Uji Dea

Studentë nga SHBA,Kanadaja,Anglia e Japonia zbarkojnë në Gjilan

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan -Nuk ka mënyrë më të mirë të prezantimit të Kosovës në botë sesa përmes mesazheve që dërgohen nga studentë të huaj që vizitojnë Kosovën për një program të tillë akademik. Këta studentë janë ambasadorët më të mirë dhe më të besueshëm të Kosovës në botë ka thënë Faton Bislimi.

Të dielën në Gjilan kanë arritur disa studentë nga SHBA-të, Kanadaja,Anglia, Japonia, e vende të tjera të cilët do të jenë pjesë e Programit Ballkanik të Paqes, program ky akademik veror, i iniciuar dhe implementuar nga Fondacioni “Bislimi Grup”.

Ky është viti i parë i Programit Ballkanik të Paqes i cili do të zgjasë nga 28 maji deri më 17 Qershor. Temë kryesore e këtij programi ndërkombëtar veror akademik është “Zhvillimi në Vendet Post-Konfliktuoze” me fokus Kosovën. Qëllimi i programit është që të sjellë në Kosovë, respektivisht në Gjilan, studentë të huaj nga vende të ndryshme të botës që kanë interes të dinë më shumë për zhvillimin dhe historinë e Kosovës dhe Ballkanit.

Programi ka tri komponentë kryesore – akademike, kulturore, dhe zyrtare. Komponenti akademik përbëhet nga ligjërata të përditshme dyjavore që do të mbahen mbi tematikën e programit. Pjesëmarrësit do të marrin kredi akademike për këtë kurs dyjavor dhe normalisht se do t’i nënshtrohen testeve adekuate përmes së cilave do të përcaktohet edhe nota e studentit pjesëmarrës.

Ligjërues kryesor do të jetë Faton Bislimi nga Universiteti Dalhousie në Halifax, Kanada, dhe ligjëratat do të jenë në anglishte. Komponenti kulturor përbëhet nga mundësia që iu është dhënë studentëve të huaj që të jetojnë me studentë gjilanas, të Kolegjit “Gjilani,” në shtëpitë dhe familjet e tyre në Gjilan.

Kështu, studentët e huaj do të ekspozohen ndaj kulturës dhe mikpritjes shqiptare. Tutje, studentët do të vizitojnë edhe vendet me historike e kulturore të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, dhe Shqipëri. Komponenti i tretë , ai zyrtar,ka të bëjë me një sërë takimesh që studentët e huaj do të kenë më zyrtarë institucional të Kosovës dhe Shqipërisë.

Mobi Casa

“Kosova ka një histori të begatë, një kulturë të veçantë, e mbi të gjitha një rini bashkëkohore. Programi ynë iu ofron studentëve të huaj mundësinë që të mësojnë për të gjitha këto gjatë qëndrimit në Kosovë si pjesë e Programit tonë veror ndërkombëtar,” ka thënë Faton Bislimi, që njëherit është edhe themelues i Fondacionit Bislimi Grup. “Kjo është një mundësi e mirë edhe për studentët gjilanas që të krijojnë miqësi të reja dhe po ashtu të mësojnë për kulturën dhe zakonet e studentëve të huaj që janë këtu,” shtoi ai.

“Nuk ka mënyrë më të mirë të prezantimit të Kosovës në botë sesa përmes mesazheve që dërgohen nga studentë të huaj që vizitojnë Kosovën për një program të tillë akademik. Këta studentë janë ambasadorët më të mirë dhe më të besueshëm të Kosovës në botë. Në fund të programit, studentët e huaj pjesëmarrës në këtë program do të hartojnë nga një ese secili, të cilat mandej do të botohen në një libër që do të shpërndahet ndërkombëtarisht nëpër universitete anekënd botës” shprehet Bislimi.

Falë përkushtimit dhe zemërgjerësisë së Fondacionit Bislimi Grup, në këtë program do të mund të marrin pjesë edhe studentë vendas falas. “Qëllimi ynë si Fondacion joprofitabil është përkushtimi për arsimim kualitativ. Andaj, ne kemi vendosur që të pranojmë si pjesë e këtij programi edhe studentët vendorë pa pagesë,” është shprehur Profesori Bislimi. Të gjithë studentët do të marrin certifikata përkatëse akademike në fund të programit.

Ky program akademik ndërkombëtar po realizohet në Gjilan, dhe është vendosur të realizohet në Gjilan edhe për shkak të dëshirës sonë që studentët e huaj të shohin jetën me reale Kosovare.

“Nuk kemi dashur ta bëjmë programin në Prishtinë për shkak të kosmopolitetit më të madh atje. Amerikanët, Kanadezët, e të tjerët nuk do impresionohen nga ndërtimet e udhët, e as restorantet luksoze. Ata do të impresionohen nga kultura mikpritëse dhe bujaria shqiptare. Gjilani është një vatër e tillë.”ka shtuar Bislimi.

Ndryshe Fondacioni “Bislimi Grup” është fondacion arsimor joprofitabil që është themeluar në vitin 2006 dhe që nga atëherë iu ka mundësuar disa dhjetëra studentëve meritorë nga Kosova që të studiojnë në SHBA me bursa të plota, të shkojnë në Kanada e SHBA në udhëtime studimore./rajonipress/