse kjo nuk i ngjan një vendi aspirues drejt Evropës dhe që promovon lëvizjen e lirë dhe vlerat demokratike. Në rast se heshtin drejtuesit e këtyre universiteteve, atëherë le ta dijnë se do të humbin studentët nga Lugina, Kosova dhe Shqipëria”, theksojnë studentët nga Presheva.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme theksojnë se në bazë të ligjit për të huaj, ekzistojnë ligje dhe rregulla që duhet plotësuar. MPJ rekomandon studentët që të tërheqin aplikacionet në faqen zyrtare: www.mfa.gov.mk në pjesën e shërbimeve konsullore dhe aty të njihen me kushtet që duhet plotësuar para se të shkojnë në ambasadën përkatëse në vendin fqinj.

Janë disa nga parakushtet që duhet plotësuar një studentë që dëshiron të studioj në Maqedoni. Studentët theksojnë se më lehtë është për tu regjistruar sesa për të siguruar një vendqëndrim të tillë në Maqedoni. Studentët shqiptarë kërkojnë ndërhyrjen edhe të partive politike për të evituar këtë situatë shqetësuese./Titulli.com/