FITORJA

Struktura e vlerave përfaqësuese

/ 10 minuta lexim
Hidromorava

Nga Begzad Baliu – Bilall Maliqi është publicist, që shquhet për angazhimet e tij në këtë fushë edhe për shkak të vendit që i ka takuar të kryej këtë misionin; ai është poet me ndjenja të veçanta, të cilat i ka artikuluar në krijimtarinë letrare; ai është po ashtu dhe hulumtues e kritik, me përgjegjësi të veçantë për përkushtimin e tij ndaj vlerave krijuese, që janë krijuar në hapësirën e tij etnike dhe gjurmues a përzgjedhës i përgjegjshëm për vlerat krijuese dhe mendore që i përzgjedh nga hapësira letrare e nocionit.

Kjo është arsyeja pse dorëshkrimin e tij e kam lexuar me kureshtjen e kërkimit në një arkiv të veçantë. Në vëllimin e përgatitur për shtyp më kanë befasuar nga rasti në rast veprat e përzgjedhura, temat me të cilat është marrë, mënyra se si ju është qasur atyre dhe më në fund, koha për të cilat ka shkruar.

Pse mund të thuhet kështu?

Ky vëllim prezanton vepra, tema dhe aktivitete për njerëzit a hapësirën e Shqipërisë së Sipërme, sikur do të shprehej Faik Konica, të cilat nuk mund t’i gjesh në botimet shpesh të klanizuara të kryeqendrave tona kulturore, por pa të cilat nuk mund të shkruhet historia e letërsisë, e gjuhësisë dhe pse jo e kujtesës sonë kolektive. Fjalën e kemi për vështrime kritike, analiza, diskutime, përgëzime dhe madje përurime të veprave të studiuesve nga Lugina e Preshevës, të hapësirës shqiptare dhe fushave të ndryshme të dijes: gjuhës, historisë, arkeologjisë, letërsisë, poezisë, tregimit, romanit, intervistës, kujtimeve, historisë, dhe më në fund të vet kritikës letrare dhe madje historiko-letrare.

Tekstet e kësaj vepre janë ndarë në katër kapituj, të cilat njëkohësisht përfaqësojnë më shumë se sa katër tema të mëdha të mendimit, pavarësisht se autori insiston që ato t’i adresoj në prozën dhe poezinë. Cikli i parë Venerime për prozën dhe të tjera, në të vërtetë më parë se sa për prozën sjell disa nga vlerësimet e tij me interes për lexuesin në fushë të kërkimeve shkencore, të disa prej autorëve dhe të veprave shkencore të tij me interes jo vetëm për Luginën e Preshevës, të cilat përgjithësisht marrin shkas, po edhe për gjuhësinë, historinë, arkivistikën a politikën shqiptare, sikur është monografia kërkimore dhe studimore e dr. Jahi Staneci “Presheva në fotografi dhe fjalë”, apo vështrimet për monografitë e rëndësishme studimore të Mr. Eroll Sejdiut “Njësitë frazeologjike në dialektin e gjuhës shqipe dhe asaj serbe në Preshevë me rrethinë”, dhe “Probleme të standardit të gjuhës shqipe (Pranimi dhe zbatimi i saj nga banorët e komunës së Preshevës), dy monografi këto, të cilat e plotësojnë gjeografinë e mendimit shkencor në fushë të kërkimeve dialektore, leksikografike dhe të standardit, në një kohë që diskutimet në këtë fushë janë rrudhur në përmasa rajonale.

Në ciklin e teksteve të kësaj natyre vend të veçantë zë edhe studimi Mr. Reshat Neziri “Roli i diplomacisë ndërmjetësuese dhe i NATO-s në arritjen e paqes në Kosovë”, e cila hyn në mesin e atyre botimeve historike, strategjike e diplomatike me interes për rrugët e çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës dhe ndihmës që dha bashkësia ndërkombëtare, një shembull unik në botën demokratike. Po të kësaj natyre janë tekstet e studiuesve Hasan Emërllahu “Shaip Mustafa-Presheva në dokumentet arkivale I dhe II”; të bashkautorëve Demush & Metush Berisha “Karadaku i Preshevës mburrje dhe krenari”, si dhe ai me aforizma nga Halim Hasani “1021 aforizma”, të cilat kritiku ynë i konsideron të shkrira në një vepër kapitale.

Brenda po këtij cikli janë botuar tekstet përgjithësisht më të realizuara të tij për tregimin dhe romanin, një pasion i trajtimit të tij ky krahas kërkimeve në vargun e poezisë. Fjalën e kemi për vlerësimet mjaft të thelluara, për disa vëllime tregimesh e romanesh, sado shumica prej tyre bëhen me qëllim botimi në shtypin ditor dhe javor, e jo për gazeta të specializuara letrare. Tekstet për romanin e Ramadan Rexhepit “Kambanaret, romanet e Mexhid Mehmeti, “Tuna” dhe “Kalvari” apo romanin e Fatmir Terziut “Grykës” mjaft të vlerësues në shtypin letrar të kohës, atë të Iljasa Salihut ”Mëngjesi i hershëm“, si dhe romanin “Pesha e dashurisë” të autorit Kamber Imeri, dëshmojnë për gjithë përkushtimin e tij ndaj kritikës letrare në fushë të letrave shqipe.

Po ky cikël tekstesh nuk do të kishte vlerat që ka, sikur të mos plotësohej edhe me një numër analizash për vëllimet me tregime, të cilat shquhen për përmasën tematike, gjuhësore, letrare dhe estetike në letrat shqipe, sikur janë vlerësuar tregimet e Avdush Canajt “Dallëndyshet e gjumit”, vëllimi me tregime të autorit tashmë me njohje të gjerë letrare Halil Haxhosaj, “Shi pa vranësira”; apo edhe për vëllimin me tregime të autorit më pak të njohur, sikur është ai i prozatorit Burhanedin Xhemaili “Në fund të tunelit”. Brenda po këtij cikli është përfshirë një tekst mjaft kontribuues në mendimin e tij letrar e kritik, ai për vëllimin me 1021 aforizma të mendimtarit Halim Hasanit.

FITORJA

Cikli i dytë i teksteve të tij letrare përfshin kontributet e autorit tonë në fushë të kritikës letrare për poezinë, një pasion ky gjithsesi i lavdëruar në krijimtarinë e tij letrare edhe për faktin se ai poezinë shqipe e përcjell në shtypin letrar dhe atë të përditshëm. Sigurisht kjo është edhe arsyeja pse në këtë vëllim ka sjellë krijues të veçantë që kanë lënë gjurmë të thella në poezinë shqipe, si Qerim Arifi dhe vepra e tij “Mbyllur në urnë”, poeti që përfaqëson një shenjë identifikuese të brezit të tij, Sabit Rrustemin dhe vëllimin i tij “Në fytyrën e një gjethi”; krijuesin që vazhdon ta bartë identitetin krijues të brezit të tij Jonuz Fetahajn me vëllimin “Të gjitha rrugët të çojnë në Vlorë”; antologjisten e një vëllimi mbamendës të kësaj zone në fushë të letrave Lirije Kajtazin me vëllimin e përzgjedhur “Ama e dheut” (Buqetë artistike për 100 vjetorin me femrat krijuese të Anamoravës dhe të Kosovës Lindore), poetin sigurisht më të popullarizuar të lëvizjeve të sotme letrare në shtypin elektronik Agim Maton me vëllimin “Jashtë eklipsit” etj.

Po kështu mund të thuhet edhe për vlerësimet përmbajtësore dhe kur e kur mjaft të thelluara për veprat e krijuesve më të rinj, por që kanë shënuar apo vazhdojnë të sjellin shenja të reja në poezinë shqipe të kësaj kohe. Fjalën e kemi për poetët Vaxhid Xhelili, Arsim Halili, Nehat Ramizi etj., si dhe veprat e tyre “Mbuloje me shikim hënën”, “Mëkatar mos eja”, “Kujtime të zgjuara”, përfaqësues të përhershëm të mesit të tyre letrar, në rrethet krijues të hapësirës shqiptare.

Cikli i tretë i teksteve tash publicistike të Bilall Maliqit merret me dy vëllime jo pak të njohura dhe jo pak të pranishme në rrethet letrare dhe publicistike. Fjalën e kemi për vëllimin me intervista këngëtaresh “Bota e yjeve”, me autor shkrimtarin, dhe publicistin e angazhuar Tefik Selimin, si dhe vëllimin tjetër gjithashtu me intervista të poetit dhe publicistit Arsim Halili “Shtigjeve të artit”.

Ndoshta për vet faktin se këtë cikël tekstesh e ka quajtur Kujtime të trazuara, autori dëshmon se ka hyrë ne brendësinë e temave të tyre. Kemi të bëjmë këtu me vëllimet e dy krijuesve, të cilët ndonëse intervistojnë dy kategori të ndryshme krijuesish atë e bëjnë mbi koncepte pothuajse të njëjta. Si autori i parë ashtu edhe i dyti, motivin e këtyre intervistave e shikojnë në përmasa individuale dhe krijuese, ndryshe nga intervistat e përditshme të shtypit tonë, ku këngëtarët dalin me përmasën e jashtme të shfaqjes së tyre më parë se sa me virtytet e brendshme shpirtërore dhe artistike.

Në librin e tij, sikur është zakon përgjithësisht në vëllimet e kësaj natyre, Bilall Maliqi merret me vëllimet me kritika të studiuesve që tashmë kanë bërë emër në studimet letrare, sikur është Prof. dr. Faik Shkodra dhe me vëllime të krijuesve të tjerë, të cilët sapo kanë hedhur hapat e tyre të parë, dekadën e fundit, sikur janë Nexhat Rexha dhe Sinan Sadiku. Kërkimet, përkatësisht vlerësimet për këto vëllime, sigurisht edhe për shkak të përmasës studimore që përfaqësojnë janë me interes të veçantë.

Në rrethet kritike dhe historiko-letrare, profesor Faik Shkodra përfaqëson zërin e tij të veçantë madje në më shumë se sa tri dekada, prandaj edhe një nga veprat e tij të fundit “Flakë e fjalës”, nuk mund të kalohej pa u vënë re dhe pa u shquar për pasurinë kritike që ngërthen brenda saj. Po kështu mund të thuhet edhe për veprën e poetit dhe kritikut Nexhat Rexha “Emra dhe vlera”, i cili me një përkushtim permanent merret me autorët dhe veprat e botuara viteve të fundit. Autori i fundit, poeti, editori, publicisti dhe kritiku letrar Sinan Sodiku me vëllimin “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”, sikur bashkon me kompetencë autori e parë, me përmasën historiko-letrare, si dhe të dytin me përmasën analitike të vlerësimit të veprave letrare.

Duke e mbyllur këtë fjalë rasti për dorëshkrimin e Bilall Maliqit, dëshiroj të kujtoj një mendim të cilin e kam identifikuar për një vëllim timin me tekste të karakterit gjuhësor. Tekstet e kësaj natyre kritikët zakonisht i shkruajnë për parathënie librash, faqe gazete, raste përurimi etj., prandaj jo njëherë ato kushtëzohen prej minutave që ua japin për të folur në tribunat letrare, prej hapësirave që ua lejojnë redaktorët në faqet e gazetave ditore a periodike dhe më në fund prej hapësirës që mund të zënë në një parathënie të një vëllimi letrar. Si të tilla, zakonisht ato përfaqësojnë mendimin përgjithësues të autorit të tyre dhe përpjekjet e tyre për të sjellë sa të jetë e mundur disa nga esencat më karakteristike të një vepre.

Kujtoj që prej këtyre parametrave nuk është liruar as mjeshtri ynë në tekstet e këtij vëllimi dhe, e pranoj, prej këtij kompleksi nuk jam liruar as unë në fjalën time hyrëse.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.